Nga Yzeir Llanaj*
Mbas prononcimit që dhashë pak ditë më parë, edhe në emër të Shoqatës “Polifonia Shqiptare”, kundër një deklarate të z. Panajot Barka në takimin e Federatës Epirote, se “isopolifonia është greke dhe se shteti grek duhet të ankohet në UNESKO për t’ia hequr Shqipërisë si vlerë trashëgimore e njerëzimit”, – erdhi edhe një reagim i gjatë i tij në një gazetë të përditshme, ku ishte thirrur për të dhënë “një analizë shkencore” mbi origjinën e polifonisë.
Meqenëse në këtë shkrim të stërholluar të z.Barka jepeshin shumë hollësira historike e etnomuzikologjike, prita ndonjë reagim të specialistëve të fushës, si historianë e muzikologë shqiptarë, që me argumente të vërtetë shkencorë të hidhnin poshtë atë sipas mendimit tim është një spekulim mjaft i rëndë kundër vlerave dhe çështjes kombëtare.
Por, pasi kjo gjë kaloi në heshtje, e ndjeva detyrim dhe përgjegjësi morale edhe si bartës autentik i polifonisë, por edhe si shqiptar, që të shprehem përsëri për të mos e lënë pa përgjigje një sulm të pabesë që bëhet ndaj historisë dhe ndaj trashëgimisë sonë kulturore. Aq më tepër që këtë person, megjithëse ka titullin e profesorit, askush nuk e njeh si specialist të etnomuzikologjisë apo të historisë. Ndoshta është dikush tjetër që e ka përgatitur dhe ka vënë emrin e tij, por kjo pak rëndësi ka, pasi shkrimi është botuar dhe helmi kundër kësaj vlere kulturore shqiptare është derdhur.
Natyrisht nuk më takon mua të merrem me argumentet historike që paraqiten në atë shkrim, por di të them se nëse për Barkën Epiri është grek e si rrjedhojë edhe polifonia është “greke”. Po Epiri nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë grek, pasi historikisht shqiptarët kanë qenë banorët e vetëm të Epirit dhe vetëm mbas krijimit të shtetit grek dhe mbasi këto toka u përvetësuan nga shteti grek, një pjesë e popullsisë së tij u përzu me dhunë e pjesa tjetër u greqizua po me dhunë përmes kishës e arsimimit. Epiri ka qenë pjesë e Shqipërisë ndër shekuj dhe prandaj në të gjithë atë territor është kënduar edhe polifonia, apo “shumëzërëshi”, apo “vendçja” në shqip. Po të ishte polifonia greke, pse nuk këndohet ajo edhe në krahina të tjera të Greqisë? A di të na thotë z. Barka se ku tjetër këndohet polifonia, se po të ishte greke, ajo s’kishte si të kufizohej vetëm në këtë zonë.
Në prononcimin e parë, unë kam thënë se polifoninë në Greqi e kanë mbartur arvanitët, domethënë shqiptarët e Greqisë, por Barkës duket se kjo i ka djegur, pasi “argumenton” se ata nuk e këndojnë polifoninë, por ajo këndohet vetëm në Epir. Kjo shpjegohet kollaj, pasi jo të gjithë arvanitët e kanë origjinën nga Epiri, por edhe nga vise të tjera shqiptare, ku realisht nuk është trashëguar ky lloj të kënduari. Por që në Epir këndohet nga shqiptarët, edhe pse ndoshta këto dekada në greqisht, kjo është pa diskutim.
Panajoti në shkrim kërkon t’i mveshë polifoninë grekëve të lashtë, pastaj korit të kishës bizantine, duke iu referuar “studimeve” të atij që e solli në këtë gjendje polifoninë duke i shtuar bishtin “iso”, domethënë Vaso Toles, por nëse është e vërtetë kjo, atëhere grekët e sotëm nuk kanë lidhje me grekët e lashtë sepse nuk këndojnë polifoni, e as me kishën bizantine pasi nuk e paskan trashëguar këtë vlerë “greke” si polifonia. Si paska mundësi që shqiptarët e kanë trashëguar këtë element të kishës bizantine, ndërsa grekët jo?
Përpjekja më tej për të shpjeguar origjinën greke të polifonisë shqiptare me emrin që e paska në greqisht, ky emër i është dhënë nga specialistët e muzikës pasi në popull ajo nuk është njohur me këtë emër, por i është thënë sipas vendit, herë “shumëzërësh”, herë “vendçe”, herë “labçe”, ashtu siç flitet në anët tona të Labërisë e Toskërisë. Një shërbim të mirë veç e bën ky zotëria, pasi kundërshton Vaso Tolen që i ka shtuar atë bishtin “iso” polifonisë, duke ia vënë në ballë. Gjë që prej 10 vitesh ne si shoqatë e shumë muzikologë e studiues të tjerë shqiptarë e kanë kundërshtuar me këmbëngulje. Nga ana tjetër, ai përpiqet ta lidhë këtë emër me diktaturën enveriste dhe promovimin e madh të kësaj vlere me atë periudhë, dhe thotë se emërtesat shqiptare nuk zunë vend. Në fakt në popull nuk zuri vend dhe nuk ngjiti pikërisht emri polifoni, pse tingëllonte i huaj si për bartësit e saj ashtu edhe për popullin mbarë që tradicionalisht i kishte thënë ashtu siç dinte vetë. Pastaj polifonia apo “shumëzërëshi” nuk u shpik apo nuk u mor si vlerë në kohë të diktaturës, por është kënduar që prej kohësh që s’mbahen mend në të gjitha trevat e Labërisë e Toskërisë, si bashkudhëtare e pandashme e shpirtit popullor. Ajo ka lindur dhe është kultivuar gjatë gjithë jetës së këtij populli, duke u bërë njësh me të e duke shprehur mallin, brengën, gëzimin e harenë e tij, e jo “vajtimin” siç pretendojnë Barka apo edhe Vaso Tole në ngjasim të “kuajve të Akilit”.
Tek kulloste bagëtinë, nën fëshfërimën e pemëve, nën aromën e lëndinave, nën gurgullimën e përrenjve, shqiptari i këtyre trevave ia merrte këngës, e cila pritej e shoqërohej nga jehonat e maleve e të luginave, mblidheshin pastaj bashkë në gëzime, ndër kuvende, ndër derte, e së bashku ia merrnin “vendçe”. E ku e gjeti ai mes maleve e gërxheve modelin grek që ta huazonte, e si ka mundësi që ajo më pas të shprehte ndjenjat dhe shpirtin e tij, kur ishte diçka e huaj për të?! Po korin e kishës bizantine ku e gjeti ai bariu mes maleve, apo kur zbriste për të shitur gjë e mall në qytet? Ndër qytete ai mund të mësonte “huqin” e klarinetës, dajres apo të buzukut, por jo polifoninë, të cilën e mbartëte me vete të zbritur nga vendet e virgjëra e pa ndikime të huaja greke apo turke qofshin. Po të ishte kështu, do të ngjitej edhe buzuku ndër male, por ai mbeti mejhaneve të Greqisë e nuk iu afrua kurrë trevave të dëlira shqiptare.
Pastaj na habit fakti se ky zotëri Barka në një prononcim të parë shprehet i egër dhe harbut në ato që thotë, më pas bëhet i moderuar në një prononcim tjetër, e më tej hidhet në “analizë shkencore” duke mbrojtur përsëri tezën e parë, domethënë se origjina e polifonisë është greke dhe se duhet hequr si trashëgimi kulturore shqiptare. Kjo na vë në dyshim se nuk është ai që flet por janë të tjerë që fshihen pas tij, njëherë e ndërsejnë qarqet greke, e pastaj e mësojnë të tjerë “ustallarë” në Tiranë. Ndoshta edhe vetë autori i “isopolifonisë”, Vaso Tole, që për të mos rënë në sy shkruan edhe disa rreshta medemek se Barka sulmon edhe atë, edhe pse i jep “meritën e madhe” se është Vasoja që arriti ta fusë këtë në UNESKO si vlerë shqiptare.
Unë nuk e di se si një gazetë shqiptare u bën jehonë spekulimeve të tilla që duket se janë në shërbim të qarqeve shoviniste greke, që prej vitesh luftojnë për “Vorioepirin”, e aq më tepër ta thërrasë një mësues si Barka për “analizë shkencore” mbi një fushë që nuk është e tija. Por di të them se kjo është e gatuar pikërisht nga ato qarqe greke që përdorin si vegël një person të deklaruar prej kohësh si antishqiptar dhe që vepron kundër shqiptarëve duke jetuar e duke punuar në Shqipëri. Siç duket me të tilla “analiza shkencore” këto qarqe po kërkojnë të kalojnë oqeanin e madh që ndan polifoninë si një vlerë autentike shqiptare, nga kultura dhe trashëgimia greke, e për këtë kanë gjetur një barkë për t’u hedhur përtej, por nuk kalohet oqeani me “Barka”!
*President i shoqatës “Polifonia Shqiptare”

Si Shqiptar nuk do e pranon kurre qe njerez Si Barkas Te hedhin balte mbi historine e traditat e lashta Pellazgo-Ilire-Shqiptare Dhe normal PO Te rish barkas nuk mund Ta kuptosh thelbin problem it ne fjale…une PO I them ketij Chou nga barkas ne kembe qe Ta maresh vesh SE ne jemi vapori … Cdo dite e me shume PO dalin fakte bindese SE had ishulli I Ballkanit Ka qene Banuar nga Iliret Dhe week gadishulli Ilirik Dhe grekerit as Kane ekzistuar Atehere gjuha e banore be Te ketyre viseve akoma Edhe atyre qe sot quhet greke Ka qene pellazgjishte per pasoje Shqipe Transformimi I histories do Te korigjohu shume shpejt Dhe bota mbare do Ta mesoje Te verteten e madhe qe banore T me Te Hershem Te Ballkanit e madje Europes Kane qene Pellazget Iliret Shqiptaret barkas cohu ne kembe Dhe respekto autoktonet e ketij vendi traditat e Shqiptareve nuk mund Ti tjeter dish per motive prej Nje idjoti Te shitur … Akoma Dhe pretendimet qesharake SE Epiri Eshte grek Jane bere aq absurde Sa nuk I besoj ne Edhe ata qe I thone Epiri Eshte Iliri me gjuhe Dhe Nje popull nuk mund Te flase greqisht SE I do qefi dikujt … Polifonia kendohet Atje ku Ka lindur mor matuf I historise Sepse nuk Ben vaki ne asnje vend Te botes qe Te kendojne kenge Te kembeve Te tjere nuk Ka send as llogjike