“Nuk ka asnjë dëm tërmeti në pallatin e dupleksit të Bashës”

Nela

Teksa kreu i Partisë Demokratike është zhvendosur në një nga zonat më të shtrenjta në Shqipëri për të jetuar në vilat e “Long Hill’ në periferi të Tiranës, partia që ai drejton deklaroi se kjo shpërngulje është e përkohshme për shkak të dëmtimeve që ka pësuar banesa e Bashës nga tërmeti i rënë më 21 shtator.

Por kjo deklaratë e Partisë Demokratike hidhet poshtë nga Bashkia e Tiranës.

Zëdhënës të bashkisë bëjnë me dije se tek banesa e familjes Basha tek Stadiumi Kombëtar Qemal Stafa, nuk është bërë asnjë lloj raportimi për dëme nga tërmeti i 21 shtatorit.

Bashkia thotë gjithashtu se Basha nuk ka marrë asnjë aplikim për leje punimesh apo rregullimesh për shkak të tërmetit të rënë disa javë më parë.

“Teksa dihet publikisht qe z. Basha ka ndertuar pa leje kate shtese ne pallatin e tij, në NJA nr. 2, as diten e termetit e as sot nuk eshte deklaruar asnje dem. Per me teper, Administratori i Nj. 2 as nuk ka marre aplikim per punime meremetimesh nga termeti e kesisoj, as nuk ka dhene nje leje te panevojshme e te pakerkuar nga familja Basha.” thuhet në reagimin e bashkisë së Tiranës për mediat.

Me anë të një kërkimi të thjeshtë tek agjencitë imobiliare, mësohet se një shtëpi në zonën ku është shpërngulur Basha kushton mesatarisht 410 mijë euro, e ndërsa për ta marrë me qira kushton rreth 2.4 mijë euro në muaj.

Vilat në këto zonë janë kryesisht dy katëshe, me pishinë dhe në këtë zonë jetojnë diplomatë, bankierë dhe personazhe të njohura të biznesit.

Basha është zhvendosur aty javën e kaluar, por ra në sy pasi me ardhjen e tij në zonë u rritën papritur masat e sigurisë.

Ky kompleks është ndërtuar nga biznesmeni Agron Papuli, i cili është akuzuar nga PD-ja si oligark pranë Ramës.

 

n.s. / dita

Share This Article
6 Comments
  • PSE PD NUK FLET ME PER AGRON PAPULIN

    Më shumë se një vit më parë, në muajin gusht, Partia Demokratike denonconte për të disatën herë, megjithëse ishte mesi i verës, në konferenca të shpeshta për shtyp, Agron Papulin. Një biznesmen të cilin e quajnë shpesh “oligark” dhe “njeriun e Edi Ramës”.

    Në akuzat e bëra nga Flamur Noka, që shihen në linkun e më poshtëm, dhe nga disa të dhëna të nxjerra në konferencat e shtypit të asaj kohe, Agron Papuli akuzohet se ka marrë 20 milionë euro nga qeveria. Kjo nëpërmjet tenderave apo përfitimeve të ardhura për shkak të miqësisë së tij me kryeministrin Edi Rama.

    Në atë kohë PD ishte mjaft e ashpër, por diçka ndodhi…. Askush nuk po flet më për Agron Papulin, njeriun e Edi Ramësn, ortakun e tij, familjarin e tij që qeveria dje i jepte 20 milion euro.

    Çuditërisht në PD ka rënë heshtja, nuk ka më konferenca shtypi kundër Papulit, siç përfliten shumë nga emrat e biznesmenëve që janë të afërt me qeverinë dhe që Basha dhe Republika e Re i quajnë “ortakë të Kryeministrit”.

    Pse janë lënë përgjysëm dhe janë harruar denoncimet për Agron Papulin?

    Këtu ka diçka që nuk shkon. Është njësoj si në rastet e mëparshme që në PD seleksionohen konferencat për shtyp për pazare dhe interesa korruptive. Fillohet një sulm dhe lihet rrugës.

    Shembulli më ekzemplar është ai i “Rrugës së Kombit”, ku u fol ashpër, u futën në burg disa dhjetra të rinj, pas nje proteste, por Lulzim Basha i braktisi, i la burgjeve duke mos e përmendur më as koncesionin e asaj rruge dhe as investitorin e saj.

    Si ky rast janë me dhjetra të tilla për të cilat shpesh akuzohet se Basha i kalon nëpër filtrat e tij korruptiv. I kalon nëpër filtrat e gjobvënies së familjes apo benefite personale, ashtu sikundër është akuzuar dhe për marrëveshjen e tij me kryeministrin Rama, në 17 maj të vitit 2017, ku familja e tij, të afërmit e tij, përfituan rreth 16 milion euro nga taksat e shqiptarëve, pas një gjyqi të shpejtë për një objekt të shembur, ndërtuar në Vlorë.

    Agron Papuli duket qartë se është nga këto rastet selektive të pazareve të Lulzim Bashës

    • Papuli njihet si një nga bashkëpunëtorët e ngushtë dhe miqtë e Kryeministrit gjatë kohës që ky ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, por edhe me vone.

      Për më tepër, së bashku, vite te shkuara, kanë patur edhe shtëpi në Dardhë të Korçës, shtëpi që atëhere u ndërtuan nga një biznesmene korçare me investimin e Agron Papulit.

      Dy vila guri në mes të fshatit Dardhë të Korçës. Vila e Agron Papulit dhe një tjetër në emrin e Rudina Magjistarit, në atë kohë bashkëjetuese e kryeministrit Rama, që atëherë ushtronte detyrën e kryebashkiakut.

      U tha nga Berisha në atë kohë se vila ishte e Kryeministrit, por ajo ishte në emër të Rudinës. Pas ndarjes së Ramës nga Rudina Magjistari, vila u ble nga Agron Papuli dhe, në atë kohë Partia Demokratike i publikoi të gjitha këto dokumenta.

      Tani eshte ndryshe, kur flitet për milionat e eurove të tenderave dhe abuzimeve të institucioneve shtetërore, në interes dhe përfitim të Agron Papulit, Lulzim Basha nuk i përmend më këto dhe nuk thotë asgjë.

      Përkundrazi, ka më shumë se sa një vit e tre muaj që hesht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *