Pajtohem me ata që mendojnë se kërkesat e opinionit publik për rikthimin e dënimit me vdekje në Shqipëri i detyrohen në masë të madhe manipulimit herë të vetëdijshëm e herë të pavetëdijshëm të publikut nga mediat. Nuk besoj që shtetasit shqiptarë, në shumicën e tyre, ta ndiejnë nevojën e rikthimit të dënimit me vdekje përtej komunikimit të tyre me mediat, d.m.th. si të sugjeruar vetëm nga eksperienca e tyre e përditshme e kontaktit me njerëz dhe institucione. Mirëpo sapo ndodh diçka veçanërisht e shëmtuar, mediat e përcjellin në faqet e para dhe pastaj të gjithë përfshihen në ngjarje sikur ta kishin përjetuar drejtpërdrejt dhe reagojnë më shumë emocionalisht, çka ua radikalizon gjykimin.
Pa përmendur pyetjen shumë të hidhur nëse është drejtësia shqiptare sot në gjendje të administrojë dënimin me vdekje përtej trysnisë së opinionit publik, të traditës, të grupeve të interesave, të politikanëve. Unë do të thoja që drejtësia shqiptare nuk e ka autoritetin as ligjor as moral që të vrasë individët.
Megjithatë, shoqëria shqiptare këto 15 vjet të fundit ka ardhur duke u shthurur dhe desocializuar, ndonjëherë me pasoja të frikshme. Krimi, i rëndë dhe i parëndë, është pasojë e desocializimit, ose e shkëputjes së individëve nga konteksti social.
Prandaj, në një perspektivë afatgjatë, krimi në Shqipëri do të luftohet duke risocializuar; ose duke i stabilizuar komunitetet; pakësuar zhvendosjet e popullsisë; ulur dyndjet drejt Tiranës; normalizuar jetën familiare, sidomos në zona me emigracion të lartë. Kjo nuk i jep megjithatë përgjigje shqetësimit për krimet që po ndodhin, as mund të shërbejë si argument kundër rivendosjes së dënimit me vdekje.
Po të jetë e vërtetë lidhja midis krimit dhe desocializimit ose jetërsimit, atëherë kundërmasat ndaj krimit të rëndë, sidomos krimit veçanërisht të shëmtuar, shpesh duhen kërkuar në psikiatri, jo në kanun. Të parët që thyhen përballë stresit të jetërsimit, desocializimit dhe dekontekstualizimit janë individë me probleme mendore: sociopatë, skizofrenë, psikotikë të tjerë, e kështu me radhë. Nëse shumë psikotikë e konceptojnë dhe e përdorin krimin si një mesazh pak a shumë simbolik për shoqërinë në të cilën nuk integrohen dot, sociopatët shpesh nuk i kontrollojnë dot impulset.
Jam pothuajse i sigurt se shumë krime nga ato që përcillen me aq bujë prej mediave – sidomos e krimeve ndaj fëmijëve dhe mes familjarësh – do të ishin parandaluar, duke ua mjekuar autorët.
Peizazhe të Fjalës: http://xhaxhai.wordpress.com/obobo/e-drejta-per-te-vrare/