Tabloja në të cilën presidenti amerikan Barak Obama shfaqet me një kurorë gjembash në kokë dhe me krahët e hapur, duke u mbajtur në një perde blu, do të qëndrojë e ekspozuar deri më 15 dhjetor në Bunker Hill Community College Art Gallery, në Boston.
Piktura që mban titullin “E vërteta”ishte parashikuar të shfaqej në Nju Jork katër vjet më parë, por u anulua për shkak se publiku mund të ndihej i fyer. Autori, Michael d’Antuono, është shprehur për Fox News se kryqëzimi i Obamës duhej të kishte një kuptim metaforik dhe qëllimi nuk ishte krahasimi i tij me Jezusin.
Sipas autorit, polemikat që shkaktuan anulimin e ekspozimit të pikturës u nxitën nga mediat konservatore, në përpjekje për të forcuar bindjen se liberalët e konsideronin presidentin si Shpëtimtari. Kësaj radhe duket se nuk ka ankesa në lidhje me pikturën, e cila është pjesë e ekspozitës me titull “Artistët në podium – Rruga për në Shtëpinë e Bardhë 2012”.
