Diplomatët e huaj kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi hapat e Rusisë drejt aneksimit të Krimesë, duke thënë se këto veprime sjellin kujtimet e pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë në vitin 1968 dhe shtypjen e revolucionit hungarez në vitin 1956. Shqetësimet sigurisht nuk u lehtësuan dje, kur presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret që njeh Krimenë si shtet sovran, një veprim që shihet si hapi i parë drejt aneksimit të këtij rajoni. Ndërkohë që përpjekjet diplomatike vazhdojnë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të enjten ka në plan të zhvillojë një takim për të diskutuar krizën. Por Asambleja e Përgjithshme nuk ka kompetenca si Këshilli i Sigurimit, prandaj nuk mund të marrë asnjë masë të rëndësishme ndaj Moskës, përveç izolimit të mëtejshëm të saj duke treguar një mbështetje të madhe politike për Ukrainën. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon shprehu “zhgënjimin” dhe shqetësimin e tij të thellë, një ditë pasi rajoni ukrainas i Krimesë në një referendum të debatueshëm votoi në favor të bashkimit me Moskën. Zëdhënësi i tij, Stephane Dujarriç, u tha gazetarëve se sekretari i përgjithshëm i OKB-së është i shqetësuar se referendumi i së dielës që shpalli pavarësinë e Krimesë nga Ukraina do ta përkeqësojë situatën atje. “Ai inkurajon të gjitha palët që të punojnë për një zgjidhje të bazuar në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë respektimin e unitetit dhe sovranitetit të Ukrainës.” Shefi i OKB nuk tha se referendumi në Krime ishte i paligjshëm. Autoritetet e përkohshme të Ukrainës dhe përkrahësit e tyre ndërkombëtarë thonë se referendumi ka shkelur kushtetutën e vendit. Por, Ban Ki Moon u bëri thirrje të gjitha palëve në vend dhe atyre me ndikim për të shmangur veprimet që mund të rrisin tensionet.
