Obsoleshenca e programuar e kryetarëve tanë

J L

Nga Besnik Terpollari

Dekada më parë TV shtetëror kishte pak hapësirë kohore dhe në atë pak hapësirë drejtuesit ishin konkretë në çfarë deklaronin. Edhe shpjegimet për veprat që do bëheshin e kishin minutazhin të kursyer, por sidoqoftë, ajo e pakta n’a bënte të besonim se shteti ishte konkret në punën e tij dhe ç’ka premtohej ishte fryt i një pune “me laps në dorë” e do behej se s’bën; shteti dhe shtetarët ishin e njëjta gjë!
Pastaj erdhën hapësira më të mëdha në TV-në shtetëror, njëkohësisht me kryetarët e mitingjeve dhe antimitingjeve, me premtimet dhe shkatërrimet madhore. Si ortek i pakthyeshëm u rrokullisën me rrëmbim mijëra fjalime dhe premtime kolosale për pasurim të shpejtë, për megaloprojekte faraonike që do i bënim ne me paratë e botës.
Autostrada, resorte, qytete të reja, etj; le që kush i mban mend! Në garën e shfrenuar për të hipur në pushtet(apo për t’u çimentuar aty përsëri), kryetarët dhe nënkryetarët i lëshuan frerët e fantazisë në kullota të panjohura, biles dikush siguroi dëgjuesit se i kishin dhënë në dorë çekun e bardhë, dmth një çek të firmosur në fund ku ti mund të shkruaje shifrën më të pafundme që të kapte rradakja. Për të qenë të sinqertë, disa premtime u realizuan, si psh çuarja e ekonomisë në nivelin zero. Edhe pasurimi i shpejtë tek piramidat u kurorëzua me falimentin total të shtetit në ’97-ës, ku botës iu desh të angazhonte kaskot blu për të na pajtuar mes nesh.
Rrjedha e ngjarjeve n’a fiksoi në kokë që tanimë shteti dhe shtetarët s’ishin më e njëjta gjë, por dy gjëra të ndryshme, krejt të ndryshme. Aforizma popullore “T’i varësh ujkut mëlçitë në qafë” u bë më aktuale se kurrë. S’ishte nevoja që skandalet më të mëdha t’i zhbironin nëpër kasaforta gazetarët e Watergate, mjaft të hapje televizorin e të ndiqje përleshjet parlamentare. Epitetet apo pseudonimet, “Kriminel”, “hajdut”, “mafie”, “trafikant”, “shiringë”, “shapkë”, “kasketë”, “stilolaps”,etj, hynë me të drejta të plota në fondin e artë të kasaphanës parlamentare. E ç’mund të besoje tek shteti, kur këta ishin shtetarët?
**
Me termin Obsoleshencë e programuar shpjegohet strategjia industriale e kompanive që sjellin në treg produktet e tyre, që pas një periudhe të caktuar përdorimi është më e arsyeshme të ndërrohen, ngaqë “u ngadalësohet” efiçenca. Për tregun aktual të konsumit është normale që celulari i ri pas dy vjetësh të bëhet “i vjetër”, jo sepse prishet, por sepse e ngadalësojnë azhornimet. Po kështu me pajisjet e tjera elektroshtëpiake e gjerësisht tek teknologjia e makinave dhe makinerive. Cikli industrial kështu s’ndalet, tendenca konsumiste gjithashtu. Por, ç’lidhje ka obsoleshenca e programuar me kryetarët tanë? Natyrisht që ka lidhje, në mos janë këta të fundit eksperimenti human i të njëjtës strategji konsumiste. Ju kujtohet kur Nano u përfol për përvetësimin e ndihmave italiane? Ky u zëvendësua nga Berisha, i cili në pak kohë e “vjetëroi” filmin me Nano duke trafikuar hidrokarburet me firmën pd-iste “Shqiponja” apo shpërdoruar pa kriter arsenalin ushtarak. Pas dajakut të 26 majit dhe luftës së re të Vlorës tërë bota hoqi dorë nga produkti “Berisha” dhe erdhi sërish Nano, që në pak vite u vjetërua nga allishverishet korruptive. Pasoi Meta e sërish rierdhi Berisha, si ato produktet e njëjta që industritë i ofrojnë duke i ndryshuar pakëz formën por pa prekur përmbajtjen. Cikli i tyre u vjetërua shpejt dhe pasoi Rama, si produkti më i ri dhe i reklamuar si krejt ndryshe prej pararendësve. Pas pak vitesh edhe Rama u vu nën syrin e ciklonit për afera të dyshimta ose të supozuara; pak rëndësi ka! Rëndësi ka që kryetari i ri i opozitës po pret të vijë në pushtet, si produkti më i ri dhe i premtuar, në funksion të obsoleshencës së programuar. Po pse vallë? Pse kaq e saktë dhe kaq preçize vjen ora e produktit të ri, e kryetarit të ri, që premtohet si ndryshim i madh dhe po aq shpejt vjetërohet dhe bëhet njësoj si i shkuari (rival me thënë) prej të cilit me mundim u çliruam? Me të njëjtat vese korruptive e megallomane, me të njëjtat komplekse dhe fatura të kripura mbi hallet e shqiptarëve. Thonë që fati ndihmon guximtarët, në këtë rast pushteti vjetëron kryetarët. Duke i pasuruar. I bën përgjegjësit e korruptimeve të mëdha, që ofroheshin gjithnjë si kalorësit e premtimeve të mëdha dhe i braktisin betejat rrugës. Do binin përtokë sikur të mos ekzistonte mekanizmi i rrotacionit, i zgjedhjeve të reja, ku njerëzve u ofrohet produkti i ri me çmim të arsyeshëm…Që njësoj do u kushtojë shtrenjtë nesër. I programuar të zëvendësohet nga ylli tjetër në ngjitje.
**
Në murin e fejsbukut një miku im kishte shpërndarë një post në italisht, ku me dy rreshta thuhej se në SHBA-të me 330 milionë banorë kanë 535 deputetë dhe senatorë. Në Italinë fqinje me 60 milionë banorë kanë 945 deputetë dhe senatorë. Miku i z.Rama, ministri i jashtëm Di Maio po çon përpara një referendum për reduktimin e numrit të deputetëve dhe senatorëve. Referendumi është caktuar të bëhet e me siguri zgjedhësit do vendosin të kryhet ky reduktim. Sipas statistikave të janarit 2020 Shqipëria ka aktualisht 2.85 milionë banorë dhe në Kuvend zënë karriget 140 deputetë. T’a rrumbullakosim 3 milionë. Në Itali kanë 1 përfaqësues për 63.500 banorë dhe po ankohen se janë shumë e do të reduktohen me siguri. Në Shqipëri kemi 1 deputet për 21.500 banorë. Sikur Italia të kishte këtë formulë elektorale do të kishte 2790 deputetë dhe senatorë. Është thënë kaq herë tek DITA që duhet marrë iniciativë për të reduktuar numrin e deputetëve, që edhe pse jane shumë në raport me popullsinë s’kanë arritur ndonjë rezultat që t’ia vlejë barra qeranë. Në Itali, psh këtë iniciativë e ndërmori partia që është aktualisht në qeverisje dhe lideri i saj po e konkretizon. Ndofta, po të mos jetë shumë i zënë me rubrikën Homazh, edhe kryeministri ynë mund të bënte diçka të tillë. Se fundja, a nuk pat premtuar një kosto më të lehtë të politikës në kurrizin e arkës publike?
Share This Article
3 Comments
  • Deputetet e Kuvendit te Shqiperise,si te jene 140 apo si te jene 14,pra 10 here me pak,ata nuk do vlejne asgje pervec se do sherbejne per te miratuar urdherat e kryetarit te partise se tyre ne pushtet apo ne opozite!
    Pra deputeteve nuk u duhet as numeri e as aftesia,vec se te jene jenicere te partise!
    Se ne Shqiperi behet jo cfare vendosin deputetet,por se cfare urdheron kryetari i partise se tyre!
    Prandaj llogjika me e thjeshte te thote se ne Kuvendin e Shqiperise mund te jene formalisht edhe 61 deputete,aq sa jane edhe bashkite sot!
    Ne kete menyre do kishte nje ulje drastike te shpenzimeve financiare te Kuvendit si dhe lehtesira te medha juridike dhe administrative ne zgjedhjen dhe votimin e tyre!
    Por e kqja me e madhe eshte se deputetet nuk i zgjedh populli,por kryetaret e partive me te ashtuquajturat LISTAT e hapura apo gjysem te hapura,me kuotat gjinore apo rracore qe i duhen kryetareve per te sunduar me lehte ne Kuvend!
    Sa i perket femrave,qe ngul kembe Rama kjo eshte kulmi i talljes qe u behet atyre,sepse ne kuvend nuk duhet te konkurojne si ne sport femrat me meshkujt,por TRUTE E KOKES dhe mendja qe kane njerezit ne to!
    Se ndarja ne femra e ne meshkuj,po qe se duhet shkencerisht atehere duhej te ishte 50% me 50%,vetem per te lindur femije apo per te bere thjesht SEKS e jo ligje!
    Mbi te gjitha,askush nuk ka thene deri me sot se cfare te mirash i kane sjelle qeverisjes se Rames,shumica e femrave si ministre etj,apo femra si Spiropali,Balluku,Manastirliu,Denaj etj!?

  • Ky problem ngrihet pa asnje arsye . Diku jane mbeshtetur , qe eshte caketuar numur i deputeteve dhe nuk varet vetem nga popullsia , por nga tereni , komunikacioni etj . Po te shkurtohen ketu do punojne ne nje vend tjeter . Nuk rregullohet ndonje gje e madhe. Kuvendi nuk eshte akadmei shkencash . Ka fytyren e popullit.Zgjidhen aktivistet dhe s’kane qene keq . Ligjet i bejne specialistet . Vota eshte pune eskluzive e sejcilit . Nuk ja vlen te diskutohet ky problem pa bereqet . Zgalem

  • e fillon bukur me shkëlqimin dhe rënjen e politikanëve dhe e mbyll,ose më mirë nxjer sikur flitet për numër deputetësh!?
    e çuditëshme!
    sidoqoftë,numri i deputetëve nuk ka asnjë vlerë!
    janë shumë apo pak!?nuk është ky thelbi!
    thelbi është se çcilësi kanë këta deputet!
    kanë atë që thotë zgala e ramës”Vota eshte pune eskluzive e sejcilit”,apo është ajo realja që “vota e sicilit është votë e të parit të partisë”!
    pra në parlallonë tonë kemi vetëm tre vota!
    vota e pozitës
    vota e opozitës
    dhe vota e shitëshme(normalisht tek pozita)
    pra tek ne do të mjaftonin
    dhe 3 deputetë!!
    dy kundërshtarë dhe i shitshmi!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *