Nuk të lë i ligu…

redaktor

Tek ecën në rërën e bollshme të Divjakës, nëse e kthen kokën në një krah; do të shohësh detin, nëse e kthen në krahun tjetër, do të shohësh kënetën. Duke qenë në efektin e shoqërimit të ideve, më përqaseshin: me dy anët e një medalje, si dhe me pallatet e ndërtuar në kohën e monizmit: që, suvatoheshin vetëm në anën e dukshme të qytetit. Dikur me detin krahasoheshin revolucionarët dhe me kënetën, reaksionarët. Sa për informim, në Myzeqe, kanë lindur shumë iniciativa revolucionare si: kooperativa e parë apo letra e punëtorëve të fabrikës së letrës kundër festivalit të 11-të këngës në radio-televizion, siç ka patur dhe qendra internimi më shumë si kudo tjetër. Në fakt, një pushues s`ka pse i mendon këto, për më tepër, kur sheh se dhe mjedisi është i pastruar nga plehërat. Dihet që bishtrat janë të bezdishme, nëse i vë qëllim vetes t`i dorëzohesh natyrës. Po të lë i ligu të zësh rehat?!

Në një ditë si kjo: të larjes së mëkateve, kur njerëzia rend gati me ngulç drejt detit për t`u pastruar nga e keqja, i nxit mendimet të rrëshqasin gjetkë, shpesh duke mos iu bindur vullnetit tënd. Mos po e ndotim detin aq shumë, sa këneta të na duket mall para tij? Flitet se revolucionarët janë bërë pronarë të lagunave dhe reaksionarët heqin reumatizmën në rërën e nxehtë të plazhit…

Kaq u desh, të sillja në mend fjalët e një biologu të huaj, në një nga emisionet e kanalit të njohur televiziv “Explore”, i cili para një moçalishteje, tha këto fjalë: ”Nëse njerëzit ndjejnë ndot për moçalin, për zogjtë ajo është një parajsë e vërtetë.” Hajde gjeji zogjtë në Shqipëri, që, t`i gëzohen kësaj parajse! Nuk duhet të jetë rastësi që mbreti ynë i vetëm, i vetëshpallur, mban emrin Zogu I? Mos vallë duhet ta tjetërsojmë mendimin që kemi për zogjtë, pasi krahët dhe fluturimin ua kanë marrë njerëzit?

I mahnitur nga një shushunjë, që mbante në dorë, biologu tha dhe këtë tjetrën: “Shihni këtë krijesë të mrekullueshme, sa e bukur që është!” Ku ishte parë dhe dëgjuar të thuhen fjalë kaq poetike për kënetën dhe shushunjën?! Me këtë të fundit ishin krahasuar dikur bejlerët dhe tregtarët, të cilët i thithnin gjakun popullit. Ndërsa në ditët e sotme të duket, sikur populli, veçse dhuron gjak. Tek shihja detin: mu kujtua “Zgalemi” i famshëm i Gorkit, i cili, çante ndër stuhira e dallgë. Sigurisht tani ai është i ballsamosur, duke zbukuruar lokalet luksoze buzë detit. Edhe nga ana e detit, prapë zogu shijon. Një popull që zogun e ka na flamur, i lejohen krahasimet me të. Dikur komunistët krahasoheshin me shqiponjat që fluturonin lart. Edhe një vajzë, kur duan ta ngacmojnë i thonë: “Zogu!”

Dihet që fusha e Myzeqesë, hambari i Shqipërisë, dikur ka qenë kënetë. ”Ne i thamë kënetat, por ato na mbetën në shpirt.”-do më thoshte një miku im. Si të mos i kujtoja fjalët e tij, tek sa shihja ngutin e njerëzve, që i turreshin detit për të larë mëkatet?! Doja të dalloja mes mëkatarëve: politikan, shtetar, qoftë dhe vipa, por, kudo vërshonte populli i thjeshtë, i cili mezi e kishte pritur këtë ditë, që të pastrohej prej mëkateve. Përderisa politikanët hedhin aq shumë baltë kundër njeri-tjetrit, e keqja u ka dalë jashtë dhe, me sa duket, pastrohen në vaska prej ari, siç i ka akuzuar Berisha, të cilin, doja ta shihja këtu mes popullit të thjeshtë, të thyente ndonjë rekord të ri në not. Është rast i pazakontë që një timonier ta shohësh duke notuar, ndërsa populli i tij hiqet zvarrë drejt detit, sikur do të shpëtojë prej xhindeve. Ethet e malarjes të tilla kanë qenë, por, premtimi i qeverisë për spërkatjen e bregdetit me avion, ua ka hequr të zinjëve stresin e pickimeve. Do më pëlqente shumë, të shihja dhe Nanon, i cili qe betuar se do ta bonifikonte kënetën e politikës shqiptare dhe me sjellje prej garipi, t`i hidhte “guralecët” në det.

Në fakt, plazhi i Divjakës, frekuentohet prej njerëzve të thjeshtë, pa salltanete, ku dallojnë refugjatët dhe në shumicën e saj: popullsia rurale, që, e merr bukën me vete. Meqë politikanët na e kanë sjellë në majë të hundës nëpër ekrane dhe gazeta, uroje veten, që në kohë pushimesh, t`i kesh larg. Ndoshta kjo do të ishte një reklamë e mirë, që, ky plazh të frekuentohej sa më shumë. Është i vetmi plazh, që nuk e ndjen mbipopullimin dhe kapardisjen e të kamurëve, ku zemërgjerësia e detit shoqërohet me hapsirën e rërës dhe të pyllit, që, në një film është quajtur “Pylli i lirisë”. I lirë për kë: kuajt e egër apo “derrat e kënaqur”?

Nuk thonë kot: “S`të lë i ligu të bësh rehat”?! Sa herë do që të mos e takosh një njeri, ai të del përpara. Ku ma gjen njeriun, por është hija e tij, që të ndjek pas si erininit greke ndiqnin Orestian! Në rërën e plazhit prej shumë ditësh, nën ruajtjen e policisë, rrinte avioni krahthyer i drogës. Në të gjitha përfytyrimet poetike avionët krahasohen me zogjtë. Nuk di për këtë “zog haleje”, më falni, ju kërkoj ndjesë, “zog droge”: me fytyrë nga këneta, na bën të besojmë në fjalët e biologut, se moçali është vërtetë një parajsë? Ai rri aty si një qyqar, pavarësisht se për politikën qëlloi si një zog i shkruar. Në vendin ku janë zhdukur fazanët, thëllëzat, pelikanët, zogu krahthyer i politikës, rri i ngecur në rërë, sikurse Zgalemi i ballsamosur i Gorkit në lokalin lukzos. Krahthyer nga pabesia e rërës, apo krahshkulur nga vullneti politik, që zogj mortor të mos fluturojnë më në qiellin plot halle të shqiptarëve? Gjithkush nga ne do ta dijë të vërtetën e kësaj dileme. Gjithsesi ne të vonuarëve na duhet ende të presim, duke shpresuar, që të mos ndodh ajo që thotë Bernand Shou: “Politikanët u premtojnë njerëzve, pikërisht ato që s`ua japin kurrë”. Shumë plazhistë bëjnë foto rreth avionit, hareshëm, fundja janë pastruar nga mëkatet, ndërsa ata që e thithin cigaren e drogës cepave, tallen me pilotin italian, që, u bë gazi i botës.

U largova nga avioni, sepse doja t`i përkisja natyrës së lirë, larg baltosjes së politikës, që, shpesh na i nxin ditët me babzitjet e të ngijshmëve. Nuk thonë kot: shpëton nga shiu dhe bie në breshër. Një gazetashitës tundet gazetat, duke i ftuar plazhistët të njiheshin me skandalin e fundit të Bankës së Shqipërisë. Në faqet e para të gazetave dukej pozant guvernatori i bankës, për të cilin qytetarët nënshkruanin një peticion duke i kërkuar dorëheqjen. Shqiptarët njohin veçse vetëshpalljen, ndërsa dorëheqjen e japin vetëm atëherë, kur rrugën ua mbyll humnera. I vetmi, nga të gjitha institucionet shqiptare, që, mbart një emërtesë alla amerikane, “guvernator”, është paraxhiu i shqiptarëve, zoti Fullani. Ai shfaqet përherë shik, ashtu siç i ka hije gjithkujt që mburret me parat e të tjerëve, që, për kollaj mund t`i bëjë dhe të vetat. A mund të krahasohet ai me Suden e Tiranës apo “gjeneral Rrapushin” e Lushnjes? I rashë kryq e tërthor plazhit, me idenë se diku do të hasja guvernatorin, se të tjerët janë në qeli, të kridhej në det, për të larë dhe ai mëkatet, por, më kot. Vetvetiu më erdhi në mend shprehja e hershme:”Ujë nga lart vjen i kulluar, por, turbullohet rrugës.”, sigurisht prej këtyre mëkatareve që i turren detit për t`u pastruar prej mëkateve. Dikush më tha:”Atë, s`ka det që e lanë!” Nuk iu përgjigja, por më shkoi mendja tek komisioni i pastërtisë së figurave, ku të gjithë dalin të larë dhe gjithandej ankohen për bashkëpunëtorë të sigurimit, apo të lidhur me mafien, të cilët na thuhet se janë në parlament dhe në pushtet, por, si nuk e njohëm njërin prej tyre?! Megjithatë, populli i turret detit për të larë mëkatet… me sa duket të bijëve të vetë plangprishës.

Përpiqu sa të duash t`i mbysësh ca mendime, por ato dinë not dhe dalin mbi ujë. Nevojës time për t`u kapur tek shpresa, gjë që u ndodh shpesh të zinjëve shqiptar, e rrezëlliti ky mendim, pa ditur se ku e kam lexuar:

“Ka zogj që jetojnë në kënetë dhe nuk ndoten kurrë prej saj.” Së pari mu kujtua Naim Frashëri. Pak kush e di se poeti ynë kombëtar ka punuar si doganier në Sarandë dhe se i vëllai, Samiu e falenderon për ndershmërinë e treguar. Filluan me radhë të më kujtohen: Luigj Gurakuqi, Ministër i Financave të qeverisë së Nolit, i akuzuar se në arrati kishte grabitur thesarin e shtetit! Kur u vra, kishte një këmishë të grisur dhe çorape të arnuara. I gjetën në xhep 360 lireta. I akuzuar qe dhe kryeministri Fan Noli për 300 franga ari, gjë që s`u vërtetua kurrë.

Dihet që gangsteri më i madh i arkës së shteti është Zogu I. Nuk do ishte keq, që avioni i drogës i rrëzuar në rërën e Divjakës të mbante emrin e tij. Megjithëse e di, që do më zemërohen për këtë, pasi mund të thirrej dhe me emra të tjerë, që, përfliten për gjithfarsoj vjedhjesh të shekullit. Meqë këneta sipas biologut në fjalë është një parajsë për zogjtë, desha të ktheja emërtimin “Zogu I” në një simbol për të gjithë grabitqarët e shtetit shqiptar të të gjitha kohërave. Kjo duhet të jetë arsyeja, që, në Shqipëri nuk kanë duk zogjtë dhe i shfarrosin pa pikën e mëshirës. Kujtoni po deshët “Shtergun e fundit”: Lasgush Poradecin, që, u hoq zvarr si në kohën e Zogut të Parë dhe të Sekretarit të Parë, sepse ia kishin shkulur krahët, pavarësisht se Pegasi i tij endej qiejve.

Meqë jemi në 70 vjetorin e çlirimit të vendit, gjeti shteg dhe mu kujtua një episod nga historia e Brigadës së Parë partizane. Fill pas pranimit në parti, një partizan u gjet i vetëvrarë. Në një letër shpjegonte arsyen pse po vriste veten. Në rrobat e një gjermani të vrarë, partizani në fjalë kishte gjetur disa marka, të cilat në vend t`i dorëzonte në komandë, i kishte përvetësuar. Kur e pranuan në parti, u ndje me faj të madh për monedhat e padeklaruara dhe, i dha vetes dënimin kapital. Ishte një prej këtij populli, i cili rend drejt detit për t`u pastruar prej mëkateve. Sot me një vdekje të tillë është pak të tallesh. Ndoshta kjo vjen, ngaqë jemi ndotur aq shumë dhe, nuk kemi motivet e mjaftueshme për ta nderuar? Në këtë hajdutëri të paafre, nuk ka si të mos kujtohet “gjysma e lekut” kokës, çmimi i një fisheku, me të cilin u asgjësua klasa e të pasurëve. Ata u dënua hapur, sheshit, me tamtame dhe brohorima dhe, jo kështu, me vrasës me pagesë, (sigurisht një shumë e madhe parash: qoftë prej porositësve të vrasjes apo të shtetit për t`i kapur), si i ndodhi bankierit të ndjerë, Santos.

Ajo që më habiti, ishte një kanal i madh, që, po hapej prej eskavatorëve. I duhej edhe pak punë, që kanali të lidhte kënetën me detin. Me sa duket: për të zhdukur dhe dallimin mes tyre. S`kemi ç`bëjmë: është koha jote, o zog kurve!

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *