Nuk ngrihen dot ata që i ka zënë nën vete Berisha

Ornela

Mihal Kalia

Vendi ynë është ndër vendet më të pasura në raport me popullsinë dhe në të njëjtën kohë popullsia e tij është nga më të varfrat në raport me pasurinë. Ndryshimet “demokratike” nuk sollën asgjë të re në të mirë të këtij populli, veçse thelloi varfërinë e të varfërve dhe shtoi pasurinë e vjedhësve dhe kriminelëve pushtetarë që lulëzuan në kushtet e realitetit të ri “demokratik”, si bashkëshoqërues të tij, jashtë çdo norme, kontrolli, përgjegjshmërie, morali, detyrimi dhe ndëshkimi.

Partia Demokratike e sheh veten, si kur ka qenë në pozitë, ashtu edhe në opozitë, si e vetmja bartëse e vlerave demokratike, së cilës i takon pushteti qysh prej rënies së regjimit të mëparshëm dhe, duke mos i quajtur partitë opozitare pjesë e demokracisë, oponencën nuk e kupton si entelihi, por si frenim, pengesë, luftë deri në asgjësim të kundërshtarit, pa kuptuar se po ndjek rrugën e vetëshkatërrimit partiak, pa menduar për deformimin e demokracisë. Identifikimin që PD-ja i bën vetes me demokracinë, e sheh si arsye që të mos pranojë humbjen në zgjedhjet e njëpasnjëshme, humbje që, sipas saj, është jashtë logjikës së zhvillimit dhe që nuk mund të ndodhë, veçse me manipulimin e rezultatit. Po përse gjithë këto ulërima për humbjen, të cilat do të ishin britma gëzimi në rastin e një rezultati që do t’i jepte fitoren, edhe pse me të njëjtën ecuri para dhe paszgjedhore?! Kjo, sepse Partia Demokratike nuk është parti demokratike. Këtu nis dekadenca e saj. Si mund të fitosh simpatinë e një populli kur nuk punon në favor të interesave të tij? Si mund të fitojë votën e një populli kur raportet me të janë po ato (paçka se më keq) që e rrëzuan nag pushteti i fituar pas rënies së komunizmit? Pse një konflikt kaq i ashpër PD – PS, kur drejtuesi i PS-së, Edi Rama, në vazhdimësi ka dhënë sinjale dhe ka ndërmarrë akte ku kanë predominuar prirjet e së djathtës ekstreme, siç është qëndrimi ndaj Luftës Nacionalçlirimtare dhe heronjve e dëshmorëve, rehabilitimi i kolaboracionistëve, trajtimi në poste të rëndësishme të figurave të spikatura të PD-së? Sepse nuk janë fatet e demokracisë që shqetësojnë Partinë Demokratike të S. Berishës, por janë interesat e ngushta për pushtet të drejtuesve të saj. Dhe presin e shpresojnë që populli të votojë për ta! Si është e mundur që Berisha të vijë në pushtet me votën e popullit? Ai dhe ndjekësit e tij nuk e njohin popullin. Kjo është arsyeja e humbjes së PD-së në zgjedhjet e 25 prillit. Të gjitha debatet, diskutimet, justifikimet, paralajmërimet dhe kërcënimet janë jashtë çdo konteksti dhe realiteti. Demokracia nuk është ideali i politikanëve tanë, të cilët shesin virtualen për realen.

Rënie e komunizmit nuk do të thotë vendosje e demokracisë, por krijimi i mundësive dhe avantazheve për t’u futur në atë rrugë, mundësi këto që koha na i ofroi, favor që nuk e shfrytëzuam në të mirë të saj, përderisa bëhet thirrje prej politikanëve për përmbysjen e regjimit. Ndoshta ishte kjo “mangësia” që “forcat “demokratike” u përpoqën ta plotësonin herë pas here gjatë këtyre tridhjetë viteve duke përgjakur rrugën e “lirisë”. Si është e mundur?! Sepse situatat e krijuara nuk u vunë në funksionin e një mekanizmi rregullues, përkundrazi, përçarës, duke u përballur forcat si në fushëbetejë, si forca armike, jo vetëm ato tradicionalet, por edhe ato të krijuara në gjirin e secilës prej tyre, justifikuar kjo me pluralizmin demokratik, por, në thelb, asgjë më tepër se zëvendësim diktaturash. Dhe, për të qenë sa më bashkëkohor (çfarë ironie!) përmbysja do të bëhet me sfurqe, sopata etj.

Tridhjetë vjet Shqipëri pluraliste dhe pluralizmi në Shqipëri nuk funksionon për të vënë në lëvizje demokracinë në vend, ngaqë përbërësit, as në fillimet dhe as sot, nuk kanë kuptuar dhe as duan të kuptojnë rolin dhe funksionin e rëndësishëm dhe të domosdoshëm për transformimet demokratike. Flitet për demokraci pa treguar vëmendjen dhe kujdesin e duhur për institucionet demokratike, duke pretenduar ekzistencën, rritjen dhe shëndoshjen e tyre me një ushqim që jo vetëm nuk ka shijen e dëshiruar, por të turbullon dhe ndjell të përzierët. T’i hedhësh kripë ëmbëlsirës apo sheqer thartirës, edhe pse të dyja janë të domosdoshme në jetën e përditshme, në këtë lloj përzierjeje janë të padëshiruara, të papranuara, të dëmshme e që shkaktojnë neveri. I tillë ushqimi është gatuar me pluralizmin në vendin tonë, sepse nuk duan t’i kombinojnë përbërësit, që aroma “të mbysë” shoqërinë, por zhyten vetë në “aromë” që shoqëria të mbytet në neveri. Si është e mundur që në një sistem pluralist populli  të mos e ndiej veten të përfaqësuar nga partia që mbështet, pavarësisht krahut, majtas apo djathtas. Në një vështrim paksa të kujdesshëm konstaton se pluralizmi po shkon drejt shkrirjes dhe po forcohet ai lloj që ka të bëjë me pluralizmin e interesave vetiake të kastave që kanë marrë përsipër drejtimin e partive. Po përdoren të gjitha marifetet për të kapur frenat e partisë dhe për t’i përdorur ato jo për çka ajo tradicionalisht synon në destinacionin e vet, por për një destinacion ku të çon pamundësia e lëvizjes së levave të drejtimit. Duke futur në të njëjtët binarë dy lokomotiva që lëvizin marramendshëm përballë njëra-tjetrës, përplasja mes tyre është e pashmangshme. Dhe pasojat bien mbi njerëzit. Ani! Popull është. Por kjo logjikë nuk vjen prej mençurisë, sado me bollëk që ta kenë, por prej miopisë, sado e paktë që të jetë. Forcën dhe mençurinë e popullit politikanët e shfryëzojnë për  të siguruar qoshen e tyre të rehatshme, ndërsa budallallëkun dhe batakçillëkun që i karakterizon, për mbajtjen hapur të plagëve që rrjedhin vrerin e mashtrimit dhe të pabesisë.

Janë raportet e partive me popullin që kanë ndërthurur një realitet, të cilit vështirë se mund t’ia mësosh emrin. Populli u përgjigjet partive që preferojnë, ndërsa partitë nuk kanë preferencë, por interesa, duke i përdorur përkrahësit si mjet për realizimin e tyre, pra, që t’u marrë shërbim dhe jo t’u shërbejë. Kjo mendësi, që nuk ushqehet nga mendësia popullore, është marrëzia e mençurisë së “politikanëve” tanë që në ekstazën e kënaqësisë (fitores), apo në rezignancë prej ankthit (humbjes), përjetojnë të njëjtën  ndjesi të shkarkimit emocional.

Të jesh diktator në një shtet diktatorial, është i papranueshëm lloji i shtetit, ndërsa, të jesh diktator në një shtet demokratik, është i papranueshëm diktatori. Ky raport me shtetin u evidentua qysh në vitet e para të sundimit berishian e në vazhdim, kur ai asnjëherë nuk përfilli institucionet dhe nuk dha llogari për profilin diktatorial që i dha demokracisë, duke shkaktuar problematika kombëtare që nuk mund të mos tërhiqnin vëmendjen edhe të ndërkombëtarëve. Ndërkombëtarizimi i bëmave të Berishës, publikimi dhe pozicionimi ndaj tij, aq më tepër nga një vend mik, që nuk është rreshtur së quajturi kampion i demokracisë, e ka çorientuar, hutuar, harbuar e zgërlaqur deri në gjendje asemie, kur shprehet se: “Nuk ka njeri të thotë që unë kam qenë i komplikuar brenda dhe jashtë vendit me afera korruptive”, ndërkohë që gjatë gjithë veprimtarisë së tij është akuzuar jo vetëm për korrupsion, por  edhe për krime. Krijesat zvarranike, pjellë të squllta të një truri  të ndezur, nuk mund të mos përpëliten, përplasen e shkarëzehen në gjendje aleksie kur “zbulojnë” paradokse në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Partia Demokratike, e përkrahur masivisht nga populli shqiptar në vitet e para të ndryshimeve socio-politike, dështoi dukshëm në realizimin e objektivave të pritshme nga masat e gjera, duke mos e justifikuar ndryshimin e madh. Si mund t’i besohet kësaj partie kur edhe sot, pas tridhjetë vjetësh, çirret e ngjiret për këtë ndryshim? Sepse ajo nuk e njeh ndryshimin. Sepse kjo parti ra në duart e të pandryshueshmit, S. Berishës, i cili e përpunoi sipas orekseve të veta, duke u distancuar nga çdo normë ndryshimi që ishte jashtë formatit të interesave tij të ngushta dhe të grupit që e mbështeste. Si njeri pa skrupuj, të tillë i përzgjidhte dhe bashkëpunëtorët, mbasi bindej për mjaftueshmërinë e vrerit që u rridhte në venat dhe të gjarpërinjve që u dilnin prej kokës dhe rrëshqisnin prej syve e, duke marrë rrugët, llahtarisnin kalimtarët që u shmangeshin pickimeve të helmëta. Ky ishte filmi që xhirohej në trurin e këtij transformuesi të madh, ky ishte vizioni i tij për të ardhmen dhe demokracinë. Kjo ishte dhe arsyeja e dështimeve të njëpasnjëshme dhe e habisë së tyre që na habit me kontestimet, kur, pas humbjes,, ankohen se “na e bënë me hile”, si në lojëra kalamajsh. Çfarë ndryshimesh mund të sjellë pinjolli i Berishës, shtati i të cilit u rrit duke pirë qumësht të prishur berishian? Tentuan të ngrenë fole të reja gjarprinjtë e tjerë, ta akuzojnë për paaftësi organizative dhe dështak në pjellshmërinë e tij, por asnjeri nuk e çon sulmin te Berisha, askush nuk e shikon humbjen te fryma dhe vepra e tij, askush nuk e kupton se të njëjtin fat do të ketë, përderisa çdo ditë ndotet duke u larë në pellgun e Berishës, vepër e punuar me përkushtim nga djajtë më të kualifikuar në sendërgjimin lëndor të djallëzive planetare. Janë zhapikët që i nxjerr nga goja, veshët, hundët, që i shpërndan dhe i mbledh përsëri me vërshëllimën e gjarprit me zile.

Të gjithë kandidatët për drejtues të Partisë Demokratike, të cilët u futën në zgjedhjet me pritshmërine e madhe të 25 prillit që do të sillte ndryshimin, vazhdojnë të flasin përsëri për ndryshim, por kësaj radhe edhe brenda partisë së tyre. Fakti që ndihet nevoja për ndryshim është një nga shkaqet e humbjes, gjë që e sfumon argumentin e vjedhjes së votës, apo masakrës zgjedhore. Por kjo nuk është e gjithë e vërteta. Demokratët nuk po dinë se ku konsiston ndryshimi. Në largimin e lidershipit të tyre aktual? Për më të rinjtë, për të cilët mund të mendohet e shpresohet te ndryshimi në ecje me kohën, nuk po vihet re angazhimi i tyre për të mundësuar përballimin e këtij rrugëtimi, i cili kërkon përgatitjen e gjymtyrëve, por që duhen dhe këllqet. E, përderisa kërkojnë të ecin me këllqe të marra hua e të sprovuara në pafuqishmërinë për progres, ndryshimi vazhdon, por në të kundërt. A mundet që të jesh kështu i preferuar për të merituar votën e shumicës së popullit ? A mundet t’u prijë kjo parti fateve të vendit, kur ka vënë në pikëpyetje fatet e ekzistencës së vet? Cili nga këta pretendues për karrigen e kryetarit të PD-së e sheh veten të distancuar nga Berisha dhe destruktivizmi i tij? Asnjëri. Atë që partitë nuk duan ta kuptojnë, populli e kupton dhe e ndien, sepse gjithë teatri luhet mbi kurrizin e tij, ndaj ai të mohon. Ndryshimi? Mbetet larg, aq larg, sa më afër të jesh me Berishën.

Loja me vjedhjen e votave është bërë aq bajate, sa edhe vetë ata që luajnë. Fakti që numri i kandidatëve për kryetar të PD-së ishte i madh dhe të gjithë ata dobësinë dhe rënien e PD-së e shohin te paaftësia dhe gabimet e kryetarit aktual, është domethënës për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit. Sali Berisha nuk e sheh veten të mbrojtur dhe i ka rënë garancia te i përzgjedhuri i tij, Basha, sigurisht, jo se ky i fundit ka dredhuar nga idetë, pikëpamjet  hiletë dhe pafytyrësitë e Berishës, por sepse prerja e tij politike është tejet e paplotë. Zgjedhjet në PD janë një rast i mirë që nuk mund të mos shfrytëzohet nga Berisha, që, edhe sikur favoret e të qenit kryetar të mos rezultojnë efikase për Bashën, ai të vazhdojë të ruajë frymën e tij mbytëse dhe në udhëheqjen e re. Për të larguar çdo iluzion për ndikimet e tij në parti, atij i nevojiten figura besnike dhe të pakonsumuara. Diabolizmi i tij ia jep mundësinë e radhitjes së tyre në rreshtin e kandidatëve. Ja pse edhe në këto zgjedhje të reja, qoftë edhe në figura “të reja” që pretendojnë drejtimin e partisë, S. Berisha synon recidivizmin e tij, edhe pse në kushtet tashmë të një dëshpërimi të thellë. Ndaj problemi që ngacmon dhe shqetëson qytetarët, aq më tepër anëtarësinë, është ringritja e PD-së, e cila duhet të pastrohet krejtësisht nga berishizmi. Por, siç u theksua, pretendentët hynë në garë pa dhënë asnjë shenjë distancimi prej 30 viteve dështim të demokracisë së PD, duke lënë të hapur derën edhe për dështime të tjera të pritshme, që nuk dëmtojnë vetëm PD-në, por edhe demokracinë shqiptare.

Duke kërkuar dhe trumbetuar përmbysjen e regjimit, PD-ja dhe aleatët e saj duket se luftojnë me hijen e vet, gjendje kjo gjumëprishëse, fiksioni, që, me emocione të ankthit e makthit, shpalos dhe shpall kënaqësinë e kurorës triumfuese, aq të ëndërruar e dëshiruar, saqë edhe dorështrirjen e fituesit e sheh si të një fantazme që kërkon t’ia rrëmbejë prej mendjes e shpirtit të tij, të cilat duket se funksionojnë nën influencën e terapisë intensive që sendërgjon një vizualitet fantazmagorik. I duket padrejtësi të mos fitojë, fle me ëndrra të bukura, me ndjesinë dhe kënaqësinë e të qenit në majat e pushtetit, por mëngjeseve, kur këndojnë gjelat, zgjimi është torturues prej llahtarit të rënies në honin pushtetar. Dhe është i paepur. E vetmja rrugë për t’u ngjitur përsëri lart, është ëndrra, ndaj mbyll sytë dhe shtrihet mbi dëshirat. Të mos zgjohet kurrë. Jo më kot kundërshtari i tij e ironizon me nofkën e njeriut që fle edhe kur është zgjuar, atë të gjumashit.

Partia Demokratike është fryt i një lindjeje jo të natyrshme, është fryt i një ngjizjeje artificiale gjallesash jashtë çdo logjike biologjike të kryqëzimit, qoftë edhe “in vitro”, është fryt i një mendjeshkrepjeje që ndez përfytyrime përbindëshore emocionaliteti shkrehës të një libidoje lombroziste, varësia ndaj së cilës e shkëput nga misioni, por jo nga pasioni i vetëkënaqësisë shkatërruese.

Duke mos pasur asgjë demokratike, përveç emrit dhe duke ruajtur e zhvilluar me fanatizëm diktaturën e sistemit nga i cili “lindi”, e shpalosi atë në të gjitha format e ekzistencës së saj, gjë që përcaktoi fatin drejt shpërbërjes gjatë gjithë periudhës tridhjetëvjeçare. Partnere në sistem dhe kundërshtare në pushtet, marrëdhënie që shënojnë natyrën dhe thelbin e demokracisë shtetërore, asnjëherë këto nuk u shfrytëzuan si ngërthim kundërshtues, por si kundërshtim i ngërthimit dhe, si e tillë, demokracia te ne, edhe pse në moshën tridhjetëvjeçare, vazhdon të jetë në ulërimat e çastit të lindjes. Lideri i PD-së bashkimin e sheh te përçarja, kur deklaron se: “…. vetëm kështu mund të vazhdojmë betejën tonë të luftojmë armikun e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, regjimin dhe njeriun që e kryeson këtë regjim, Edi Ramën”. Çfarë varfërie mendimi për shoqërinë dhe politikën! Lufta me armikun nuk bëhet me mjete demokratike, siç shpesh e mbulojnë me këtë justifikim atë çka u shpërthen nga subkoshienca, por me armë, me luftë të armatosur. Ky është mjeti “demokratik” që preferon dhe deklaron L. Basha, i cili ndjell vrasje, gjak, shthurje e shkatërrim. Çfarë patetizmi në meskinitetin vulgar! Nuk është regjimi që e shqetëson liderin e PD-së, sepse ai nuk di dhe as e kupton se për çfarë regjimi bëhet fjalë, por është E. Rama, karrigia e kryeministrit aq shumë e dëshiruar dhe ëndërruar prej tij, ndërsa regjimi le të rrokulliset e përplaset nëpër sopat e gropat e fiksionit dhe fiksimeve të tij banale, tribale e triviale.

Partia Demokratike dhe lideri i saj janë aq seriozë  në demokracinë e vet, saqë shkelin arbitrarisht, brenda familjes së tyre, norma e parime, shkelje për të cilat akuzojnë Partinë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme. Motoja e kryetarit të PD-së dhe e pretendentëve për këtë post, është ringritja e partisë së tyre. Por për çfarë ringritje bëhet fjalë, kur nuk pranohet rënia dhe degradimi i saj?!

“Ne do të luftojmë në Parlament për të mërzitur E. Ramën” deklaron në media një parlamentar rishtar.   Kjo është “e reja” që  ky militant i sjell partisë së vet, parlamentarizmit dhe demokracisë në përforcim të detashmentit të mërzitisë, duke thelluar karakterin e mërzitshëm të PD-së, flamuri i së cilës  “lartësohet” me  çehren e Berishës, rrudhat e thelluara të së cilës ravijëzojnë palat e valëvitjes në involucionin “demokratik”.

çanakkale escort bayan

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *