Dhjetëra mijëra protestues në Hong Kong kanë sfiduar ndalesën e policisë dhe kanë dalë në qendër të qytetit për të marshuar.
Të ashtuqujtuarat protestat e fundjavës në Hong Kong janë shoqëruar me përleshje mes protestuesve dhe policisë.
Policia ka përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve pro-demokraci, të cilët kanë hedhur koktej molotovi ndaj kompleksit të qeverisë në qendër të Hong Kongut.
Policia e pati refuzuar kërkesën e Frontit për të Drejta Civile, një prej grupeve organizatore, për protestën e sotme, por pavarësisht kësaj, protestuesit dolën në rrugë.
Policia përdori pompa me ujë të ngjyrosur, një taktikë që njihet për indetifikimin e mëvonshëm të protestuesve.
Pak orë pasi policia përdori pompat e ujit dhe gazin lotsjellës ndaj protestuesve, zjarrfikëset u detyruan të ndërhyjnë për të shuar disa zjarre të vogla, kkyesisht pranë një stacioni metroje.
Protestuesit e veshur me të zeza qëndruan edhe pranë konsullatës britanike, valëvitën flamujt britanik dhe kënduan himnin e këtij shteti, ndërsa i bënë thirrje Londrës që të mbajë qëndrim ndaj Kinës dhe t’u bëjë presion autoriteteve që të respektojnë lirinë e Hong Kongut.
Sipas një marrëveshjeje me Britaninë, Kina ka premtuar që Hong Kongu, kjo ish koloni britanike, mund të ruaj sistemin e tregut të lirë si dhe liritë demokratike deri në vitin 2047.
Banorët e Hong Kongut janë në protestë kundër asaj që ata e konsiderojnë si një cënim të vazhdueshëm të lirive të tyre nga Pekini.
Ende nuk ka raportime për numrin e të arrestuarve apo personave të lënduar, por më shumë se 1,300 njerëz janë arrestuar që nga fillimi i protestave në qershor. Shtimi i dhunës në demostrata e ka dëmtuar edhe më tej ekonominë e Hong Kongut, e cila aktualisht është dobësuar nga lufta tregtare mes Amerikës dhe Kinës.
Protestat në Hong Kong nisën në qershor, pasi qeveria prezantoi një projektligj që do të mundësonte ekstradimin e personave të arrestuar në Kinë. Më pas, qeveria e tërhoqi këtë projektligj, por protestuesit zgjeruan kërkesat e tyre, duke kërkuar zgjedhje të reja dhe që policia të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj.
e.ll./dita

“Policia përdori pompa me ujë të ngjyrosur, një taktikë që njihet për indetifikimin e mëvonshëm të protestuesve.” fyi minister Lleshi!!!