Shtëpia e Bardhë thotë se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë nuk mund të shihen vetëm në kontrastin bardh e zi. Zëdhënësi Jay Carney bëri dje komente për shtyp lidhur me vendimin e Presidentit Obama për të anuluar takimin e muajit të ardhshëm në Moskë me Presidentin rus Vladimir Putin. Zëdhënësi Carney tha se ndërkohë që Shtetet e Bashkuara shënojnë përparim në marrëdhëniet me Rusinë në disa fusha, do të ketë gjithmonë mosmarrëveshje në fusha të tjera. Këtu përfshihen Siria, mbrojtja nga raketat dhe çështja e kontraktorit Snowden.
Presidenti Barack Obama anuloi takimin me Presidentin rus Vladimir Putin të planifikuar për muajin e ardhshëm, para takimit të Grupit të 20-shes në Rusi.
Për një president, që përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë e kishte ndër përparësitë e politikës së tij të jashtme, një shuplakë e tillë diplomatike ndaj presidentit Putin, shënon një pikë-kthese në marrëdhëniet e tij me udhëheqësin rus dhe në marrëdhëniet mes të dy vendeve.
Shtëpia e Bardhë theksonte përmes një deklarate se pas një “analize të kujdesshme” u arrit në përfundimin se “nuk kishte përparim të mjaftueshëm” në marrëdhëniet dy palëshe që të justifikonte mbajtjen e takimit në fillim të shtatorit.
Deklarata vinte në dukje fushat ku Uashingtoni dhe Moska kanë bashkëpunuar, përfshirë traktatin për pakësimin e armëve bërthamore, Afganistanin, Iranin dhe Korenë e Veriut.
Por ajo theksonte se për shkak të mungesës së përparimit për çështje të tilla, si mbrojtja nga raketat, kontrolli i armëve, marrëdhëniet ekonomike dhe tregëtare, çështjet e sigurisë globale dhe të drejtat e njeriut, “do të ishte më konstruktive për ta shtyrë takimin mes dy udhëheqësve”.
Mosmarrëveshja më e madhe mes të dy vendeve ishte dhënie e strehimit të përkohshsëm nga Rusia për Edward Snowden-in, ish kontraktuesin e agjencive amerikane të zbulimit, që bëri publik një program të fshehtë përgjimi të qeverisë amerikane.
Presidenti Putin, e kundërshtoi kërkesën amerikane për ta dëbuar Snowden-in nga Rusia në mënyrë që ai të përballej me akuzat për spiunazh në Shtetet e Bashkuara.
Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhej se kjo çështje ishte “një prej faktorëve” që u shqyrtuan gjatë analizës së marrëdhënieve të tanishme mes dy vendeve.
Gjatë një paraqitje në emisionin e rrjetit NBC, “The Tonight Show with Jay Leno” ditën e martë në mbrëmje, presidenti tha se ai ndihej “i zhgënjyer” që Rusia i dha strehim Snowden-it, duke shtuar se ky veprim “pasqyronte disa sfida” në marrëdhëniet me Moskën.
Ai përmendi bashkëpunimin me Rusinë kundër terrorizmit, siç ishte rasti i shpërthimeve në Boston, apo linjat e furnizimit për forcat amerikane në Afganistan, por theksoi se ka patur raste kur Rusia “ka mbajtur qëndrime të kohës dhe me mentalitetin e Luftës së Ftohtë”.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të mërkurën se presidenti Obama, do të shkojë në Suedi para takimit të G-20 që do të zhvillohet në Shën Petërburg, në të cilin presidenti ende ka në plan të marrë pjesë.
Ndërsa po bëhen vlerësimet për dëmin që do të shkaktohet nga shtyrja e takimit të dy udhëheqësve, takimet e planifikuara më parë mes Sekretarit të Shtetit John Kerry dhe Sekretarit të Mbrojtjes Chuk Hagel me homologët e tyre rusë në Uashington, do të zhvillohen sipas parashikimit.
Shtëpia e Bardhë thotë se synimi i takimeve është të vlerësojë se si të dy vendet “mund të arrijnë përparim për një gamë të gjerë çështjesh” në marrëdhëniet e tyre dy-palëshe.
Siria vazhdon të jetë një prej mosmarrëveshjeve më të mëdha mes të dy vendeve. Rusia vazhdon të mbështesë presidentin Bashar al-Assad në luftën e tij kundër kryengritësve. Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar mbështetje dhe furnizime me armë të lehta kryengritësve.
Pak përparim është arritur për propozimin e mbajtjes së një konference ndërkombëtare me pjesëmarrjen edhe të qeverisë së zotit Assad edhe të koalicionit të forcave kryengritëse në Siri. Numri i vdekjeve në Siri si pasojë e luftimeve, mendohet se i ka kaluar 100 mijë. / VOA
Kush i ka gjuajtur njeri tjetrit nuk po e kuptpj dhe ku eshte shuplaka nuk po e shof!Jemi kthyer si ne kohen e Kinezerise ku vetem shoku Mao kishtd te drejte.Ne fund te fundit te dy arme po i shesin Sirise e ai popull po vritet perdite e sponsorizuar nga dy superfuqite.Rusia mbeshtet “Burra shteti”si Basharet,e Amerika ‘Burra shteti “si Berishet.Ku eshte ndryshimi nuk e kuptoj!