Kohët e fundit kanë qarkulluar në shtyp e në Internet materiale të cilat parashtrojnë në mënyrë të arsyetuar një orvatje pak a shumë ambicioze për revizionimin e historisë së Shqipërisë, që nga Ilirët e Lashtë deri te Fatos Nano. Doktrina që qëndron pas këtyre materialeve e percepton historinë dhe historiografinë shqiptarë si një lufte të përjetshme midis dy të kundërtave: një rrymë pro-greke (dhe anti-shqiptare) dhe një rrymë anti-greke (dhe pro-shqiptare); sipas kësaj doktrine të gjitha momentet e errëta – për të mos përmendur katastrofat – në historinë e shqiptarëve i detyrohen veprimtarisë së forcave pro-greke. Nga ana tjetër, doktrina riciklon disa pikëpamje folklorike për antagonizmin jug/veri dhe gegë/toskë, në dritën e nevojës për ndërrim paradigme të diktuar nga përfshirja e Kosovës në trojet kulturore shqiptare.
Me keqardhje vë re së këto materiale përmbajnë shtrembërime skandaloze të fakteve historike dhe karakterizohen nga një vështrim bardhezi që nuk mund të shpjegohet veçse me angazhimin politik të autorëve të tyre, si dhe me vendosmërinë e këtyre autorëve për ta përdorur revizionizmin historik si armë për të arritur disa qëllime politike aktuale. Nga ana tjetër, materialet janë ndërtuar në mënyrë të tillë që, edhe përpjekja më e sinqertë për t’i kritikuar në mënyrë analitike rrezikon të ndihmojë për të prodhuar të njëjtat efekte që mëtojnë edhe vetë tezat e paraqitura: polarizimin e tensioneve ndër shqiptarët e Ballkanit, keqësimin e raporteve ndërfetare në trojet shqiptare, dobesimin e identitetit kulturor shqiptar.
Futja e vetë kryeministrit të vendit në këtë hulli është naive, skandaloze dhe më duket mua një përpjekje e dëshpëruar e tij përballë shterrimit të gjithë alternativave të tjera. Turpi qoftë me të, se nuk kam ç’ti them tjetër një sojsëzi.
Email nga adresa: [email protected]