Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka uruar shqiptarët për 100-vjetorin e Pavarësisë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka dërguar një mesazh urimi kreut të shtetit shqiptar, Bujar Nishani. “Në mesazh, presidenti Obama shprehet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të arritur integrimin e saj të plotë në bashkësinë euro-atlantike. SHBA-të, vlerësojnë mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj misionit të NATO-s në Afganistan ku ushtarakët shqiptarë shërbejnë me trimëri krah për krah me aleatët dhe partnerët e ISAF-it. Dy vendet tona, shkruan presidenti ndajnë një lidhje të ngushtë që nisi me mbërritjen e emigrantëve të parë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara dhe ka vazhduar të lulëzojë përgjatë dy dekadave të fundit pas vendosjes së demokracisë në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në një njoftim të Presidencës. “Fjalimi historik i Sekretares së Shtetit Klinton në Parlamentin shqiptar shënoi një tjetër gur të rëndësishëm kilometrik në marrëdhënien tonë. Në këtë ditë festimi, populli amerikan bashkohet me ju, duke ju uruar më të mirën në përpjekjet tuaj të ardhshme për ndërtimin e një Shqipërie demokratike dhe të begatë!”, përfundon mesazhin e urimit kreu i Shtëpisë së Bardhë.