Nuk përballojnë dot tarifat e rritura të studimeve

redaktor

Nuk kanë të ndalur protestat e studentëve kundër rritjes së tarifave studimore për pranimet e realizuara gjatë vitit të ri akademik 2014-2015. Dhjetëra studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale kanë bojkotuar mësimin gjatë ditës së djeshme, duke kërkuar uljen e tarifave të studimit, rritjen e investimeve në universitete dhe rikthimin e disa profesorëve në punë, të cilët janë larguar vetëm sepse mbështetën të drejtat e studentëve. Protestuesit theksuan se e kanë të pamundur që që të përballojnë rritjen e tarifave të studimit që janë miratuar për pranimet e vitit të ri akademik, pasi pjesa dërrmuese e tyre janë të ardhur nga rrethet dhe duhet të mendojnë edhe për strehimin dhe jetesën në kryeqytet. Rritja varion nga 20-30 për qind për programet e ciklit të parë “bachelor”, ndërkohë që për programet e nivelit të dytë, rritja pohohet të jetë edhe më e lartë. Një tjetër shqetësim i ngritur nga studentët është edhe detyrimi i vendosur nga Ministria e Arsimit për shlyerjen e 30 për qind të kostos së studimeve që në momentin e parë të regjistrimit në fakultetin përkatës ku janë shpallur fitues, dhe jo në mbyllje të semestrit të parë, sikundër ka ndodhur në vitet e shkuara. Protestës së studentëve u janë bashkuar edhe pedagogët, të cilët kanë ngritur akuza në lidhje me menaxhimin e fondeve universitare. Profesorët që mbështetën këtë proteste deklaruan se është abuzuar me fondet. “Ka pedagogë që kanë bërë punë të jashtme dhe nuk janë paguar me muaj të tërë. Ku shkojnë paratë? Ka fonde të përcaktuara për një destinacion për libra, për aktivitete, të cilat zhduken. Ku shkojnë këto para? Kush i merr?”, ka deklaruar gjatë protestës së djeshme, profesor Aleksandër Kocani. Studentët kanë kërkuar që të rikthehet në punë edhe profesori i shkarkuar Hysamedin Ferraj, sipas të cilit kjo lëvizje është bërë vetëm sepse doli në mbrojtje të drejtave të studenteve. Këta të fundit kanë theksuar se do të vijojnë bojkotin e mësimit nëse nuk do të merren parasysh kërkesat e tyre. Aktualisht fakultetet janë në procedurat përfundimtare të sistemit të studentëve të rinj që janë përzgjedhur si fitues për të vijuar studimet e ciklit të dytë, niveli master.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *