Nuk ka “xheneral” në Myzeqe     

Ornela

Nuri Plaku*

“Nuk ka xheneral në Myzeqe, jooo!- thoshte shpesh Avram Bardhi dhe kjo thënie proverbiale e shprehur me revoltë të thellë dëshpërimi, u bë ngushëllimi filozofik i jetës së tij të thjeshtë. Esenca e saj përbënte thelbin e një krize të identitetit krahinor fusharak e cila sipas tij, konsiderohej “lalëri”dhe trajtohej në mënyrë të diferencuar nga krahinat e tjera periferike. Ai kishte investuar shumë në jetë por nuk ishte shpërblyer aq sa duhej prej saj dhe kjo diferencë e futi në një kontradiktë të përhershme me shoqërinë.

Avram Marko Bardhi u lind në vitin 1909 në Daullas të Fierit, komuna e Libofshës.    Në vitin 1932 u mobilizua në radhët e xhandarmërisë shqiptare dhe fillimisht shërbeu në Peqin e një vit më vonë, më 1933, u transferua në Libohovë të Gjirokastrës ku qendroi deri në mesin e Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1943 e braktisi detyrën dhe kaloi në radhët partizane. U rreshtua në Gr. III. Fier – Mallakastër pastaj kaloi në Br. XVI S. Aty kishte detyrën e mitralierit dhe merrte pozicionet kyçe të frontit duke u bërë herë-herë edhe faktor i rëndësishëm i fitoreve. Me mjeshtërinë profesionale të armës dhe aftësinë e një snajperi të lindur, ai u kthye shumë shpejt në një “luan” llogoresh. Shokët dhe komanda e njësisë e mbanin si kryeheroin e tyre.

Avram Bardhi

Mbas luftës u kthye në fshat dhe si gjithë të tjerët filloi të bënte jetën e thjeshtë të bujkut. Pikërisht në këtë periudhë ndodhi çudia. Gojët e liga pëshpërisnin lart e poshtë se Avrami kishte qenë më shumë xhandar se partizan. Kontributi i tij luftarak filloi të zbehej e titullarët e shtetit heshtnin. Jetën e tij e ndanë më dysh duke i ngjyrosur me dy ngjyra të kundërta; bardhë e zi. Periudha e xhandarmërisë u lye me të zezë ndërsa ajo e luftës me të bardhë. Ishin dy gjysma që përplaseshin në përditshmërinë e Avramit dhe prishnin ekuilibrin e gjërave. Dy gjysmat kishin hyrë në përplasje të përhershme me njëra tjetrën dhe në jetën e tij nuk kishte më paqe. Kishte luftë, luftë dëshpëruese pa front e pa llogore. Madje pas ca vitesh gjysma e zezë filloi të villte ngjyrën e të bënte pisë gjysmën e bardhë. Asnjë trajtim, asnjë vend pune me rrogë “në shtet” siç thuhej atëhere. Ndërkohë, gjithë shokët e luftës ishin sistemuar në poste të rëndësishme drejtuese. Rrapo Kuka psh. ish xhandar si ai dhe me shkollë fillore ishte bërë Kryetar i Komitetit të Roskovecit. Ndërsa atij i ofronin heshtje dhe vetëm heshtje… Madje nuk e thërrisnin as në ceremonitë festive të luftës. Ai që duhej të ishte ndër të parët, mbeti krejtësisht i mënjanuar. “Këta e bëjnë punën avra-gavra Avram, – thoshte me vete dhe heshtëte.” Tashmë në shpirtin e tij ishte hapur një plagë e thellë që kullonte helm. Nga buronte vallë ai helm? Cili kanun e ushqente atë mëri shteti? Ai kishte qenë aq trim sa ua kalonte edhe gjeneralëve që lufta i bëri me spaleta por koha ua nxori shumë shpejtë bojën. Ndërsa tani fatkeqësisht këtë kontribut ja mohonin. Mos vallë i kishte shkelur në kallo të mëdhenjve? Jo, silleshin ashtu se ai nuk shkelte në dërrasë të kalbur, nuk shfaqej, nuk vardisej, nuk servilosej. Ata nuk i donin drurë të tillë “pa molë,”siç ishte ai, ata donin “purteka shelgu” që tju përkuleshin para këmbëve. Por ai nuk përkulej! Ai kishte nurin e vetë të fisnikut që i bënte dritë nga brenda dhe nëpërmjet asaj drite shikonte gjithë prapësitë e ndohtësirat e vërteta të shtetit. Dhe pikërisht ai që duhet të ishte një ndër të parët, dalëngadalë u radhit ndër kundërshtarët e atij pushteti. Tashmë nga plaga e tij e thellë, kullonte e nuk shterte helmi i zi i mërisë.

– Jo, Kakomadhja jooo, nuk ka xheneral në Myzeqe!

Kakomadhja ishte kunata e tij, nusja e vëllait të vogël që ai e trajtonte si vajzën e vetë. Kur ishte me shërbim në Libohovë zuri miqësi me një kolegun e tij nga fisi i Zejnove i cili kishte një vajzë të bukur të cilën Avrami e kërkoi nuse për të vëllanë. Krushnjija u bë. Vajza zbriti nuse në dherat e butë të anëdetit ku dielli, sapo lindëte bekonte në fillim qiparisat e Ardenicës pastaj të gjallët e Zotit. Vajza quhej Argjiro dhe ai e thërriste me përkëdheli “vajza e kalasë.”Edhe Argjiroja ishte një grua “kala” me shpirt e traditë të lartë që dallohej mes gjindjes. Me vete krahas pajës së nusërisë mori edhe traditën e trevës dhe krijoi një shtresim kulturor në familje dhe fis. Kur shkonte për kafen e mëngjezit tek i vëllai, Avrami thërriste që tek porta.

Nuri Plaku

– Hajde Zooot! – i përgjigjej e kunata.  Nuk i thoshte as Avram as zoti Avram.  Se Avrami ishte vërtet një zot mbi dhe i hijshëm dhe plot nder e fisnikëri. Jo vetëm fisi por edhe fshati e mbante model. Por “Zoti”ngacmohej nga fjalët e saj dhe tek ndjente t’i rridhte plaga helmin e zi përgjigjej:

–  Jooo Kakomidhja, joooo, nuk ka xheneral në Myzeqe!”

Kakomidhja heshtëte si me pikëllim nga këto fjalë me ngjyrim ushtarak. Heshtnin edhe ata që e dëgjonin, heshtnin edhe fëmijët që lindnin e rriteshin në shtëpinë e Bardhenjëve… “Zoti” i tyre ishte në konflikt me shtetin. Në performancën e tij shfaqej gëzofi i një burri të hijshëm myzeqar nga ata trima të heshtur plot vitalitet që ndoshta e gjejnë shëmbëlltyrën e vet tek Bubutima,  personazhi i romanit të Mitrush Kutelit, “E madhe është gjëma e mëkatit”, Bubutima hyri në konflikt me Zotin dhe nuk u dorëzua. Avrami hyri në konflikt me shtetin dhe nuk u dorëzua. Vetëm rrinte e vështronte me dhimbje shenjën e vetë shpirtërore të arrestuar nën vargojtë e diktaturës që kishte filluar të hante pjellën e vetë. Dhe heshtëte i revoltuar. “Jo, Kakomadhja jooo, nuk ka xheneral në Myzeqe!”

“Lëta e bënë luftën avra – gavra Avram!…” thoshte me vete. Ky togfjalësh ishte një kod që deshifronte botën e tij dhe mendimet e hidhura për qeverinë. Për ata që bënë luftën dhe erdhën në pushtet pas saj. Për ata që i harruan pastaj luftëtarët e vërtetë dhe u bënë “luftëtarët” e yshyrateve. Për ata që tradhëtuan idealet, për ata që tradhëtuan gjakun e të rënëve. Kishte qen xhandar. Sa xhandar kishte pasur më parë dhe ishin futur në luftë? A nuk kishte qenë xhandar edhe Zylyftari nga Veleshnja e Skraparit? Po Kuka nga Kurjani i Mallakastrës nuk kishte qen xhandar si ai? Me qindra, me mijra… popull. Jooo, joooo! Jo! Ata e bën punën avra-gavra Avram se ti nuk je nga Skrapari, as nga Mallakastra si ata. Ti je lal nga Myzeqeja, e nuk të duan. Nuk ka xheneral nga Myzeqeja jooooo!” Dhe heshtëte e kridhej në një psherëtimë të thellë dëshpëruese. Truri i tij bluante mendime, pyetje dhe dilema të shumta  e i kthente në gjykime filozofike. Zhbironte rrënjët e arsyes. Ishte kthyer në një “mulli” sokratik. Gjykonte dhe filozofonte. Filozofonte dhe heshtëte. Dhe heshtjen e thyente vetëm me sloganin e tij të njohur. “Jooo, Kakomadhja jooo, nuk ka xheneral në Myzeqe!”

Ai tashmë po luftonte përditë me ndërgjegjen e vetë. Ishte lufta më e vështirë që zhvillohej në frontin e padrejtësive shoqërore. Ai kishte mbetur atje, tek idealet e luftës dhe çdo gjë e maste me këto ideale. Kjo luftë e kishte detyruar të kalonte në tri shtigje zjarresh që mënd e dogjën të gjallë.

Shtegu i parë ishin detyrimi për tatimet. Taksazhinjtë e shtetit dilnin më të egër se qehajajt e bejlerëve të dikurshëm. Dhe ai e tha këtë, ua tha atyre që erdhën dhe ata i thanë fjalët e tij një për një në Komitetin e Partisë. Kaq mjaftoi dhe flakët e zjarrit ju harlisën nëpër trup. U desh të rishfaqej jehona e dikurshme e mitralozit, tashmë si kumbim biografik, që të fashiteshin flakët përzhëlitëse.

    Shtegu i dytë ishte ngritja e kooperativës. Reforma agrare që ishte premtuar gjatë luftës u bë realitet. Sa herë hynte në llogore dhe gjuante me mitraloz, Avramit i shfaqeshin para syve arat e premtuara që bleronin nga gruri dhe kthehej xhind nga fuqia. Por pastaj erdhi zhgënjimi. Tokën ua morën prapë dhe bën kooperativën.“Për kooperativën luftuam ne?”kishte thënë atëherë me dëshpërim. Dhe ishte përleshur me veten. Se kush tha që Avrami ka mbeturina mikroborgjeze dhe akoma nuk i është tretur dhjami xhandarllëkut në trup. Këtë herë kumbimi i mitralozit heshti. Bashkë me mitralozin heshtën edhe ata, të deleguarit e Komitetit të Partisë së rrethit. Dhe heshtja e tyre ishte më e rëndë se plumbi. Nuk e thërrisnin nëpër takime veteranësh, as në takime me nxënës shkollash, as në festat e kooperativës. Kjo do të thoshte se i mohuan edhe luftën që kishte bërë. E bënin për ta vdekur pak nga pak. Dhe ai e ndjente se çdo ditë po bëhej asgjë. Ky ishte raporti me shtetin, ndërsa me fshatin ishte ndryshe. Ata e nderonin dhe i gëzoheshin karakterit të tij. Avrami ngushëllohej me ata.

Shtegu i tretë ishin votimet. Tashmë e kishte radhën ai. Do të hakmerrej me votën. Nuk i donte dhe këtë duhej tua thoshte me votë, jo me fjalë. Dhe ai nuk votoi. Por kjo ishte një hakmarrje e papranueshme për shtetin. Ishte një luftë e hapur, luftë e shpallur. Dhe ata sërish heshtën. Nuk e arrestonin se ai ishte mitralieri i dikurshëm, ishte si një zot, e mbi të gjitha nuk binte pre e provokimeve.

Por një ditë dhan alarmin. Nëse këtë herë Avrami nuk votonte, hakmarrja do të binte mbi djemtë, nipërit e mbesat, do tja digjnin gjithë fisin. Tashmë luani i dikurshëm i llogoreve u vu përball tërheqjes. Kjo e bëri të dridhej. Këtë shteg nuk do ta kalonte sërish. Netëve zgjohej i djersirë nën krismat buçitëse të mitralozit që çuditërish ja kishin marrë nga duartë dhe ja kishin drejtuar grykën në gjoks. Gryka zgjerohej e zgjerohej dhe nga brendësia e saj vërshonte një fjollë terri që kthehej në gjarpër të zi e përpiqej ta kafshonte. Dhe, pas kësaj ëndrre që ju shfaq, njëri nga nipërit i çoi në shtëpi kutinë e votimit. Ai e pa gjatë në sy. Ishte djali i Argjirosë, djali i Kakomadhes.

– Fëmija të çon në derë të hasmit! –  I tha të nipit.

Dhe votoi. Por fleta e votimit të tij ishte letra më me pa shpirt që kishte mbajtur ndonjëherë në duar.

Avram Bardhi u nda nga jeta në vitin 1989.U nda në hasmëri të përjetshme me shtetin e tij. Dhe nga kjo “hasmëri”ai la kujtimet e pashlyera të një disidence të heshtur që kaloi në tri shtigje zjarri të diktaturës më të egër në Europë. Tashmë ai mbetet një figurë e thjeshtë por krenare që kujtohet me aq nderim e respekt nga banorët e zonës, veçanërisht për thënien e tij proverbiale dhe aq të njohur: “Jo, Kakomadhja jooo, nuk ka xheneral në Myzeqe!”Por ishte pikërisht kjo luftë e guximshme që ai bëri në mënyrë sistematike me regjimin që e “gradoi” atë moralisht në një gjeneral të vërtetë të disidencës moniste në Myzeqe.

*Drejtor i Muzeut Historik Fier

 

Share This Article
4 Comments
  • Aferim Nuri Plaku,,Kush e ka vuajtur kete brenge,e kupton se ke skicuar nje JETE.
    Kjo skice mund te krahasohet me Mumune e Turgenievit.
    Tabelat e emulacionit me brigadjere te dalluar,me traktoriste pararoje,nuk i afrohen ketij portreti qe mban dhimbjen njerezore.

  • E po ai sekretar i PPSH qe ndeshkonte “xheneralet” e Myzeqese sot jeton per mrekulli ne SHBA me karten e te persekutuarit!
    E quajne Halit Elezi,sekretar i PPSH, Lushnje ,qe bente demaskimet ne popull i atyre qe do futeshin ne burg me vone!

    • Ha ha haaaa ky sekretar i PPSH ,Halit Haleja Elezi,tani po ben edhe nje liber kushtuar te persekutuarve!
      O tempora,o mores!
      Pse nuk kerkojne keta te shoqates se tyre qe ta perzene kete felliqesire nga SHBA?

  • Ha ha haaaa ky sekretar i PPSH ,Halit Haleja Elezi,tani po ben edhe nje liber kushtuar te persekutuarve!
    O tempora,o mores!
    Pse nuk kerkojne keta te shoqates se tyre qe ta perzene kete felliqesire nga SHBA?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *