Presidenti Barak Obama i kërkoi ndjesë kryeprokurores së Kalifornisë, Kamala Harris, pasi e kishte cilësuar si më tërheqësen nga të gjitha prokuroret e vendit. Komentet e ndaj paraqitjes së 47-vjeçares, që në këtë rast anashkalonin aftësitë e saj u kritikuan ashpër
Pothuajse gjithnjë korrekt politikisht, paladin i të drejtave civile kundër abuzimeve ndaj femrave, Obama përfundoi në vorbullën e kritikave për shkak të një gruaje të bukur, Kamala Harris, kryeprokurore e përgjithshme e Kalifornisë. Faji i presidentit është se e ka cilësuar Harrisin si “prokuroren më tërheqëse të vendit”. Një gafë që i shpëtoi gjatë mbylljes së një mbledhjeje rutinë për grumbullimin e fondeve në Ateron, në jug të Kalifornisë.
Në përfundim të konferencës, përballë 250 personave, Obama lavdëroi cilësitë estetike të kryeprokurores duke i ftuar qytetarët që të jenë të kujdesshëm me të dhe ta respektojnë edhe për faktin se ajo është “kryeprokurorja më e bukur në të gjithë vendin”. Ndër të tjera, Obama tha se ajo ishte e talentuar dhe një “kockë e fortë” në punën e saj: “Ajo është pikërisht çfarë do dëshironit të gjenit në krye të administrimit të drejtësisë”.
Kamala Harris, 47 vjeçe, është një personalitet i fuqishëm dhe në ngritje brenda partisë demokratike: e zgjedhur ministre e Drejtësisë në 2010-n, mund të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme për postin e guvernatores së shtetit. Por ajo është vetëm një nga figurat prestigjoze që Kalifornia i ka dhënë Partisë Demokratike, ashtu si Nensi Pelozi, zëdhënëse e dhomës së deputetëve qëkur Obama u zgjodh president, apo Dianë Feinstein ish-kryebashkiake e San Fransiskos, sot senatore me përgjegjësi brenda Komitetit të Inteligjencës.
Në të vërtetë Harris është cilësuar shpesh si Obama në versionin femëror, por me vlerësimet e tij, presidenti shkaktoi një gjullurdi, duke forcuar idenë se administrata e re është një “vend burrash”.
Opinioni publik amerikan nuk lëshon pe kur bëhet fjalë për politikanët dhe në faqe interneti sillen në vëmendjen e publikut edhe disa precedentë: Sipas “Daily Mail”, vitin e kaluar, kandidati republikan për zyrën e kryeprokurorit, Deivid Frid, tha se forca e rivales së tij, Ketlin Kein, qëndronte në faktin se “ishte simpatike dhe kishte shumë para”. Mit Rumni u kritikua ashpër, sepse gjatë një debati televiziv tha se kishte në dispozicion “pako të mbushura me gra” për postet më të larta në atë që do të bëhej Shtëpia e Bardhë e tij.
Vetë Obama u vu në qendër të vëmendjes në vitin 2008, sepse quajti një gazetare “ëmbëlsirë”. “Por, do të ishte hipokrizi, shkruan ‘Los Angeles Times’, të mohosh se bukuria fizike nuk është një bonus në politikë, mbi të gjitha nëse i bashkangjitet inteligjencës dhe ambicies. Si Obama dhe Rumni kanë fituar shumë pikë pikërisht nga imazhi i tyre”.
Pas lumit të kritikave, Obama i telefonoi kryeprokurores për t’i kërkuar ndjesë. “Në asnjë moment nuk ka qenë qëllimi i tij që të ulte aftësinë dhe kompetencat profesionale të prokurores. Presidenti është absolutisht i vetëdijshëm për sfidën që gratë përballojnë çdo ditë në vendet e punës dhe se nuk duhet të gjykohen nga paraqitja e tyre”, tha për median zëdhënësi i tij, Xhei Karnei.
Përgatiti: Dorina Gjuzi