S’kanë të ndalur përdhunimet të Indi. Pas dhjetëra denoncimeve të femrave ditët e fundit për dhunë seksuale dhe ngacmime, një tjetër rast i ngjashëm me atë të studentes 23-vjeçare është shënuar në Punjab. Kësaj radhe, viktima është një femër 39-vjeçare, e cila është përdhunuar barbarisht nga shtatë burra në autobus. Sipas mediave indiane, gruaja po udhëtonte për në fshatin e burrit të saj në Punjab, por shoferi i autobusit dhe asistenti i tij, e kanë çuar në një vend tjetër, ku e kanë përdhunuar së bashku me 5 meshkuj të tjerë.
Pas dhunës barbare të ushtruar mbi të, ata e kanë lënë gruan në afërsi të shtëpisë së të shoqit. Ajo e ka denoncuar rastin të nesërmen në mëngjes.
Një valë përdhunimesh ka shpërthyer në Indi gjatë muajit të fundit. Në dhjetor, rasti i një studenteje 23-vjeçare, e cila u përdhunua nga gjashtë meshkuj në një autobus, e më pas humbi jetën në spital, ishte pikënisja e një proteste të madhe kundër dhunës ndaj femrave.
Por pavarësisht masave të marra nga forcat e rendit dhe kërkesës së aktivistëve të të drejtave të njeriut për dënime më të ashpra ndaj përdhunuesve, episode të tilla shënohen pothuajse përditë./ Përgatiti: Gazmira Sokoli