Tre anëtarë të lartë të ISIS janë vrarë gjatë një sulmi ajror amerikan në veri të Irakut, bënë të ditur zyrtarët e lartë të sigurisë.
Dy ditë pasi ISIS publikoi një video të ekzekutimit të gazetarit amerikan Steven Sotloff, avionët amerikanë kanë goditur mu në zemër të ISIS në Mosul, duke vrarë xhihadistin e shumëkërkuar Abu Hajar Al Sufi- krahun e djathtë të kalifit të vetëshpallur Abu Bakr Al Baghdadi.
Ndërkohë në samitin e NATO-s në Uells këtë pasdite, Sekretari i Shtetit, John Kerry, i dorëzoi presidentit Obama një letër me disa shënime, ndërkohë që po fliste kryeministri britanik David Cameron.
Pak pas kësaj, mediave iu kërkua që të largohen nga salla.
Ka spekulime se Kerry e informoi Obamën për vrasjen e Al Sufi.
Kjo mendohet se është goditja më e madhe e SHBA që kur nisi sulmet ajrore muajin e shkuar ndaj ISIS.

