“U fol shumë për ofertat e Juventus dhe Inter. Por, në të vërtetë, e vetmja ofertë konkrete ishte ajo e Monaco”, siguron Keita Blade, ish-sulmuesi i Lazio, i prezantuar zyrtarisht sot te Monaco, bashkë me blerjet e tjera të merkatos së klubit francez: Jovetic, Ghezzal Dhe Diakhaby.
“Historia e klubit flet vetë, futbollistë të mëdhenj kanë kaluar këtu. Kam mbërritur këtu për tu rritur. Vitin e kaluar kam shënuar me më shumë vijushmëri dhe dua të përmirësohem ende”, deklaroi ish-laziali, i gjurmuar për pjesën më të madhe të merkatos nga Juventus.
Talenti senegalez e komenton kështu periudhën gjatë të cilës u konsolidua lamtumira e tij nga Seria A: “Nuk kam luajtur me Lazio për motive të lidhura me merkaton dhe as në përfaqësuese nuk është se jam aktivizuar shumë, por jam i gatshëm për Monaco. Do të punoj për të dëshmuar se mund të jem i dobishëm. Jam një futbollist i ri, sapo kam mbushur 22 vjeç.
Shpresoj të mund të mësoj akoma shumë. Do të bëj më të mirën time në stërvitje për të qenë menjëherë i gatshëm që të ndihmoj skuadrën”, deklaroi ish-futbollisti i Barcelonës, i cili përfundon prezantimin e tij me fjalët: “Nëse ndonjëri këtu në Francë më ka vënë etiketën e “fenomenit” është sepse kam punuar shumë deri tani. Shpresoj që në të ardhmen të vlej më shumë se 30 milionë euro”.
