Presidenti amerikan, Barack Obama, ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund të largohen nga marrëveshja e armëpushimit për Sirinë, që u arrit javën e kaluar, nëse Siria nuk lejon që ndihmat humanitare të arrijnë për njerëzit në Siri.
Pas takimit që Obama pati me ekipin e sigurisë kombëtare më 16 shtator, Shtëpia e Bardhë, përmes një deklarate për media, ka treguar se presidenti Obama “shpreh shqetësim të thellë, se pavarësisht se dhuna në mbarë Sirinë është zvogëluar, regjimi sirian vazhdon të mos lejojë që në vend të hyjnë ndihmat humanitare”.
Obama ka theksuar se, “Shtetet e Bashkuara nuk do të vazhdojnë me hapa të mëtejmë të marrëveshjes së arritur me Rusinë, përderisa të shohim që në shtatë ditët e ardhshme do të zvogëlohet dhuna dhe të ketë qasje që ndihma humanitare të arrijë”, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Kjo deklaratë e presidentit Obama, vjen pasi Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i ka thënë homologut rus, Sergei Lavrov, se Uashingtoni nuk do të pajtohet që të ndërmerren sulme të përbashkëta ndaj militantëve islamikë në Siri, siç është paraparë në armëpushimin njëjavor, derisa Siria të lejojë qasjen e ndihmave humanitare.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby, ka thënë se Kerry dhe Lavrov kanë biseduar në telefon për atë se Shtetet e Bashkuara presin që Moska të përdorë ndikimin që ka te presidenti sirian Bashar al-Assad, që t’i “lejojë konvojet me ndihmat humanitare të Kombeve të Bashkuara të arrijnë në Alepo dhe në zonat e tjera ku është e nevojshme”.
