Pas “Wikileaks”-it një tjetër zbulim i dokumenteve të fshehta nga Qendra Ndërkombëtare e Gazetarisë Investigative ka nxjerrë në dritë përmasat gjigante të sistemit të evazionit që fokusohet në parajsat fiskale të sipërmarrësve dhe njerëzve me pushtet nga 170 vende të ndryshme të botës
Rreth 120 kompani mbulojnë lëvizjet e paligjshme të qindra mijëra bosëve të politikës, financave dhe biznesit, që i depozitojnë në ishuj larg vëmendjes së publikut thesaret e tyre, të vjedhura nga taksat e përgjithshme.
Skandal botëror
Mëngjesin e së enjtes, të përditshmet më të mëdha botërore, si “Washington Post”, “The Guardian”, “Le Monde”, “SonntagsZeitung”, “Süddeutsche Zeitung”, kanë zbuluar dokumentet e para të “Offshore-Leaks”, një dosje gjigante dokumentesh që vërtetojnë ekzistencën e kompanive të fshehta, të cilat mbulojnë evazionin fiskal që ndodh në nivel global prej më shumë se 30 vitesh.
Gjithçka filloi në fund të 2011-s, kur një “pako” anonime mbërriti përmes postës në një adresë australiane. Brenda saj ndodhej një hard disk prej 260 GB, i cili përmbante 2.5 milionë dosjet që përfshinin skanime kontratash, faksesh, kopje pasaportash, e-maile dhe pagesa bankare.
Materiali më pas iu dërgua Qendrës Ndërkombëtare të Gazetarisë Investigative (ICIJ), që u analizua përmes 86 gazetarëve për 15 muaj me radhë. Të gjitha dosjet e kishin prejardhjen nga dy shoqëri që mbulonin aktivitetet evazive: “Commonëealth Trust Limited” në Ishujt e Virgjër britanikë dhe “Portcullis Trustnet” me bazë në Singapor e që operon në ishujt Kaiman, Kuk dhe Samoa.
Në malin e të dhënave përfshihen emrat e 130 mijë personave nga 170 vende të botës, midis të cilëve politikanë, peronalitete të famshme, trafikantë armësh, financierë të paskrupuj etj.
Sistemi “Offshore”
Hetimet zbulojnë funksionimin e sistemit “Offshore” dhe tregojnë sekretet e botës së parajsës fiskale”, shprehet për “Der Spiegel”, Gerard Rail, presidenti i ICIJ. Rail nënvizon se sa shumë e përhapur është kjo metodë për t’iu shmangur taksave. Çdo vit ndodhin lëvizje të paligjshme të kapitaleve që variojnë në shifrat e jashtëzakonshme midis 1.3 dhe 1.6 miliardë dollarëve.
Sipas disa të dhënave në “parajsat fiskale” janë të depozituara 21 deri në 32 mijë miliardë dollarë. Në opinionin e Railit, “Offshore-Leaks” mund të ndihmojë në rindërtimin e lëvizjeve të paligjshme të kapitaleve. Prapa këtij sistemi gjendet një ekonomi e lulëzuar e përbërë nga ndërmjetësues, kontabilistë, noterë, madje dhe banka, thekson raporti i parë i ICIJ. Pjesë e saj janë disa nga institucionet më të mëdha financiare botërore si “Deutsche Bank”, dhe kolosi bankar zvicerian “Credit Suisse”.
Lista e të fuqishmëve
Sipas gazetarëve investigativë në listën e evazorëve fiskalë ndodhen emrat e politikanëve të Pakistanit, Azerbajxhanit, Tailandës, Kanadasë, por edhe doktorë amerikanë, qytetarë të vendeve të vogla si Greqia, familje të lidhura me oligarkët rusë, bosët e “Wall Street”-it, miliarderë indonezianë dhe të Evropës Lindore, madje edhe një shoqëri sekrete që mbulon programin bërthamor iranian. Emrat e personave të zbuluar do të publikohen gjatë muajve të ardhshëm, duke qenë se puna për përpunimin e të dhënave duket e pafund.
“Süddeutsche Zeitung” ka publikuar evazionin fiskal të një prej miliarderëve më të njohur gjermanë, Gynter Saks (i vetëvrarë dy vjet më parë) e që kishte dy shoqëri operuese në ishujt Kuk. Edhe gruaja e ish-zëvendëskryeministrit rus Igor Shuvlavov ashtu si dhe dy menaxherë të “Gazprom”-it janë të përfshirë në shoqëritë sekrete në Ishujt e Virgjër. Edhe vajza e ish-diktatorit të Indonezisë, Ime Markos, zotëron disa truste në këtë parajsë fiskale. Zbulimet e “Offshore Leaks” mund të rindërtojnë lëvizjen e thesarit të shtetit, që Markos e mori me vete pas fundit të diktaturës.
Ndër evropianët e përfshirë është baronesha spanjolle Karmen Çervera, ndërsa midis 4 mijë amerikanëve gjendet edhe emri i amerikanit Denis Riç, një autore e njohur këngësh, bashkëshorti i së cilës ka qenë një nga sponsorët më të mëdhenj të fushatës Klinton.
Përgatiti: Dorina Gjuzi