Numri i abonentëve celularë në botë kalon shifrën 5 miliardë

Dita

Industria e telekomunikacionit ka regjistruar abonentin e saj të 5 miliardtë, sipas të dhënave të GSMA. Kjo shifër nënkupton se tashmë, mbi dy të tretat e popullsisë botërore janë të lidhur me një shërbim celular.

Por të arrihej tek ky numër nuk ka qenë e lehtë, pasi për të bërë 1 miliard abonentët e fundit janë dashur 4 vjet.

“Të arrish rekordin e 5 miliardë abonentëve është një arritje e madhe për një industri që është vetëm disa dekada e vjetër, dhe reflekton miliarda dollarët që operatorët celularë kanë investuar në rrjete, shërbimi dhe frekuenca gjatë viteve”, thotë Mats Granryd, drejtori i përgjithshëm i GSMA.

“Sot industria celulare është një platformë vërtet globale, duke bashkuar, por mbi të gjitha duke u dhëna mundësi sociale dhe ekonomike të gjithë njerëzve në çdo cep të botës. Kjo shtrirje masive e lejon industrinë të bëhet një lojtar kyç në shpërndarjen e iniciativave globale si Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara”, vijon Granryd.

Më shumë se gjysma e abonentëve ndodhen në rajonin e Azisë së Paqësorit, ku ndodhen edhe dy tregjet më të mëdha: Kina dhe India. Kina numëron mbi 1 miliard abonentë, ndërsa india 730 milionë.

Zona ku ky shërbim ka gjetur më tepër shtrirje ndërkohë është Europa, ku 86% e popullsisë janë regjistruar në një shërbim telekomunikacioni. Ajo ndiqet nga Amerika e Veriut, ku kjo shtrirje arrin në 80% të popullsisë.

Zona e Afrikës Sub-Sahariane është ajo me shtrirjen më të ulët, 44 për qind.

Tashmë fokusi i operatorëve do të jetë në ndërlidhjen e  popullatave kryesisht rurale, me të ardhura të ulëta.

Ndërsa në tregjet e zhvilluara, ku zgjerimi i abonentëve është duke u ngadalësuar, operatorët po zhvillojnë modelin e tyre të biznesit për të rritur vlerat brenda ekosistemit të telekomunikacionit, duke ofruar një platformë për epokën e re dixhitale të teknologjisë 5G.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *