Obama riafirmon pushtetin, lëshon urdhër ekzekutiv për emigrantët

redaktor

“Tradita jonë mikpritëse ndaj emigrantëve na ka dhënë avantazhe të mëdha. Na ka bërë një komb dinamik, të ri, sipërmarrës”. Kështu fillon fjalimi i Barack Obamas, që ndryshoi jetën e rreth 5 milionë emigrantëve dhe që hapi një konflikt politik të ashpër me të djathtën, të destinuar për të kushtëzuar zgjedhjet presidenciale të 2016-ës. Prej ditës së djeshme 5 milionë emigrantë në Shtetet e Bashkuara mund të flenë të qetë.

Presidenti Barack Obama njoftoi të enjten reformën emigrantët e paligjshëm, më të madhen në dekadat e fundit. Masat do t’u mundësojnë përfituesve shmangien e deportimit dhe marrjen e një leje pune.

Reforma që Obama merr përsipër, pa mbështetjen e Kongresit, hapë një betejë mbi kufijtë e pushtetit presidencial dhe të ardhmen multietnike të fuqisë së parë botërore. Demokrati Obama shpjegoi të enjten në mbrëmje për Amerikën, një sërë masash që së bashku me reformën sanitare dhe daljen nga recesioni, do të përcaktojnë trashëgiminë e tij politike kur të largohet nga Shtëpia e Bardhë në 2017-ën.

“Nëse ju përmbushni kriteret, mund të dilni nga hija dhe të mbroheni nga ligji. Nëse jeni një kriminel, mund të deportoheni. Nëse hyni në SHBA ilegalisht, shanset që të kapeni dhe të ktheheni janë më të mëdha”, tha Obama. “E di që disa kritikë të kësaj mase e quajnë amnisti.

Epo, nuk është e tillë. Amnisti është sistemi i imigracionit që kemi aktualisht, ku miliona persona jetojnë këtu pa paguar taksat dhe pa iu nënshtruar rregullave tona, ku politikanë e përdorin këtë çështje për të trembur qytetarët dhe për të kërkuar vota”, tha Obama në diskutimin e tij nga Shtëpia e Bardhë.

Ai më pas pyeti, “A jemi ne një komb që toleron hipokrizinë e një sistemi në të cilin punëtorët që mbjellin frutat tona dhe rregullojnë shtretërit tanë të mos kenë kurrë një mundësi për të qenë në rregull me ligjin?

Apo jemi një komb që u jep mundësinë që të jenë në paqe, të marrin përgjegjësitë dhe t’i japin një të ardhme më të mirë fëmijëve të tyre?”. Nga rreth 5 milionë emigrantë të paligjshëm, shumica me origjinë nga Amerika Latine, që mund të përfitojnë nga plani i Obamës, 4 milionë janë prindër të qytetarëve, apo rezidentëve në Shteteve të Bashkuara, sipas asaj që u tha përpara fjalimit, nga burimet e administratës Obama.

Këta njerëz nuk janë një rast i pazakontë në këtë vend ku çdo i lindur në tokën amerikane është automatikisht një qytetar i SHBA-së, edhe nëse prindërit e tij janë pa dokumente. Masat gjithashtu zgjerojnë kushtet në të cilat emigrantët pa dokumente që shkuan në SHBA para moshës 16 vjeç dhe janë integruar në mënyrë të përkryer, mund të legalizojnë statusin e tyre.

Një masë e ngjashme u mor në vitin 2012-të dhe lejoi legalizimin e rreth 600 mijë të rinjve, të cilët njihen si “ëndërrimtarë”. Megjithatë reforma është e pjesshme pasi përfituesit nuk do të marrin një leje qëndrimi të përhershme, që do t’i hapte derën marrjes së shtetësisë.

Duke qenë një urdhër ekzekutiv, pasardhësi i Obamës mund ta revokojë sapo të vijë në pushtet. Kjo është një nga dallimet mes saj dhe një reforme imigracioni gjithëpërfshirëse, një ligj i Kongresit që do ta kishte transformuar në mënyrë të përhershme sistemin e imigracionit të vendit.

Shtëpia e Bardhë e justifikon këtë si një përgjigje ndaj mosveprimit të Kongresit, ku partia Republikane e ka bllokuar reformën. Pra reforma e Obamas është e kufizuar dhe e brishtë, për shkak të karakterit të revokueshëm. Masat e marra nga Obama lënë jashtë, ndër të tjera, të padokumentuarit, fëmijët e të cilëve janë “ëndërrimtarë”, një pretendim i aktivistëve në favor të reformës.

Por tani e tutje dëbimi i tyre nuk është një prioritet për autoritetet. Prioritet sipas burimeve të administratës së Obamas është dëbimi i atyre që janë përgjegjës për krime të rënda dhe atyre që kanë mbërritur në SHBA gjatë muajve të fundit.

Një tjetër aspekt qendror i planit të Obamës është që t’u ofrojë studentëve të huaj në degët shkencore dhe teknologjike në universitetet amerikane që të qëndrojnë në Amerikë edhe pas përfundimit të studimeve. Procesi i legalizimit të përkohshme do të hapet në muajt e ardhshëm.

Kjo masë ishte rezultat i një ligji të nënshkruar nga republikani Ronald Reagan në vitin 1986. Një tjetër republikan, George W. Bush u përpoq që Kongresi të miratonte një ligj ambicioz për emigracionin, por ndeshi kundërshtimin e ligjvënësve të partisë së tij. Debati tani fokusohet më pak në përmbajtjen e reformës se sa në metodën. Partia Republikane, e përforcuar nga fitorja në zgjedhjet legjislative të 4 nëntorit, akuzon Obamën se po provokon një krizë kushtetuese duke miratuar në mënyrë të njëanshme një reformë të tillë.

“Veprimet që po marr jo vetëm që janë ligjore, janë masa njësoj si ato të miratuara nga presidentët republikanë dhe presidentët demokratë gjatë gjysmës së shekullit të kaluar”, u përgjigj Obama.

Për të kundërshtuar Obaman, të premten Republikanët e Dhomës së përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara kanë prezantuar një padi kundër Administratës së Presidentit për abuzim me pushtetin ekzekutiv dhe imponim në mënyrë të njëanshme reformën e tij shëndetësore. Reforma shëndetësore u aprovua në vitin 2010 pa votat e republikanëve dhe kongresmenët e kësaj partie në Dhomën e Përfaqësuesve kanë votuar kundër saj.

Share This Article
1 Comment
  • Titulli eshte disi infantil pasi Ligji Ekzekutiv i Obames eshte i perkohshem, pra eshte vendim ekzekutiv i perkohshem, qe mund te perfundoje me pasoja te renda per emigrantet e paligjshem. Per me tej, ai efektivisht nuk ka fuqi ligjore, por vetem ekzekutive. Ligji aprovohet nga kongresi, pastaj nga presidenti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *