O ju këmbë pse më lini?!

J L

(Baladë jo vetëm për veten)

 

O ju këmbë që po më lini,

Ç’kini-moj të shkreta-ç’kini,

Ç’kini-moj-që më mërdhini,

pa ardhur akoma dimri?!

 

Ju që më kini gjezdisur,

në çdo anë më kini nisur,

kurrë s’më kini gremisur,

as gremisur-as braktisur!

 

Ç’patët-moj-si e pësuat,

para kohe u dorëzuat,

ca si shpejt më tradhëtuat,

porsi shkëmbi u rënduat!

 

Dje në këmbë si kapedani,

sot më dhembni e më çani,

më lanë këmbët e mia,

pa më ardhur pleqëria!

 

S’e kisha menduar kurrë,

se unë jam dy metra burrë,

ngjisja malin me një frymë,

i shpejtë si vetëtimë!

 

Hiqmi-Zot-këto gjilpëra,

për gjithë rrugët e pabëra,

s’ka ardhur koha për gjumë,

kemi për të ecur shumë!

 

Ah-që jam plagosur rëndë,

se këmbët të mbajnë në këmbë,

po ende s’më ka parë bota,

mbi një karrige me rrota!

 

Sa ende më mban firoma,

dorëzuar s’jam akoma,

po m’u prenë këto të shkreta,

ndaj ulur në kafe mbeta!

 

Pyes Zotin ndonjëherë,

pse të shkretat m’i ka prerë,

pse m’a bëri të vështirë,

dhe pse jam një burrë i mirë?!

 

Ma kthen Zoti ironik:

“Mos u përkëdhel-o mik,

mos e mendo jetën dreq,

se ka keq edhe më keq!

 

Ka që jetën kanë jetuar,

fare pa këmbë e pa duar,

ti gjëmon e po tund vendin,

vetëm pse këmbët të dhembin!

 

Ka keq e më keq nga ty,

që jetojnë dhe pa sy,

unë jam Zot mbi atë Tokë,

që t’u mbaj mëndjen në kokë!”

 

Kështu foli Zoti im,

po s’më dha shumë ngushëllim,

se shikoj edhe kam parë,

plot sakatë-po dhe të marrë!

 

Ndaj duro-o i duruar,

se kështu fatet janë shkruar!

Do duroj-o mik i vjetër,

do duroj se s’kam ç’bëj tjetër!

 

Stamboll-Tiranë 2007-2016

 

Botuar në Dita, 30 Gusht 2-16

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *