Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka bërë thirrje për angazhim ndërkombëtar kur ka folur përpara dhjetëra mijëra njerëzve të mbledhur në Berlin.
“Ne nuk mund të fshihemi prapa mureve”, tha Obama, i cili diskutoi për demokracinë dhe përgjegjësinë globale me kancelaren Angela Merkel.
Ky ishte fjalimi i parë i Obamës në Europë që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë. Pasi vlerësoi Merkel si një lidere që ka bërë një “punë të jashtëzakonshme”, Obama mbrojti politikat e ndërmarra gjatë presidencës së tij dhe vlerat e demokracisë liberale, të promovuara nga të dy liderët.
Duke iu referuar rritjes së nacionalizmit dhe ksenofobisë në disa vende të botës, Obama tha para turmës se, “ne duhet t’i kundërshtojmë ato tendenca që shkelin të drejtat e njeriut, shtypin demokracinë, ose kufizojnë liritë individuale”.
Pyetjeve lidhur me krizën e refugjatëve Obama iu përgjigj duke thënë se, shtetet e kanë për detyrë të ndihmojnë njerëzit në nevojë, por gjithashtu t’i bëjnë të qartë popullsive përkatëse natyrën ndërlidhëse të botës.
“Kur ne ofrojmë ndihmë për zhvillim Afrikës, ose jemi të përfshirë në konflikte në zonat ku ka patur luftë, bëjmë investime për ta ndryshuar situatën… Ato gjëra ne nuk i bëjmë vetëm për bamirësi, apo sepse janë gjëja e duhur”, tha Obama.
“Nëse në këto vende ka trazira, nëse ka keqqeverisje, luftë apo varfëri, në botën ku jetojmë, ne nuk mund ta izolojmë vetëveten. Nuk mund të fshihemi prapa mureve”, u shpreh ai.
