Nuk i krijoi Siria. Ajo thjesht na i ekspozoi

redaktor

Arrestimi i dy imamëve të vetshpallur të dy xhamive të paligjshme (të ndërtuara pa leje) të cilësuar si xhihadistë, si dhe i disa besimtarëve të mashtruar, nxori në pah problemin e rrezikut të depërtimit të një fryme radikale në islamin e paqtë tradicional shqiptar dhe të  rolit (vigjilencës) të shtetit përballë fraksioneve radikale të islamit. Këtu ia vlen të theksohet se “varianti” shqiptar i islamit është më liberali dhe për këtë është jo vetëm i pranueshëm dhe i padëmshëm për Europën, por po ta njohin mirë, edhe do ta shihnin me simpati. Kur them kështu kam parasysh islamin e aplikuar në Republikën e Shqipërisë. Ndryshe është islami në Kosovë dhe Maqedoni ose Mal të Zi. Pse ndodh kështu është një temë tjetër. Por disa fakte dhe zhvillime në Kosovë me prirje radikale kanë shkaktuar debate e polemika jo të vogla. Ndërsa këtu na interesojnë më shumë faktet se shkaku i tyre, i cili duhet të bëhet objekt analizash e studimesh të posaçme në nivele akademike. Me një frazë të përgjithshme mund të thuhet për shkak të kushteve të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës. Një ndër arsyet e këtij ndryshimi ka qenë edhe fryma e fortë ateiste e aplikuar në Shqipëri në kohen e socializmit real dhe fakti i ndalimit me ligj të fesë dhe riteve të saj për një çerek shekulli.

Tani kohët kanë ndryshuar dhe liria e fjalës dhe e besimit është rikthyer. Është e natyrshme që një shtet si ky yni, pra një shtet laik, nuk përzihet në punët e brendshme të fesë, nuk është një xhandar. Por shteti, ashtu siç ka detyrimin të garantojë lirinë e besimit dhe funksionimin e insitucioneve fetare dhe financimin e tyre, ka për detyrë të kërkojë prej tyre respektimin e statusit të tyre, si institucione kulti dhe mosimplikimin në veprimtari të natyrës politike apo të çdo natyre tjetër, që del jashtë kuadrit të filozofisë së cdo feje, që  është  obligimi shpirtëror  dhe moral i individit në raport me Zotin. Çdo kapërcim është i paligjshëm.

Për rastin e mësipërm reagoi menjëherë media e shkruar dhe elektronike. Dhe më duket se iu bë një jehonë e zmadhuar. Një medie e njohur elektronike shpejtoi madje ta shoqëronte lajmin me një koment që vinte në dyshim bashkëjetesën paqësore midis feve në Shqipëri, duke e quajtur atë fallco (!). Sigurisht, ky ishte një konkluzion i gabuar dhe i nxituar. Një rast i vetëm si ky, ende i pasqaruar nuk mjafton për një konkluzion të tillë. Dhe kjo vlerë historike nuk mund të zhbëhet kollaj. Megjithatë, ndërkaq, ka sinjale se kjo bashkëjetesë paqësore ka të ngjarë të cenohet në të ardhmen, për shkak të një rivaliteti për dominim, që vjen më tepër si rezultat i ndërhyrjes së misionarëve të huaj të tre (në të vërtetë i dy besimeve) besimeve në Shqipëri, si jehonë e garës globale për shtimin e numrit të besimtarëve respektivë.  Besimtarët muslimanë, me sa duket, ndonëse në maxhorancë besimi, kanë ndjerë pas viteve ‘90 një lloj përçmimi, margjinalizimi prej një atmosfere politike dhe shoqërore, që synon Europën e bashkuar, por të krishterë. Pra, në një farë mënyre  fryma e armiqësisë së islamit ndaj krishterimit është pasojë e “luftës” së heshtur midis muslimanizmit dhe krishterimit në rang global.

Lidhur me këtë çështje, Sammuel Huntington në librin “Përplasja e qytetërimeve”, duke replikuar me një deklaratë të ish-presidentit amerikan Bill Klinton, i cili thotë se perëndimi nuk ka probleme me islamin, por me ekstremistët islamikë, nënvizon se historia prej një mijë e katërqind vjetësh tregon ndryshe dhe se marrëdhëniet midis islamit dhe krishtërimit…shpesh kanë qenë të trazuara. Lidhur me arrestimet e bëra nga policia një medie e shkruar, që reagoi ndër të parat me një editorial, duke iu referuar këtij fakti, fliste mbi ” rrezikun e laicitetit të shtetit shqiptar ( duhet të thoshte mbi “rrezikimin “e laicitetit”) megjithëse kjo s’ka për të ndodhur, si dhe mbi paaftësinë e strukturave  të shërbimit sekret (SHISH) për të zbuluar në kohën e duhur këto celula. Natyrisht, shteti, përveç kontratës së besimit që ka me institucionet fetare, ka karshi qytetarëve detyrimin  të monitorojë e të vëzhgojë çdo gjë të dyshimtë që mund të mbulohet edhe me petkun fetar.

Syrit të madh të shtetit nuk duhet t’i shpëtojë asgjë. Prandaj është shpikur kjo makinë e komplikuar politike, të kontrollojë zbatimin e ligjit ,nëpërmjet meklanizmave që ka, të sigurojë jetën normale të qytetarëve. Por mendoj se nuk duhet orientuar debati vetëm në këtë drejtim, në atë të gatishmërisë dhe syçelësisë së pamjaftueshme të shërbimt sekret dhe të gjynaheve, që mund të ketë ai në këtë rast. Ky është vetëm një aspekt i trashëgimit që u la Berisha dhe qeveria e tij shqiptarëve. Një Shqipëri të shpartalluar gjithandej. Në ekonimi, mjedis, rend e kudo. Berisha ka energji dhe talent të jashtëzakonshëm shkatërrimtar. Ai shkatërron edhe kur niset që të ndërtoj. Pavarësisht kësaj, ky fakt ka nevojë për një shqyrtim e reflektim më serioz. Çështja në fjalë nuk është  çështje thjesht policore. Dhe duhet të na bëjë të shohim më larg dhe më thellë për të zgjeruar perimetrin e vëzhgimit  dhe thellësinë e arsyetimit, duke kërkuar shkakun kryesor dhe jo pasojat e rastit.

Xhihadizmi dhe prania e disa xhihadistëve në Shqipëri nuk lindi nga situata në Siri. Ajo veç e ekspozoi. Radikalizimi i Islamit është  një frymë antiperëndimore konstante, që vjen nga kryeqendrat e tij në vendet arabo-muslimane. Ndërkohë, kjo frymë nuk drejtohet njëlloj kundër të gjitha vendeve të krishtera. Objektiv kryesor i kësaj “lufte” xhihadiste janë në radhë të parë SHBA-të. Nuk ka një frymë të theksuar xhihadiste ndaj Europës, ta zëmë antigjermane apo antiitaliane etj. Dhe kjo duhet shpjeguar. Xhihadi është një luftë në emër të Allahut, jo vetëm kundër krishtërimit si besim, por edhe kudër qytetërimit perëndimor, mentalitetit perëndimor, kundër plitikës së këtyre vendeve, veçanërisht ShBA-ve, që shihet prej këtyre vendeve si një xhandar ndërkombëtar (e pranuar nga vet amerikanët sipas doktrinës “monro”), si armike e tyre, si pushtues, që do t’i “degjenerojë moralisht” (t’i perëndimorizojë me dhunë) si dhe të shfrytëzojë pasuritë ë tyre natyrore, sidomos naftën.

Duke e ndjerë veten të tradhtuar prej elitave të tyre politike (shpesh antidemokratike), që janë në përgjithësi proamerikane, ata (xhihadistët) nuk kanë fuqinë të ndeshen ballë për ballë me fuqitë perëndimore, që janë dhe vendet më të zhvilluara të botës, prandaj priren  për sulme të natyrës terroriste si ai i 11 shtatorit apo rrëmbime avionësh, vendosje bombash në vende publike etj. Pra, veprime të një natyre dëshpëruese, në pamundësi për të bërë më shumë. Ndërkaq, megjithë një imazh miqësor dhe respekti të ndërsjellë formal, që reklamohet nga krerët e  dy besimeve më të mëdha (nga kleri i krishterë dhe ai musliman në disa veprimtari të përbashkëta) underground ka një luftë për dominim midis këtyre besimeve. Në rang rajonal dhe global. Kjo është e vërteta. Kurse për diplomaci mund të flitet ndryshe.

Ne duhet ta kuptojmë mirë që bota muslimane e sheh Shqipërinë si avanpost të muslimanizmit në “Europën kaure “. Këtë  e dëshmojnë edhe hezitimet e disa vendeve europiane si Holanda, apo të disa forcave të djathta ekstremiste në Europë, që ishin kundër marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në BE. Kjo ide është shprehur edhe nga kryeministri Rama, me rastin e mosmarrjes së statusit të kandidatiti në BE për Shqipërinë. Dhe mendoj është e drejtë, pavarësisht se është e thënë “pa diplomaci” dhe është kritikuar apo mohuar. Pra, Shqipëria synohet prej vendeve arabo-muslimane, të cilat duhet të kënë edhe strategji për realizimin e këtij synimi. (të mos harrojmë se  edhe kryeministri turk Erdogan, që nuk është aspak xhihadist, por musliman, u shpreh për “ afinitet të vecantë” midis turqve dhe shqiptarëve, (dhe këtë afinitet me siguri e shihte te feja, te islami) kur në Prizren deklaroi se këtu e ndjej veten si në Turqi!…) Dhe nëse shtetet si në rastin e Turqisë shprehen hapur dhe operojnë në mënyrë legale dhe mjete legale, organizatat e ndryshme islamike synojnë rekrutimin e militanëve të vet në gjirin ë besimtarëve shqiptarë nëpërmjet manipulimit me besimin si dhe duke i joshur shumë të rinj shqiptarë me shkollimin e tyre ne vendet arabo-muslimane falas, si në Arabinë Saudite, Egjipt, Iran, Irak deri në Malajzi.

Realizimi i depërtimit të rrymave të ndryshme islamike bëhet edhe nëpërmjet financimit të insitucioneve të kultit, xhamive ( kryetari i komitetit të kulteve pranë qeverisë bëri të ditur se janë rreth 650 xhami në Shqipëri( !?..) si dhe blerjes së imamëve nëpërmjet ryshvetit. (po kështu ata kanë blerë edhe qeveritarë shqiparë). Ndryshe nuk mund të ndërtohen xhami në mes të Tiranës “ pa dijeninë” e shtetit. Prandaj populli thotë: nuk mund të futet xhamia në thes, për gjëra që nuk mund të fshihen. Por kam përshtypjen se po kështu veprohet dhe me kishat. Në një situatë të tillë, në një vend të prapambetur dhe të varfër, qeveria duhet të jetë e kujdesshme në rapot me besimet fetare. Ajo duhet të jetë neutrale, por e vëmendshme ndaj zhvillimeve fetare, duke zbatuar ligjet ë një shteti laik serioz.

Muslimanizmi është besim, si çdo besim tjetër dhe besimet janë të shenjtë, të pacenueshëm. Me këtë rast le të kujtojmë se si gabojnë edhe njerëz si Kadare, kur deklaroi se tashmë shqiptarët do orientohen nga Europa (nga BE) dhe do t’i rikthehen krishtërimit në essenë “Identiteti europian i shqiptarëve”. Dhe  më vonë kërkoi ndjesë për këtë. Prandaj të gjithë duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur flasim për fetë dhe besimin në zot (megjithëse autori i këtij shkrimi nuk është besimtar), pasi besimi është i verbër ( nuk arsyetohet) dhe dogma nuk vihet në dyshim prej atyre, që e pranojnë. Për këtë shkak reagimi i shtetit ndaj veprimeve të paligjshme të individëve apo institucioneve fetare duhet të jetë koherent dhe simetrik ndaj të gjitha feve dhe besimeve. Dhe mendoj se nuk i bëjmë shërbim të mirë vendit tonë duke amplifikuar këtë rast.

Pas viti 1990 Shqipëria u shqye kanatash dhe këtu vërshoi kush mundi. Duke shfrytëzuar  lirinë e shprehjes dhe besimit u turrën drejt Shqipërisë, duke e quajtur një tokë të virgjër për nga besimi, mizëri sektesh e besimesh, gjithfarë misionarësh fetarë me thasë me Bibla e Kuranë, me thasë me miell e rroba të përdorura, mafiozë nën petkun e tregtarëve, trafikantë femrash për prostitucion, pedofilë nën petkun e humanistëve, agjentë të shërbimeve sekrete.(zakonisht këta janë të parët). Midis tyre kishte dhe njerëz të ndershëm e idealistë, që donin të ndihmonin shqiptarët e varfër të mbijetonin në ato çaste të vështira. Por pati edhe shumë spekulantë, midis tyre edhe të mbuluar me petkun fetar, që rekrutuan njerëz të varfër, hallexhinj, që me “mesimet fetare” maskonin veprimtaritë e dyshimta dhe antishqiptare. Dhe nuk është se kjo veprimtari e paligjshme ka mbaruar me arrestimin e dy imamëve dhe disa varfanjakëve të manipuluar.

Por çështja themelore që nxiti ky rast është debati mbi bashkëjetesën midis besimeve në Shqipëri, një vlerë historike shumë e çmuar për kohezionin social të vendit, që e vlen të lançohet para të tjerëve dhe na nderon ( le të kujtojmë luftën fetare deri vonë në Irlandën e Veriut midis katolikëve dhe protestantëve) Kjo çështje nuk duhet nënvleftësuar. Syri i shtetit duhet të shohë larg për këtë problem. Prishja e kësaj bashkëjetese do të kisht pasoja të pallogaritshme për shoqërinë tonë.

 

Share This Article
6 Comments
  • Cfare islami radikal thua o zoteri, islami eshte ai qe eshte, njerezit marrin vendimet per veten e tyre.

    Derisa ata persona vene vete me deshiren e tyre per te luftuar, nuk e kuptoj pse duhet te jete kaq problem e te mos lene gje pa thene per Islamin.

    A e di ti o shoku zoteri se ne Kosove kane luftuar rreth 1,000 vullnetare Bullgare dhe kush e di se sa Ruse.

  • Eshte apo jo ne kuran xhihadi nuk ka shume rendesi. Erendesishme eshte se ne emer te islamit pobehet terrorizem bile edhe ne xhami me bomba. Ky terrorizem ka per ushtare te molepsurit e fese islame, mos ti vije keq askujt per kete fakt. Ka dhe mercenare me pagese nga AL kAEDA qe me kuran dhe kallash ne dore therrasin Allahu Akhbar. Sa me larg ti qendroje Shqiperia kesaj kolere, aq me te mencur jemi.

  • Paralelizmi eshte :Shkollimi ne vende ekstremisht terroriste sjell keto zhvillime.Njesoj si ne vitet 30 te shekullit te kaluar kur shkolloheshin ne rusi me teori marksiste,solli ato zhvillime qe kemi pare.Te njejten histori do ta shikojme ne te ardhmen.

  • O autori i shkrimit, ma jep referencen e ketij sqarimit te Xhihadit, se nga e ke marre, ne c`liber, ne c`tekst, ne c`fjalim: “Xhihadi është një luftë në emër të Allahut, jo vetëm kundër krishtërimit si besim, por edhe kudër qytetërimit perëndimor, mentalitetit perëndimor, kundër plitikës së këtyre vendeve, veçanërisht ShBA-ve, që shihet prej këtyre vendeve si një xhandar ndërkombëtar (e pranuar nga vet amerikanët sipas doktrinës “monro”), si armike e tyre, si pushtues, që do t’i “degjenerojë moralisht” (t’i perëndimorizojë me dhunë) si dhe të shfrytëzojë pasuritë ë tyre natyrore, sidomos naftën”.

  • Keta i cojne si mish per top ne Siri gjoja per te luftuar Asadin dhe per te sjelle demokracine ne Siri. Por ne fakt, ne vend te kesaj i marrin per t’ju bashkuar islamisteve fanatike e terroriste qe nuk luftojne kunder Asadit per te sjelle demokraci, por luftojne kunder kundershtareve te Asadit qe kur te bjere Asadi ta bejne Sirine si Afganistanin e para disa viteve. Keta luftojne kunder kundershtareve te Asadit dhe terrizojne,rrembejne dhe vrasin popullin e thjeshte qe perkrah kundeshtaret e Asadit. Terrorizojne, rrembejne e vrasin popullsine qe i perket besimave te tjera fetare, dhe nuk kursejne jo vetem gra e burra te pafajshem, por edhe femije. Gjithe bota ka degjuar per rrembimin e murgeshgave te nje manastiri qe i perket Kishes se Antiokise se bashku me femijet jetime te jetimores qe ishte nen kujdesin e murgeshave. Demet ne njerez dhe materiale me shume se ushtria e Asadit qe lufton kundeshtaret e tij, i ka shkaktuar Al Kaeda nepermjet ketyre mercenareve qe per fat te keq shkojne edhe nga Shqiperia.
    Sigurisht qe shteti duhet te nderhyje sepse ketu kemi te bejme me terrorizem. Ne jemi anetare te NATO’s dhe nese NATO do vendoste per te derguar trupa ne Siri atehere do te ishte e ligjshme. Por cdo lloj nderhyrje tjeter private konsiderohet e paligjshme sepse keta, edhe nese shkojne privatisht, shkojne per te vrare.
    Me vjen turp qe bashkombas te mi jane perfshire ne kete terror kunder njerezve te pafajshme, dhe e kane futur veten e tyre ne kete rruge pa dalje dhe tunel pa drite. Zoti i falte.

  • Flitet shume per llojet e feve qe kane mbire kudo ne shqiperi, po nje gje eshte e vertete qe fai kryesor eshte :POLITIKANET TANE jane ata me ne krye SALI BERISHEN qe financoi dhe hapi dyert qe te vinin ketu lloj lloj maskarenjsh te veshur me petkun e priftit dhe imamit dhe gjeten fushe te virgjer ne nje vend pa zot dhe te varfer per te krijuar ushtare te fese. Me kujtohet nje fare ” Demokrati” qe hyri ne burg se deshte te rezonte bustin e Stalinit ne Shkoder dhe Saliu e beri ne mos gaboj sheh I doganes ne Han te Hotit dhe kur e hoqen ai tha qe me hoqen se jam katolik . Pra politikanet tane nuk duan t’ja dine se ku vete ky shtet qe bejne gara kush do ngreje sa me shume kisha dhe xhamija nuk I behet vone qe vuri ne krye te kishes autoqefale nje grek te betuar qe te njgjalle ndjenjat anti shqiptare po ashtu si edhe imamet qe jane bere ti mbledhesh me lopate. Nuk e kuptoj ceshte kjo dashuri e cfrenuar per te besuar verberisht ne zot apo Allah . Keto dogma zene vend me lehte atje ku mbizoteron varferija dhe injoranca dhe vendi yne eshte me I pershtateshmi sepse na udhehoqi nieriu me i pa skrupull qe ka patur shqiperia ai qe na beri antare te organizates islamike ai qe na futi ne vella vrasje ai qe na mori edhe lopen qe vone na I la Ramizi ai qe nuk e di as vete se cfare monstr eshte po shqiptar nuk eshte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *