Presidenti amerikan, Barack Obama, priti në një takim zyrtar në zyrën ovale homologun e tij francez, Francois Hollande, në lidhje me atë që konsiderohet tashmë si një përgjigje globale kundër grupit xhihadist të Shtetit Islamik.
Udhëtimi i Hollande në Uashington është pjesë e nismës diplomatike të tij për të fituar mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, për të përshkallëzuar fushatën luftarake kundër Shtetit Islamik. Në fjalën e tij, Obama tha se “grupi i Shtetit Islamik nuk duhet toleruar aspak dhe se duhet shkatërruar”. Për këtë, ai iu drejtua presidentit francez, duke i siguruar se “SHBA-të dhe Franca duhet ta shkatërrojnë së bashku ISIS-in”. Obama deklaroi gjithashtu se, së bashku me Hollande, ranë dakord që kombet e bashkuara me koalicionin e udhëhequr nga SHBA-të duhet të bëjnë më shumë për të luftuar Shtetin Islamik, duke e quajtur këtë të fundit si një “grup terrorist barbarësh”. Por, ai theksoi se është momenti i duhur që edhe SHBA-të me Francën të bënin më mirë, ashtu sikurse e gjithë bota.
