Obama dhe marifeti rreth problemit Guantanamo

anazapta

Ku merren në pyetje tani të dyshuarit për terrorizëm? Presidenti Barack Obama, duket se ka gjetur një mënyrë për të mos iu drejtuar më Guantanamos ose ndonjë burgu tjetër klandestin për të mbajtur “terroristët” e kapur jashtë Shteteve të Bashkuara

Pas kapjes më 5 tetor, në Tripoli, të kaedistit libian Abu Anas al Libi, nga forcat speciale amerikane,  anija luftarake “USS San Antonio” e “mikpriti” atë për më shumë se një javë, deri sa të martën e kaluar, u paraqit në gjykatën e Nju Jorkut për t’u përgjigjur ndaj akuzave për terrorizëm.  Gjykatësi Leëis Kaplan, i cili drejton çështjen kishte përcaktuar paraprakisht se, sipas ligjeve të luftës, qeveria ka të drejtë t’i mbajë të burgosurit në bordet e anijeve amerikane në ujërat ndërkombëtare dhe se kjo e drejtë nuk shkon kundër me ato të të burgosurve për një gjykim të shpejtë. Pra al Libi nuk u dërgua në Guantanamo, por u mor në pyetje në bordin e luftanijes amerikane e cila përshkon Mesdheun dhe që para disa javësh ishte mobilizuar për të sulmuar Sirinë.

Nuk ka kohë për tortura

Problemi lind te fakti se pasi të pandehurit i lexohen të drejtat e tij, vihet në lojë mekanizmi gjyqësor amerikan, që nuk lejon marrjen në pyetje pa praninë e avokatit mbrojtës dhe as përdorimin e torturave. Prandaj, administrata amerikane druhet se mos humbet informacione të çmuara meqë nuk ka mundësi të “punojë” për një kohë të gjatë dhe pa shumë ndërhyrje me të burgosurit.

Zgjidhja e re i lejon presidentit amerikan të mbajë formalisht premtimin e tij për të mos ushqyer edhe më tej sistemin e Guantanamos. Kështu i vendos jashtë territorit amerikan vendet e mbajtjes së të burgosurve të dyshuar për terrorizëm, duke i shpëtuar në këtë mënyrë juridiksionit amerikan. Praktikisht nuk ndryshon gjë, pasi përdoren të njëjtat mjete për marrjen në pyetje të të burgosurve, zhvendosja e tyre është thjesht një marifet formal.

Kursejnë Guantanamon

Pra, nuk është asgjë më shumë se një variant i sistemit të vjetër, i cili u kritikua jo për vendndodhjen e veçantë të qendrës së paraburgimit, sesa për fshehjen e asaj që ndodh atje dhe minimin e të drejtave themelore të të burgosurve, madje edhe të atyre të garantuara nga konventat e luftës.

Që në vitin 2011, administrata amerikane e kishte bërë të qartë se qeveria e ka forcën për të mbajë çdo të burgosur për një kohë të pacaktuar mbi bordin e anijeve të saj. Dhe që në atë vit ishte verifikuar një rast i tillë, i cili u duk se ishte I vetmi për shkak të bashkëpunimit të shpejtë të të burgosurit me autoritetet e Shteteve të Bashkuara. Sot në fakt vërtetohet se sistemi konsiderohet i praktikueshëm dhe se është një alternativë e Guantanamos.

Abu Anas al Libi, deklaroi se nuk është fajtor për akuzat që e lidhnin atë me shpërthimet në dy ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani, ku u vranë më shumë se 200 njerëz (mes tyre edhe 12 amerikanë), por mister mbetet trajtimi i tij  gjatë kohës kur ndodhej në bordin e “USS San Antonio” dhe se çfarë informacionesh të tjera u ka ofruar hetuesve që e morën në pyetje./D.Gjuzi  

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *