Numri i kartave bankare arrin në 870 mijë

Dita

Numri dhe përdorimi i kartave bankare është zgjeruar më tej në gjysmën e parë të vitit 2015. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në mesin e këtij viti, numri i kartave bankare aktive ka arritur në 870 mijë. Gjatë gjashtë mujave të parë të vitit, numri i kartave bankare aktive është shtuar me më shumë se tetë mijë njësi.

Në harkun e pesë viteve të fundit, numri i kartave bankare është rritur me 54%, si pasqyrim i rritjes së përdorimit të instrumenteve të pagesave bankare nga publiku shqiptar. Sot afërsisht një çdo tre shqiptarë zotëron një kartë bankare. Shumica e kartave të lëshuara nga sistemi bankar shqiptar i takojnë shoqatave të mëdha globale të pagesave, si “Visa”, “Master Card”, apo “American Express”, që mund të përdoren për të kryer pagesa pothuajse në të gjithë botën. Shumica e kartave bankare, mbi 90% e tyre, janë karta debiti të lidhura me llogaritë rrjedhëse të individëve.

Megjithatë, edhe numri i kartave të kreditit është rritje të ndjeshme, vit pas viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të Qershorit 2015, numri i kartave të kreditit arriti në mbi 78 mijë. Në harkun e pesë viteve të fundit numri i kartave të kreditit është rritur me 3.4 herë. Kartat e kreditit janë një tregues më domethënës, duke qënë se janë produkte më të avancuara. Përmes tyre, klienti merr paraprakisht një linjë të hapur kredie nga banka për kryerjen e pagesave direkte apo për tërheqje, duke i shlyer ato më vonë në kohë. Sidoqoftë, përdorimi i kartave ngelet ende i dominuar në operacionet më të thjeshta, që janë tërheqjet e parave cash nga bankomatet, raporton Scan TV.

Nga afro 109 miliardë lekë veprime me karta gjatë tetë muajve të parë të këtij viti, rreth 92% janë tërheqje cash. Sidoqoftë, edhe pagesat përmes pikave elektronike të shitjeve, të vendosura në njësi tregtare, kanë arritur vlera të konsiderueshme, me afro 7.5 miliardë lekë ose rreth 54 milionë euro deri tani gjatë këtij viti.

Ekspertët e pagesave mendojnë se rritja e përdorimit të pagesave direkte sjellë përfitime praktike dhe ekonomike. Pakësimi i përdorimit të cash sjell ulje të konsiderueshme të kostos së transaksioneve, me përfitime që mund të shkojnë disa pikë përqindje ndaj prodhimit kombëtar të një vendi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *