Mbeten të bllokuara prej më shumë se tre muajsh pagesat e personave me aftësi të kufizuara në shumë rrethe të vendit. Shoqata e të verbërve bën gati kallëzimet penale për drejtuesit e komunave dhe bashkive që po bllokojnë ndarjen e pagesave
Pranvera Kola
Odiseja e vuajtjeve të personave me aftësi të kufizuar nuk ka të ndalur. Ndonëse në Tiranë pohohet se janë ndarë pagesat e aftësisë së kufizuar, në pjesën dërrmuese të rretheve ky proces është bllokuar tërësisht duke i lënë në mëshirë të fatit këta persona. Situata paraqitet më e rënduar në komunat e thella, ku pagesat nuk po jepen që nga muaji shtator duke vështirësuar jetesën e përfituesve. Problematikë kjo që bëhet edhe më e theksuar në këtë periudhë me afrimin e festave të fundvitit.
Duke parë neglizhencën dhe abuzimet që institucionet përgjegjëse po tregojnë në shlyerjen e detyrimeve që ligji përcakton për këtë kategori, Shoqata e të Verbërve ka bërë të ditur se do t’i padisë pranë organeve gjyqësore. Përfaqësuesit e kësaj shoqate kanë deklaruar dje se shumë shpejt do të bëjnë kallëzim penal pranë gjykatave për të gjithë kryetarët e bashkive dhe komunave që kanë marrë fondin, por nuk e përdorin atë për të shlyer pagesat e personave me aftësi të kufizuara.
“Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuar shpreh shqetësimin e tij të thellë për mosrealizimin e pagesave të aftësisë së kufizuar në një numër të madh komunash e bashkish. Sundimi i ligjit në një shtet ligjor nuk lejon për asnjë çast shkeljen e së drejtës së fituar me ligj, veçanërisht kur kjo lidhet me pagesat e vetme e me karakter jetik.
Ne paralajmërojmë të gjithë funksionarët e këtij shteti të cilët në përmbushjen e funksionit të tyre publik kanë për detyrë realizimin e këtyre pagesave, se do të jenë objekt i kallëzimit penal për shpërdorim detyre, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, deklaron kreu i kësaj shoqate, Sinan Tafaj. Disa ditë më parë zyrtarët e Shërbimit Social Shtetëror bënë të ditur se është çelur fondi i të gjitha pagesave dhe është shpërndarë pranë zyrave përkatëse. Vonesa u shpjegua me faktin se fondi jepet një herë në dy ose tre muaj dhe të gjithë marrin pagesën që u takon në datat e përcaktuara.
Për vitin 2012 numërohen rreth 149 mijë persona që varen nga pagesa e paaftësisë, pasi nuk kanë asnjë burim tjetër të ardhurash. “U bëjmë thirrje të gjithë këshillave të komunave e bashkive e kryetarëve të tyre që në rast të çeljes së fondeve për këto pagesa, të tregojnë përgjegjshmëri edhe angazhim në realizimin e tyre qoftë edhe në ditën e fundit të vitit.
Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për mosçeljen e plotë apo të pjesshme të këtyre fondeve ose për çeljen e tyre në mënyrë preferenciale duke lënë jashtë mundësisë së pagesës bashki e komuna të thella apo grupe të caktuara. Të gjithë janë shtetas, të gjithë gëzojnë të drejta të barabarta dhe të gjithë duhet t’i marrin pagesat në kohën e duhur edhe në mënyrën e përcaktuar nga ligji’’, mbyll deklaratën e tij Tafaj.
Sinan Tafaj
“Të gjitha këto lloj pengesash kanë karakter subjektiv dhe do t’i nënshtrohen gjykimit penal. Ne jemi të vendosur që edhe në rast të një vendimi të organit të akuzës për mosfillimin e çështjes penale, do ta ankimojmë këtë në sistemin gjyqësor”, deklaroi dje kreu i shoqatës së të verbërve, Sinan Tafaj.
Totozani: T’i jepet zgjidhje problemit
Ndërkohë, lidhur me vonesat në ndarjen e këtyre pagesave ka reaguar edhe Avokati i Popullit. Kreu i këtij institucioni, Igli Totozani, nëpërmjet një letre i kërkon Ministrisë së Punës dhe asaj të Financës të marrin masa për lëvrimin menjëherë të fondeve për pagesën e vonuar të personave me aftësi të kufizuara, për zgjidhjen e këtij problemi dhe t’i jepet përparësi kësaj kategorie në programimin e fondeve.