Pse është një libër i ri? Në rrafshin kohor? Nuk është kronologjia një strukturë tepër shtrënguese? Kush e përcakton kohëlindjen e një libri? Vetë libri? Çdo botim është një formë e dukshmërisë. Nëse sytë tanë nuk arrijnë të shohin gjithçka, përse qenka kaq absolute dukshmëria? Sa kometa enden në kozmos që ne nuk do t’i shohim kurrë? Nëse nuk i shohim kjo nuk do të thotë se ato nuk ekzistojnë. Të gjithë shkrimtarët vdesin me libra të padukshëm, që i marrin me vete. Prej tyre mbeten librat e dukshëm, por kjo nuk do të thotë se librat e padukshëm nuk kanë ekzistuar kurrë. Vetë koncepti i librit është si njësi e matematikës. Pra, ne nuk i shpëtojmë filozofisë pitagorike të numërimit. Jeta e njeriut është më tepër e përcaktuar nga harresa. Është e pamundur t’i kujtojmë të gjitha. Sa takime dhe sa biseda kemi bërë para 10 vjetësh, ose para 30 vjetësh dhe që tashmë janë zbardhur në amshim. Dukshmëria nuk i sendërtoi dot. Po kjo nuk do të thotë se ato nuk kanë qenë dhe nuk do të thotë se ato nuk do të jenë. Rebelimi ndaj absolutes është luftë ndaj padukshmërisë. Ky është dhe motivi i shfytyrimit të Krishtit mbi malin Tabor,(Tomor ?) tronditje kjo kolosale dhe e pakufishme për tërë teologjitë e botës. Çdo njeri, qoftë ai që beson, qoftë dhe ateist nopran është një qenie teologjike, sepse arsyeton për ekzistencën, ose jo të Zotit. Në të gjitha këto arsyetime të skajshme ne nuk e dimë se ku janë librat tanë të fshehur. Duket sikur ne i lexojmë librat, në të vërtetë janë librat që na lexojnë ne. Ato janë qenie hibride, herëherë të frikshme, por dhe të mrekullueshme prej letre dhe prej shpirti, me atributin e dyfishtë të dukshmërisë dhe të padukshmërisë. Nëse një libër e botojmë në një datë të caktuar kjo është si të veshësh një kostum të ri dhe gjoja të lindësh në çast edhe si trup. Kuptohet, që trupi është shumë më i vjetër se çdo kostum i ri, më i kryehershëm, më i patjetërsueshëm. Bota nuk ka libra të rinj. Ka vetëm libra pa moshë. Kjo është e vërteta. Nëse nuk e besoni kjo gjë s’lidhet më me mua.
PRINC DHE SKLLAV I DIALEKTIKES
Ja çdo të thotë të jesh princ dhe skllav i dialektikës. Më tremb gjeometrizimi i gjithçkaje dhe i urrej përkufizimet madhështore. Nuk e kuptoj se kjo është një dinakëri, apo një mençuri. Midis këtyre dy skajeve është një substancë inkandeshente, xixëllon dhe shuhet, të tërheq, por edhe të lodh, mendimet shpërthejnë dhe zhduken, idetë përleshen dhe treten. Në këtë gjendje që është me sa duket gjendja më ftillëzuese e gjithçkaje. Mundet të kuptosh diçka, të ripërtërihesh nga brenda emocionalisht dhe të plakesh tragjikisht nga jashtë, të vdesësh për t’u rilindur sipas një ligjësie universale.
Nuk më intereson vetvetja, por e vërteta. E vërteta nuk është vetëm njerëzore, ashtu siç nuk është planeti ynë biologjik, ai që përcakton kozmosin. Rrathët ptolemetikë të lëvizjes së kozmosit janë një metaforë, ndoshta sot një metaforë e vjetër dhe e harruar. Por këto rrathë gjithsesi janë forma librash, janë shkrime, që burojnë nga forca gjeometrike e hapësirave, apo dhe nga asimetria e shpirtrave. Mos i jepni rëndësi shumë shfletimit, apo dhe leximit të çfarëdolloj libri. Bota e rrezeve ultraviolet është e pakapshme nga syri njerëzor. Librat e kësaj bote mund t’i lexojnë sytë e lakuriqëve të natës. Ahere përse janë kaq shumë mendjemëdhenj dhe superiorë njerëzit?
MITI I GLOBALIZMIT
Mitizuesit e globalizmit janë shpesh teorikë, nuk ka fillim të globalizmit, ka një ripërtëritje ciklike, sepse globalizmi ka qenë gjithmonë. Matrica e globalizmit është karakteri antropologjik i jetës. Karakteri antropologjik buron nga të gjitha qytetërimet, popujt dhe gjuhët. Teoritë e racave këtu bien dhe humbasin. Ndërlidhjet midis racave duket sikur krijojnë mutacione të reja. Kemi pamjen e rremë të një unifikimi të shtrëngueshëm, disi të vullnetshëm si në një projekt të Platonit. Por kontradiktat janë aty, më tepër nën sipërfaqe. Edhe atëherë kur duket se forma është gjithçka rebelohet përmbajtja. Fryma dhe lënda nuk janë veç e veç si ato sferat e sistemit të Ptolemeut, që rrotullohen secila për hesap të vet. Progresi teknologjik i Amerikës është një fytyrë e kulturës e shëmbëlltyrës, që paraprin, që u tregon të gjithëve një të ardhme. Epoka e kompjuterizimit dhe internetit na lidh tani jo vetëm me shekullin XXI, por dhe me shekullin XXXI. Por a ka vallë një fatalitet mondializmi? Ku është pragu kritik i kalimit drejt universales, pastaj drejt botërores? Cila është ajo marramendje, që e shtyn botën deri tek abstraksioni i idesë dhe cila është ajo marramendje tjetër, që çon deri tek realizimi i pakushtëzuar i idesë? Këto pyetje të mëdha dhe tmerruese i ka formuluar filozofi Jean Baudrillard. Ai që s’di të mendojë le t’i anashkalojë këto pyetje. Ideja e universales nuk është shpikur tani. Njerëzorja është shndërruar në të vetmen instancë reference dhe meqenëse njerëzimi imanent në vetvete ka zënë vendin e lënë bosh nga Zoti i vdekur, njerëzorja mbretëron qysh atëherë e vetme, por nuk ka arsye përfundimtare. Duke mos patur më armik, ajo e pjell atë nga brenda dhe fsheh gjithfarëlloj metastazash jo njerëzore. Lëvizjet kundër mondializmit kanë për objektiv frenimin e çrregullimit. Kjo është një peripeci e brendshme dhe tragjike e lojës së sistemit planetar. Bashkësia botërore bëhet kështu një problematikë me pyetje dhe përgjigje që lidhin njëra-tjetrën pambarimisht, por nuk bëhet fjalë për një tronditje, apo shok qytetërimesh, por nënkuptohet një përballim, që është antropologjik ku forcat integriste nuk mund t’i mohojnë dot të veçantat, qoftë edhe si herezi të pakëndshme dhe bezdisëse. Globalizmi mbështetet te arritjet e modernitetit, por dhe te një strukturë e re mendore e ekuivalencës së gjithë kulturave. Kjo mund të jetë një rilindje, ose një pasiguri. Gjithçka që krijon ngjarje e sfidon universalitetin abstrakt, por nuk mund të zgjidhë përfundimisht sekretet dhe alternativat e historisë, qoftë si koncept singular, qoftë si koncept plural. Në këtë rrafsh duhet parë dualizmi zarathustrian i së Mirës dhe i së Keqes. Ky është një reaksion dhe proces zinxhir, i pandalshëm, kur mendimi kërkon një iluminim të formave kolektive etnike dhe religjioze, gjuhësore, por dhe të formave individuale të karakterit dhe atyre neurotike. Duket sikur sot gjendemi në kushtet e mungesës së një realiteti siç ai konsiderohej deri në shekullin XIX, në vend të tij kemi një rrjet informativ dhe virtual, që tashmë operon jashtë mundësive dhe kapaciteteve njerëzore për ta parandaluar, apo për ta kontrolluar. Ky është një lloj kriticizmi dekartian. Ti kërkon të verifikosh, sepse je i pasigurt. Gjërat kanë ndryshuar shumë në këtë fillim të shekullit XXI. Gjërat nuk mund të jenë kurrë ashtu siç kanë qenë dikur, ka përsëritje, por jo tautologji. Shkencat pozitiviste janë në një krizë, duket se filozofia ka vdekur, asnjë nga shkollat filozofike të së kaluarës nuk janë të afta të konstruktojnë mbushamendjen e të gjithëve dhe të secilit
SOKRATI, PESHK ELEKTRIK
Kam lexuar disa libra të filozofit amerikan James Hillman. Ky filozof është përfaqësuesi më në zë i psikanalizës dhe i filozofisë bashkëkohore. Ai përdor si moto këtë frazë: “Ti, o Sokrat, i ngjan atij peshkut elektrik të detit, kur fillon të flasësh, ne ndjejmë dridhje në trup”. Hillman nuk ka profesion, por është mendimtar i mirëfilltë. Ai është quajtur njëri prej shëruesve shpirtërorë më të vërtetë dhe më të thellë të epokës sonë. Të tjerë e kanë quajtur një perëndimor skeptik, thjesht një ikonoklast. Hillman e hedh poshtë tezën e një materializimi të psikikës. Ai i rikthehet miteve të lashta, është i bindur se mekanizmi mitologjizues vepron fuqishëm. Sipas Hillmanit duart tona nuk na lidhin më drejtpërdrejt me botën materiale, ne shtypim taste me gishta, nuk e përdorim krejt trupin tonë kur punojmë, as kur bëhet fjalë për një punë mekanike. Për më tepër puna është gishtëruar – është bërë punë gishtore. Në Amerikë, edhe kur nisim një makinë, ndërrimi i marsheve në të shumtën e herëve është automatik. Në këtë mënyrë po largohemi përherë e më tepër prej materies, prej substancës. Familja, raporti me trupin, lidhjen e gjakut, raportet dhe detyrimet e ndryshme shoqërore janë copëzuar. Tashmë janë krijuar lloje të ndryshme lidhjesh virtuale me emrin “net working”. Por këto rrjete na lidhin veçse me qenie pa trup. Kjo është dhe arsyeja pse shkojmë për pushime në vendet e egra me natyrë të virgjër, sepse kemi nevojë të rigjejmë trupin tonë. Fëmijët ndërmjet filmave vizatimorë njohin Tomin dhe Xherin, Batmanin, por nuk njohin Adamin dhe Evën, Aleksandrin e Madh, apo Khajamit, as Aristotelin dhe Napoleonin. Ekziston rreziku tek një injorancë e re, jo aq e lidhur me analfabetizmin, por e humbjes së pikave referuese serioze, që po i mëson masat me banalitetin duke ia dorëzuar kështu të gatshme demagogjisë dhe populizmit. Përherë e më tepër po flitet për një kulturë të vdekjes të përforcuar në formën e katastrofës ekologjike, SIDA-s, virusit të Ebolës. Për më tepër figura e Antikrishtit sot është identifikuar me Terroristin. Terrorizmi tashmë është një Apokalips krejt i ndryshëm nga Apokalipsi biblik, por idetë e progresit nuk mund të shfajësohen prej ankthit terrorist. Duhet menduar për botën, sipas parabolës së Krishtit, duke veçuar Cezarin nga Zoti. Sendet po e sundojnë jetën tonë, kurse sendi i sendeve, Paraja, ka shkretëtirëzuar shpirtrat. Dikur filozofi i vjetër grek Taleti ka thënë se të gjitha gjërat janë të mbushura me hyjni. Ne mund të shtojmë, apo të saktësojmë: të mbushura me shpirt. Tendenca për një higjienë mendore, thjesht teknologjike na ka larguar nga nostalgjia dhe nga shpirtëzimi i sendeve. Shumë hyjni pagane sot kanë marrë një pamje tjetër. Hyu Mars, thotë Hillman, udhëheq operacionet ushtarake, pornografia përbën pushtetin e Afërditës. Hermesin mund ta gjejmë kudo: fluturon nëpër eter, udhëton, telefonon, kalon çdo kufi. Veçanërisht Hermesin e has në tregun monetar, meqenëse në botën kapitaliste të gjithë investojnë në bursë, të gjithë shkëmbejnë, shkojnë në bankë, tregtojnë, shesin, blejnë. Natyrisht të mos harrojmë ekzistencën e World Wide Web – Rrjetin Botëror të Internetit. Kjo sëmundje hermesike, kjo mbidozë, ky monoteizëm i Hermesit është një tepri e tij. Pra, sot më shumë se kurrë është e nevojshme një terapi psikike. Vetëm shpresa mund të na ringjallë, të na ribëjë, mbase dhe të na rishpikë. Është e nevojshme një Umwertung, rivlerësim i vlerave. Hillmani ka shpallur me pikëllim “rënien e perandorisë romake të Unit”. Hillman i përbuz mistikët, por beson tek kuptimi i vërtetë i botës. Zhvillimi i qytetërimeve nuk duhet të jetë një proces patologjik. Mendimi kërcënohet nga paranojat, idealizmi fuqidhënës dhe morali duket sikur kanë shterruar, ndjejmë të gjithë një meditatio mortis kur duhet të ndjenim një meditatio vitae. Për Hillmanin lumturia njerëzore e kapërcen teknologjinë. Është interesante që një filozof amerikan kaq i njohur në botë si Hillman mendon kështu. Kjo do të thotë që shpresa asnjëherë nuk do të zhbëhet.
POETET BITNIKE
Bitnikët janë kundër poezisë malameriane “të pastër”. Për bitnikët poezia moderne është një lloj tjetër proze, ose një muzikë dedakofonike si e Shenbergut e fjalëve. Më saktë bëhet fjalë për një muzikë fiktive. Ata i psalmojnë ankthet e tyre. Kanë idhull Bllejkun por dhe muzikantët e xhazit. Poezitë e tyre janë të ngjashme me skulpturat moderne, shpesh të paplota. Kanë një ironi të heshtur dhe një intensitet të nënkuptuar. Ata e besojnë idenë e Ezra Paundit që ka thënë se në kohën e dekadencës, poezia e ndan veten nga muzika dhe në këtë mënyrë bota shkon drejt ankthit të saj jo me këngë por me rënkim. Poezia e bitnikëve ndryshoi tërë poezinë e planetit. Por shpesh protesta e tyre është keqkuptuar madje është politizuar. E kuptoj ndryshe këtë gjë. Poezia e bitnikëve është një performancë, ose si piktura dixhitale bashkëkohore. Poezia e bitnikëve mua më kujton filmin “Matriks”, personazhin Neo, heroin e aventurës së re që lufton gjithmonë duke jetuar midis dy botëve, asaj reale, post atomike, ku inteligjencat artificiale kultivojnë “plantacione” qeniesh njerëzore për të thithur energjinë e tyre dhe asaj virtuale, pra Matrixi ku mendja njerëzore është shkëputur nga trupi jeton iluzionin e të përditshmes.
A nuk çon ky shteg ndjesor tek paradigmat e reja mendore? Poezia evropiane nuk është e ngjashme me atë të bitnikëve. I fundmi poet i madh i Evropës është me sa duket poeti francez Sent Xhon Pers. Ai ka shndërruar psallmet biblike në një apoteozë. Poezia evropiane duket sikur e ka humbur forcën për të mbijetuar ndërmjet një identiteti të përcaktuar. Poetët amerikanë janë më konkretë. Ata dinë se ç’kërkojnë. Poetët evropianë janë më abstraktë, ata nuk dinë se ç’kërkojnë. Natyrisht këto përcaktime janë tepër të thjeshtëzuara, pra nuk mund të parapëlqehen. Poezia shqiptare është ende në fillim të modernitetit të vërtetë. Ajo ende nuk ka shpëtuar nga struktura pastorale, ose ka degjeneruar në një kaos egocentrik. Poetët shqiptarë nuk kanë projekte të mëdha të mëvetshme. Pa këtë vizion nuk mund të ketë poezi të së ardhmes. Shumica e poetëve janë delirantë dhe mendjemëdhenj por pa krijime të vërteta dhe të spikatura. Liria e krijimit nuk ka çuar dot drejt farkëtimit dhe luçidimit të individualiteteve të spikatura. Në të vërtetë liria e krijimit është kthyer në një iluzion të lirisë.
SHKENCA E FJALEVE
Të shkruarit është kuptimi i fjalëve por fjalët nuk duhet mitizuar. Filozofi i madh i sotëm është Vitgenshttejn. Madje ai mendohet se është filozofi më i rëndësishëm i shekullit XX. Ai ka sendërtuar teorinë e atomizmit logjik si dhe teorinë e deskripcioneve. Ai merret me analizën e fjalëve ku gjen kuptime të ndryshme të stresuara, shumë predikate dhe paradokse. Me fjalë të tilla të paqarta nuk mund të ketë kuptime të qarta. Logjika është një element shtjellimi sistematik drejt vlerësimit të së vërtetës. Gjuha logjike duhet të jetë transparente dhe të identifikohet me këtë të vërtetë. Por fjalët janë shpesh paradigma dhe tautologji funksionale të së vërtetës. Ai shtjellon tezën e karakterit publik të kuptimit që lidhet me teoritë empirike të së vërtetës. Fjalët nuk janë normative, por gjithsesi duhet synuar drejt një nominalizmi të ri, si dhe drejt theksimit të argumenteve të gjuhës vetjake. Për këtë filozof në analizën e botës ka përparësi veta e tretë, kurse kur nisesh nga veta e parë subjektiviteti është më i rrezikshëm dhe më hutues. Gjithmonë kam menduar se filozofitë që lindin dhe burojnë nga gjuhësia duhen marrë parasysh. Kuptimet e papranueshme të fjalëve janë si paragjykimet që kolonizojnë idetë tona. Shkenca e fjalëve është tunduese, eksploruese, pyetëse, nxë shumë duke kryer. Çomski thoshte se nuk ka rëndësi se çfarë mbulojmë por çfarë zbulojmë. Kufizimet në shkallën tonë të njohjes janë ide sipërfaqësore të racionalitetit që shkatërrojnë plotfuqishmërinë e mendimit perëndimor. Tirania e fjalëve është trupëzim i plogështisë dhe qëndrimit në vend, prandaj fjalët duhen “shpërthyer”.
Ashtu si në fizikën nukleare duhet bërë “shpërthimi” jo vetëm në anglisht, por dhe “shpërthimi” në shqip. Është një kaleidoskop i dyfishtë. Është marramendës. Një statikë mikroskopike, një rindërtim i lëvizshëm i realiteteve, një lloj inteligjence e re, një shumësi sysh që hapen dhe mbyllen për të parë sa më tepër, pafundësisht. Një fjalë në anglisht mund të zbërthehet në një frazë të tërë në shqip dhe e ndërsjellta, një frazë në anglisht mund të koncentrohet me një fjalë të vetme në shqip. Hapësira dhe koha shkrihen, ribëhen, teknikat lineare të fjalës shkatërrohen, triumfon konvencionaliteti, pa kaluar asnjëherë në një abstraksion apo tek nocioni i zeros. Duket sikur mendimi krijon arabeska, kalohet në një transcedentalizëm fizik dhe njëkohësisht kritik. Imagjinoni një reliev babilonas ku figurat lëvizin ashtu si njerëzit e gjallë. Kjo do të thotë që skulptura mund të shndërrohet në mendim, shpirti bëhet serumi jetëkrijues i të gjitha sendeve, apo botëve të ngurta. Vetëm në këtë mënyrë poezia përafërsohet me inxhinierinë gjenetike.
POETIKJA SI REVOLUCION
Ju kujtohen pikturat e Hieronymus Bosch? Ato tregojnë një frikë të vjetër: tmerrin e shkaktuar nga përzierja e një njeriu me natyrën, një burrë me kokë derri, një kalë me kokë luani, apo një peshk me kokën e Mona Lizës. Kështu ftillëzohet edhe surrealizmi. Sikur të gjenim një gen që vetëm me anë të tij të mund të rindërtojmë trurin e Çarli Çaplinit, apo të Georg Traklit. Nga kjo pikëpamje mund të themi se dhe arti nuk është i shkëputur nga shkenca dhe se të dy këto entitete mund të harmonizohen tek fjalët. Thuhet se secili njeri ka disa statuja brenda vetes, ato të paraardhësve të vet. Plasticiteti i tyre është më tepër mendor. Ndoshta kemi hyrë në epokën e një ridimensionimi të ri të poezisë. Pse e them këtë? Marketingu e varfëron gjuhën njerëzore. Gjuha e shitblerjes është e vetëmjaftueshme edhe me 50 fjalë. Duket sikur zhduken fjalorët, bëhen të padobishëm dhe të kotë. Në këtë mënyrë do të zbardheshin trutë e secilit. Atëherë poezia është e vetmja alternativë shpëtimi, që parakupton një ringjallje të të gjitha fjalëve, madje dhe një shumëfishim të fjalëve. Nuk besoj se poezia do të zhduket. Kompjuterizimi është mekanik. Poezia nuk është mekanike. Mund të flitet për një teknologji të dyfishtë fizike por edhe shpirtërore. Shpirtërore do të thotë poetike. Poetikja është revolucioni që sfidon vulgaritetin e llahtarshëm. Sejcili dialog është një kërkesë, është një grishje, është një ftesë për arsyetim të thellë, është një prirje kundër robotizimit, kundër keqkuptimit të kibernetikës dhe ligjeve të logjikës njerëzore.

Respekt per Moikomin, por me duket se per keto probleme jane te pakte njerezit qe lexojne, por edhe qe kuptojne. Dal ne dritaren e pallatit per te pire nje cigare dhe shikoj ne rruge femra me femije qe e mbajne per nje dore apo ne karroc dhe ne doren tjeter duke punuar me celularin; shpesh e here i rremben femija ndersa ato jane te zhytura brenda celularit, ne rruge, ne metro, ne autobus, ne radhe per ndonje hamburger, deri sa hyjne ne dyer te zyrave brenda… Shpesh me ka ndodhur qe ose jam shmangur une, ose kur nuk i kam pare, jam perplasur me to dhe thjeshte nje kerkim ndjese pa e kuptuar dhe largohen. Pra keta nuk e ndjejne me nevojen e te njohurit dhe rrugen e njeriut, por rruget e imagjinates qe jane edhe s’jane rruge te se vertetes. Jeta keshtu do vazhdoje. Si thote populli i mençur: I mblodhen njerezit bashke dhe moren te gjitha mendjet e tyre dhe u a çuan perpara, seicili u turr te merrte mendjen e tij se mos i kte…