Ka studiuar në Fakultetin Ekonomik, në degën “Administrim Biznesi”, në shkollën e modës “SIPAM AB” si dhe në Institutin Europian për modën “EUROMODE SCHOOL”, në të cilin prej 2004 është dhe administratore për Shqipërinë dhe Kosovën. Është hartuese programesh e kurikulash në fushën e Fashion Design për Universitetin Amerikan të Tiranës dhe AAB në Kosovë. Aktualisht, është Kryetarja e Forumit të Gruas të Aleancës Popullore për Lëvizjen Çame.
Kur një grua, ndërkohë që është duke qepur, shpon gishtin me gjilpërë, si shan?
– Të marrtë dreqi themi, se ne gratë e kemi frikë dreqin.
Po dreqi a ka frikë nga ju?
– Thuhet se gruaja e fut shejtanin në shishe, dhe unë vërtet mendoj se ka gra që ia arrijnë ta bëjnë këtë. Sidomos mirë do të ishte t’i fusnin ca nga politikanët tanë.
A janë ruajtur kostumet popullore të gruas çame?
– Nuk mund të them se janë ruajtur plotësisht dhe kjo për shkak të historisë çame. Nënave dhe gjyysheve tona u mbetën senduqet andej dhe ato u dogjën bashkë me shtëpitë e tyre. Për fat të keq, shumë pak nga kjo pasuri mundi të shpëtojë. Por diçka më shumë, mundën të shpëtojnë çamët që ikën në Turqi.
Si është një familje tradicionale çame?
– Ndryshon në çfarë kushtesh u ra për pjesë të jetojnë në Shqipëri. Në përgjithësi, në pamjen e parë duket patriarkale, por në familjet tona ka një demokraci të brendshme të admirueshme.
Kur një grua çame hap frigoriferin dhe sheh që nuk ka asgjë brenda, kë shan me shumë Greqinë, qeverinë apo partinë?
– Greqinë nuk e shan, se nuk ka arsye të shkoj deri atje. Në këtë rast, unë do të shaja qeverinë, pasi politikat diskriminuese ndaj gruas dhe si rezultat i kësaj papunësia janë shkaqet kryesore që frigoriferët sot janë bosh. Por një grua çame do të thoshte “Dreqi ta marrë! Ne përherë na bie barra të ndërtojmë nga fillimi” dhe do ta mbyllte derën, do të gjente një apo edhe dy punë derisa ta mbushte frigoriferin.
Çfarë mendon për një grua të divorcuar?
– Është një traumë e vërtetë për gruan dhe fëmijët e saj. Në çastin e divorcit kanë nevojë për trajtim psikologjik dhe medoemos ndihmë ekonomike. Për mua, është pjesa më e pambrojtur e shoqërisë sonë.
A ka abuzime me pensionin e fëmijëve të familjeve të divorcuara?
– Tmerrësisht shumë, madje edhe këtu në kryeqytet pale në zonat rurale çfarë ndodh. Në Shqipëri ka shumë raste që gratë duan të divorcohen, por kur i mendojnë këto abuzime, poshtërime dhe diskriminime, preferojnë të vuajnë duke qëndruar të martuara.
Në politikë, kanë më tepër zë, ata që kanë fuqi ekonomike, fizike apo rrethe të gjëra fare fisnore. Çdo parti politike, a duhet të ketë edhe ideologjinë e saj?
– Një ideologji nuk i mjafton asnjë partie. Këtë e vërteton më së miri komunizmi që kaluam. Çdo parti duhet të këtë ideologji të ndryshme brenda saj dhe duhet t’i krijojë mundësinë të konkurrojnë mes tyre. Në lidhje me kauzën tonë kryesore, ftojmë të gjitha forumet e grave të partive politike të diskutojmë rreth zgjidhjes së çështjes çame dhe le të fitojë ideja më e mirë.
A është izoluar apo vetëizoluar gruaja çame?
– Në këndvështrimin politik po. Nuk u është lejuar grave çame nga pseudo parti çame të përfshihen aq sa e meritojnë dhe nëse nuk përfshihesh natyrisht edhe nuk përfaqësohesh.
Mos vallë, gruaja çame edhe vetë nuk dëshiron të përfshihet në politikë?
– Përkundrazi, gruaja çame ka lindur këtu, është e arsimuar dhe është e përgatitur më së miri që të japë kontributin e saj edhe në politikë, por qëllimi i mbrapshtë i partive pseudo çame ka qenë dhe vazhdon të jetë mënjanimi i tyre.
Si i ka përballuar gruaja çame këto 23 vite tranzicion? A ka vuajtur më shumë se burri saj?
– Jo vetëm gruaja çame, por të gjitha gratë në Shqipëri kanë vuajtur më shumë se burrat e tyre. Mendoni më të paktën: një grua ndërsa kthehet nga puna e rraskapitur, lan, pastron, gatuan dhe burri me pultin në dorë i shtrirë në divan sheh televizor.
Çfarë duhet të ndodhë, që burri të ngrihet nga divani?
– Gruaja duhet të bëhet ekonomikisht e fortë dhe e pavarur. Në këtë rast, gëzon respekt dhe në familjen e saj. Pikërisht humbja e respektit ndaj gruas është arsyeja kryesore për divorc, pasi vjen një ditë dhe nuk e përballon dot këtë lodhje.
Një grua e pa punë, pas sa kohesh fillon e stresohet?
– Edhe kur është në pune është e stresuar, sepse sistemi është krijuar për ta stresuar gruan kudo që ajo ndodhet. Më e keqja është se nuk ka siguri për asgjë.
Çfarë ndodh kur gruaja nuk ka siguri?
– Pasiguria tek gruaja ndikon për keq në bërthamën e familjes. Kërkon rrugë-dalje, por ndodh që shpesh nuk e gjen dhe shpërbëhet familja.
Bëhen shumë premtime të pamundura gjatë fushatës, të duken qesharake apo të neveritshme?
– Të dyja. Më duken si përrallat e gjysheve çame “Kur ne ishim atje…” Por unë, i ftoj gjitha gratë të bashkohen që të menaxhojmë aftesitë tona për të qenë zëri i vërtetë i gruas në qeverisjen e ardhshme.
Ashtu si bajamet që hiqen me operacion, nëse do të mundeshe, cilën vuajtje të gruas shqiptare do t’ia hiqje të parën?
– Papunësinë, sepse papunësia prish çdo ëndërr të bukur të gruas.
Unë do të kisha shumë dëshirë të zgjidheshe deputete, dhe në udhëtimin tënd të parë për në Bruksel të vishje kostum popullor të Çamërisë!
– E di që nuk do të zgjidhem, por jam e bindur se do të vlerësohej kjo pasuri e etnografisë sonë të mrekullueshme.
Po Kryetarin e Aleancës Popullore për Lëvizjen Çame, a do ta detyroni ta bëjë?
– Pa qenë nevoja ta detyrojmë ne, mendoj se do ta bënte me shumë dëshirë.
Ku i ke gjet keto pytje o Ahmet me qafsh????
Bravò …. Kto fjal kan nje domethenje te madhe…
Mirela mu ne shume qeifi nga perghigjet e tua,jam shume dakort.shpresoj te zgjidhesh ti si deputete.