Numrat dënojnë Kukësin, i vogël ndaj të mëdhave

redaktor

Disfata me Partizanin në javën e 13-të të Kategorisë Superiore pas 4 fitoreve radhazi, nxori në pah dobësinë e Kukësit ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë për titullin kampion.

Statistikat janë kokëforta dhe nuk lënë vend për keqinterpretime: Nënkampionët e Shqipërisë shfaqen skuadër e madhe me të voglat, por janë inferiorë kur përplasen me emra të traditës.

Aktualisht formacioni i Artim Shaqirit renditet në vendin e 4-t me vetëm tri pikë më pak se Tirana kryesuese dhe nëse do të ishte ndarë të paktën si i barabartë me kundërshtarët pretendentë pa dyshim se sot do të renditjen në vendin e parë.

Kukësi nuk ka marrë qoftë një pikë në sfidat direkte me Skënderbeun, Tiranën dhe Partizanin dhe janë pikërisht pikët e humbura ndaj skuadrave më të forta ato që kanë bërë diferencën në renditje.

Nëse disfata e parë me Partizanin në “Zeqir Ymeri” u konsiderua rastësi, inferioriteti i verilindorëve përballë emrave të mëdhenj u konfirmua në përballjet me Tiranën dhe Skënderbeun.

Sigurisht që nënshtrimi pa kushte ndaj të kuqve në përplasjen e dytë sezonale është një këmbanë alarmi për drejtuesit që duhet të ndryshojnë diçka sidomos në anën psikologjike. Një tjetër fakt mjaft domethënës është shterpësia e Pero Pejic përballë skuadrave të mëdha.

Kryesuesi i listës së golashënuesve të Superiores, nuk i ka ndëshkuar në asnjë rast tri skuadrat e para të renditjes, edhe pse në total ka realizuar 7 gola.

Të dhëna këto që kanë nevojë për një analizë të thellë për të ndryshuar një tendencë e cila e ka penalizuar skuadrën nënkampione të Shqipërisë në 13 javët e para të sezonit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *