Skica dhe sinopse
FJALA SI BOTE
Shqipërimet poetike të Gjon Buzukut të kujtojnë biblizmin e Whitmanit. Poezia baroke e Budit dhe Bogdanit të kujton Xhon Miltonin. Mjeda bën një sintezë të paganizmit me krishterimin, por si poet modern nuk harron të bëjë një apoteozë lakonike të Gjergj Uashingtonit. Duket sikur Mjeda kërkon të bashkojë ilirët e vjetër me Uashingtonin në një bisedë që nuk ka ekzistuar kurrë por që mund të ishte një bisedë virtuale. Në kohën tonë çdo gjë është e mundshme. Është e mundshme që dhe Dantja të veshë kostumin e Abraham Linkolnit. Gjithë sekreti është të kuptosh epshin e madh dhe të papërballueshëm të bashkimit, të përputhjes, të të ngjashmëve. Edhe një fjalë e vetme është një botë.
Kurse botët janë më të pafundme se fjalët. Merr p.sh. një galaktikë. Është e panumërueshme dot prej fjalëve. Gjithmonë jemi përballë infinitit. Shpesh mendja jonë e kufizuar tokësore nuk mund ta rrokë infinitin.
Ne tentojmë të rrokim dhe në këtë tentim jemi vetë ne. Kjo është një lëvizje plot paranteza dhe referenca të hapura.
EMRAT E PAFUND TE DASHURISE
Dashuria i kapërcen stilet dhe ekstremizmat e modës. Ajo është gjithçka. Në gjuhën shqipe ne përdorim fjalën “Dashuri”, nocion tepër i përgjithshëm që ngërthen dhe mbulon një shumëllojshmëri marrëdhëniesh. Në gjuhën greke janë 4 fjalë të ndryshme, është fjala “Agape” që i referohet një dashurie të pastër të një fetarizmi mitik, është fjala “Fileo”, që është dashuria e miqësisë, fjala “Storge” përshkruan dashurinë e prindit dhe fjala tjetër “Eros”, që është dashuria më tepër romantike se sa seksuale. Mos vallë ne shqiptarët e kemi të kufizuar kaleidoskopin e dashurisë? A është e vetëmjaftueshme vetëm një fjalë emërtuese për dashurinë? Ndoshta s’janë fjalët që na prishin punë, fjalët janë ato që janë, realitetet janë më të pranishme se sa fjalët. Jemi të dashuruar me shenjat dhe qytetërimi ynë është semiotik.
Dalim kështu përsëri tek bota virtuale.
Bota ka qenë virtuale jo vetëm sot në postmodernizmin mediatik, hollivudian, gjenetik, klonues dhe internedoid. S’është e vërtetë që vetëm shkrimtarë e artistë janë virtualë. Të gjithë njerëzit janë virtualë, madje dhe ata prehistorikë. Çdo bisedë njerëzore është virtuale. Njerëzit analfabetë ëndërrojnë pasi tani kanë shpikur këngë, mite dhe përralla. Të gjithë këto janë virtuale. Një shkrimtar mund të shkruajë 100 libra, por është i pafuqishëm të shpikë një mit, fjala vjen mitin e Sizifit, ose të Prometeut, subjekte këto që janë paradoksalisht e njëjta gjë. Ja, pse nuk më pëlqen mendjemadhësia e krijuesve dhe më tmerron për vdekje mungesa e modestisë së tyre. Idetë tona janë fantazmat hamletianë që na mprehin qëllimit dhe na ekuilibrojnë kërkesën për drejtësi dhe moral. Në këtë rrafsh përsosja ka një karakter utopik të përhershëm, sepse siç ka thënë Maks Frish “vetëm kafshët nuk kanë nevojë për utopi”. Katrahurat e imoralitetit nuk janë argument afatgjatë. Nuk mendoj se do të shkruhen letrat e reja të një Shën Pali të ri. Besoj që njerëzimi sekretin e rigjetjes së vetes e ka pikërisht tek vetvetja. Çdo gjë mund të teknologjizohet, por jo intimiteti njerëzor.
Të gjitha këto që thamë janë diçka ex libris. Ndoshta është një shpjegim i nevojshëm, por jo një zbukurim dekorativ. Sepse në të vërtetë nuk ka një dallim cilësor midis lexuesit dhe shkrimtarit, ose midis vetë krijuesit dhe krijimit.
PERBINDESHAT E INTERNETIT
Bota sa vjen dhe bëhet më tepër një vizion, një shpirt i shkëputur nga trupi i vetvetes. Ky virtualizëm përfshin edhe librat. Librat tashmë janë më shumë se përpara libra virtualë. Për këtë arsye s’di pse mua më pëlqen më tepër të rikthehem tek pergamenët e shkruar, kur kam parë kodikët e lashtë të Shqipërisë, jam mrekulluar. Të shkruash me dorë tani konsiderohet si një ves ose paragjykim. Të vjen të klithësh por kush e dëgjon klithmën tënde. Shkrimtarët tani janë qenie që s’kuptohen pa kompjuterin, janë përbindësha të internetit, një lloj shtaze elektronike. Ka që profetizojnë fundin e librit prej letre, gjoja janë të panevojshëm sepse tashmë bibliotekat e mëdha mund të futen në internet ose të koncentrohen në një CD. Gjoja kjo bëhet në emër të leximit. Leximi është përherë individual. Pse duhet të privohemi nga kënaqësia intime dhe e pafund për të lexuar dhe shfletuar me gishtat e dridhur faqet e një libri të vjetër. Ky është një problem. Kështu ne jemi të problematizuar pa pushim.
NUK RRJEDHIN VETEM UJERAT
Jemi të gjithë rrjedha të jetës. Nuk rrjedhin vetëm ujrat. Rrjedhin edhe jetët tona. Secili qarkullim i gjakut në trupat tanë është një plotësim i qarkullimit të gjakut të popujve në trupin e planetit. Janë mitizuar shumë diferencat, veçantitë, gjuhët, etnitë, racat kulturat dhe qytetërimet. Por të gjitha i zotëron matrica antropologjike. Për këtë gjë kemi diskutuar shpesh dhe kemi bërë debat të thekshëm. Kemi afirmuar problematikën, sepse problematika jemi vetë ne. E kam fjalën për një thjeshtëzim të gjithë historive të letërsisë botërore. Të tërë kryeveprat përpara Homerit janë parathënëse. Padyshim, që Homeri është një emër kryesor i planetit tonë të ëndrrave. Ndoshta nuk ka shkrimtar më të madh. Ai ka farkëtuar të tëra formulat e letërsisë: për pritjen njerëzore, dashurinë, pabesinë, kultin e pushtetit, ankthin e luftërave, ngulmimin e udhëtimeve, besnikërinë, dinjitetin, mëshirën, zhbirimin e enigmave dhe të papriturave, shpagimet morale etj. Mbas Homerit vjen një konstelacion shkrimtarësh gjithashtu të mëdhenj: Eskili, Sofokliu, Aristofani. Ata vërtet kanë ngrënë nga thërrimet e tryezës së Homerit, por në një farë mënyre janë vetë homerikë. Pastaj ka një golle të madhe në letërsi, gati një hiatus, pa mohuar emrat e rëndësishëm. Kështu arrihet tek emri tjetër i madh, i Virgjilit, që është një rikthim faustian tek Homeri. Pas Virgjilit substanca letrare nuk është më shumë e dendur. Poetët bizantinë plotësojnë. Antologjia Palatine është një pikë reference. Nga Virgjili tek Dante vërtiten 14 shekuj. Edhe Dante në një farë mënyre prapë është një rikthim, por jo një klonim i Homerit. Dante bëri të pamundurën, e rikonstruktoi edhe një herë sipas humanizmit të krishterë, paganizmin. Pikërisht midis Virgjilit dhe Dantes planeti nxori poetë të hatashëm kinezë si Li Bo dhe Du Fu. Këta duket si poetë paganë dhe laikë. Qytetaria e tyre është e padiskutueshme, janë të mahnitshëm dhe delikatë. Shekulli VIII i poezisë klasike kineze është shumë më i emancipuar se sa vetë Dantja. Nuk kemi të bëjmë me një parathënie, sepse bota poetike kineze duket e mëvetëshme. Kjo është një botë e vetëmjaftueshme, madje edhe për ditët e sotme. Në një histori të letërsisë botërore emrat e Li Bo dhe Du Fu do të ngjanin si enigma kozmike. Këtu nuk hyjnë më në punë kronologjitë, as frymëzimi i kultizuar i epokave, as teoritë deterministe të Ipolit Tenit. Pse janë kaq të veçantë e kaq të thellë poetët kinezë? Nga buron kjo plotfuqishmëri e tyre magjike? Emancipimi i tyre poetik është një humanizëm sui generis. Socialiteti dhe filozofia e tyre janë në një harmoni, ku kontradiktat nuk na hutojnë, por na kthjellojnë. Poetët e vjetër kinezë janë gati indiferentë për rrymat dhe shkollat letrare, që kanë torturuar Europën e artit. Atyre u mjaftojnë novacionet e tyre, janë shumë të qartë për gjithçka. Natyrisht format e poezisë kineze janë të shumëkuptimta, rrotulluese, të brendshme. Kinezishtja është një gjuhë e dallueshme, e pangjashme me të tjerat, por absolutisht nga gjuhët më të mëdha të botës. Ajo është një gjuhë e planetshme. Ndryshimet brenda vetes vetëm e pohojnë atë. Poezia është në një farë mënyre një revolucion i qetë dhe i pabujshëm brenda gjuhës. Duket sikur kjo poezi e zhduk kufirin midis materiales dhe shpirtërores, por shpirti është i prekshëm si ujëvarat, i luhatshëm dhe i lëvizshëm si ajri, mbartës shkëlqimesh dhe nuancash. Poeti modern dhe i vështirë Ezra Pound u fiksua mbas idesë së modelit të poezisë kineze për tërë poezinë botërore. Ideogrami kinez qe për të çudia e çudive. Ndoshta jo fonetikisht. Pound besonte tek kuptimet, që lëvizin dhe koncentrohen.
