Presidenti amerikan Barack Obama, në konferencën e parë për shtyp që kur fitoi zgjedhjet, tha se do që t’i mbajë vendet e punës në Amerikë dhe jo t’i transferojë jashtë vendit.
Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara përballen me një afat të përcaktuar për vendimet ekonomike dhe për të zgjidhur krizën për buxhetin. Ai i referohej “katastrofës fiskale”, 600 miliardë dollarë rritje taksash dhe shkurtime buxheti që hyjnë në fuqi më 1 janar 2013. Zoti Obama tha se e vetmja mënyrë për të shmangur një gjë të tillë do të ishte bashkëpunimi.
Ai ripërsëriti qëndrimin e tij për taksat:
“Ne nuk duhet ta mbajmë peng klasën e mesme ndërsa debatojmë për uljen e taksave për të pasurit. Duhet të paktën të bëjmë atë për të cilën biem dakord dhe kjo është mbajtja e taksave për klasën e mesme, të ulëta”.
Presidenti foli gjithashtu edhe për skandalin që solli dorëheqjen e gjeneralit David Petraeas nga posti i kreut të CIA-s.
Presidenti Obama tha se nuk dinte që të kishte pasur ndonjë shkelje të sigurisë kombëtare lidhur me marrëdhënien e gjeneralit Petraeus dhe autores së biografisë së tij, Paula Broadwell. Zoti Obama tha se nuk kishte prova që ishte komprometuar ndonjë informacion sekret që mund të dëmtonte sigurinë kombëtare. Presidenti tha gjithashtu se hetimi ishte në vazhdim.