Lufta kundër ISIS, Obama autorizon një mision ushtarak në Afganistan

redaktor

Presidenti amerikan Barack Obama, ka firmosur një urdhër të fshehtë që autorizon një mision më të madh ushtarak në Afganistan gjatë 2015-ës, sipas të përditshmes amerikane “The New York Times”. Ky vendim u lejon trupave amerikane të ushtrojnë një rol direkt në Afganistan, për të paktën edhe një vit.

Vendimi i Obamas mendohet se është bërë gjatë një takimi me këshilltarët e Sigurisë Nacionale në Shtëpinë e Bardhë. Në muajin maj Obama pohoi se Ushtria Amerikane nuk do të kishte një rol luftarak në Afganistan gjatë 2015-ës, prandaj misionet e 9800 efektivëve të dislokuar do të limitoheshin për të stërvitur forcat afgane dhe të ndalonin “mbetjet” e Al Kaedas.

Ky urdhër i ri i firmosur nga Presidenti u lejon trupave amerikane të vënë në zbatim misione kundër talibanëve dhe milicëve të tjerë që përbëjnë një kërcënim për sigurinë e ushtrisë, apo të qeverisë afgane. Gjithashtu ky autorizim i hap dritën jeshile sulmeve ajrore për të mbështetur luftën e forcave afgane, që në disa raste shoqërojnë efektivët e tyre në operacionet kundër talibanëve.

Vendimi për të ndryshuar misionin ka qenë rezultat i një debati të gjatë që ka vënë në dukje tensionin që ekziston në gjirin e Administratës Obama dhe përfshin: Premtimi i Presidentit për t’i dhënë fund luftës në Afganistan dhe kërkesat e Pentagonit që trupat amerikane të mund të përfundojnë me sukses misionet ushtarake që janë parashikuar në vend.

Roli ushtarak i SHBA-së në Afganistan në vitin 2015 ka qenë një çështje ekstremisht e diskutueshme për shumë kohë. Zyrtarët amerikanë pranojnë që edhe pse debati për natyrën e rolit ushtarak të SHBA-së është i hapur prej kohësh, dy çështje të fundit kanë prekur në mënyrë sinjifikative rezultatet e tyre.

Një prej tyre është, kritikat me të cilat po përballet Obama pas avancimit të forcave të Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri dhe çështja e dytë është ardhja në pushtet e Presidentit Ashraf Ghani në Afganistán, që është shfaqur shumë më i hapur ndaj zgjerimit të misionit ushtarak të SHBA-së në vend se sa paraardhësi i tij, Hamid Karzai.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *