Personalitete nga arti, kultura, biznesi dhe politika u bënë bashkë në një mbrë- mje të veçantë, për të udhëhequr një mision të ri, atë të promovimit të turizmit në Shqipëri.
Nisma, e cila synon të krijojë një fushatë të gjerë promovuese në rrjetet sociale përmes figurave të spikatura të vendit tonë në botë, u lançua nga Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në eventin “Oda Shqiptare”, me mbështetjen edhe te Hotel Prestige, Birra Korça dhe uji Fab.
“Jemi këtu për një qëllim shumë të thjeshtë; të bëhemi bashkë. Vendet me tradita turistike kanë një nga armët më të forta të promovimit të vlerave kombëtare, përmes emrave të njohur të vendeve të tyre. Kjo është ajo që duam të bëjmë të gjithë bashkë, themelimin e rrjetit shqiptar të turizmit, nga Oda e traditave shqip”,- tha ministri Klosi.
Duke bërë një panoramë historike të imazhit të Shqipërisë në shekuj, Klosi kërkoi nga 200 personalitetet e pranishëm që të shpërndajnë përmes teknologjisë jehonën e vlerave natyrore historike e kulturore të vendit tonë në mbarë botën.
“Një klikim i juaji, në profilet tuaja, i një fotoje, videoje apo share nga bregdeti, Alpet, Tirana, Berati, Gjirokastra, natyra, gatimi apo histori Shqipërie, ka efektin e më shumë se dhjetëra panaireve, takimeve zyrtare apo parave të shpenzuara për promovim. Kjo është një e mirë që ju mund t’ia bëni Shqipërisë, turizmit shqiptar”.
Për të bindur të pranishmit e mbledhur në Pallatin e Brigadave, se as qeveria nuk po rri duarkryq në këtë drejtim, ministri KLosi vuri në dukje se janë ndërmarrë iniciativa për ta bërë Shqipërinë konkurruese, duke ecur në drejtim të lehtësirave për investime strategjike, për ngritje të hoteleve dhe resorteve me 4 dhe 5 yje, si dhe miratimin e 100 fshatrave të parë turistikë për të investuar dhe shndërruar në destinacione të mirëfillta turistike në kuadër të “Rilindjes rurale”.
Ndërkohë, përgjatë gjithë mbrëmjes u transmetuan materiale promovuese për Shqipërinë, ndërsa eventi u mbyll me dhënien e çmimeve të mirënjohjes për kontributin e tyre ndaj vendit, sopranos së mirënjohur Inva Mula, instrumentistit virtuoz Olen Cezari si dhe Mario Dedivanovic, artistit të makeup-it, mjaft të njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
