Kapiteni Fabius shkruan: “Ne ishim nëntë veta, majorët Kroon, De Waal, Verhulst, Roelfsema dhe Sluys, kapitenët Sar, De Jongh, Doorman dhe Fabius, kapitenët Reimers dhe Sonne do vinin me anijen tjetër.” Në foto, i pari në krahun e majtë është luftëtari patriot, shkrimtari Mihal Grameno, ndërsa i pesti toger Meleq Frashëri, i gjashti kapiten Toli Arapi. (Vlorë, 1914)
Komandant i Misionit Ushtarak Holandez ishte Gjenerali Willem J. H. De Veer. Ai ishte një oficer me karierë të gjatë ushtarake, ish Komandant i Regjimentit të 3-të të Artilerisë Fushore. Ai ishte në moshën 56 vjeç kur erdhi në Shqipëri. Fillimisht ndihmoi në hartimin e dokumentacionit pranë Shtabit Madhor dhe në strukturat e Ministrisë së Luftës. Shpesh ai u përballua edhe me anëtarët e KNK, duke kërkuar pavarësi për krijimin e xhandarmërisë. Gjenerali De Veer drejtoi shumicën e operacioneve ushtarake, sidomos në mbrojtje të krahinave të Jugut. Ai ndoqi në terren veprimet luftarake, shpesh dokumentoi masakrat e ushtarakëve grekë, sidomos në zonën Gjirokastër – Tepelenë. Shumë i njohur është përshkrimi i masakrave greke në fshatin Kodër, në Tepelenë.
Gjenerali De Veer me një luftëtar çam dhe kosovar në Vlorë, 1913
Koloneli Tomson ishte oficeri më i shquar dhe zëvendës komandant i Misionit Ushtarak Holandez në Shqipëri, në vitet 1913 – 1914. Ai ishte 44 vjeç kur erdhi në Vlorë. Pas nënshkrimit të kontratave me KNK, në ditët e para të qëndrimit në Vlorë, oficerët olandezë u trajnuan nga Koloneli Tomson për detyrat e tyre në Shqipëri. Koloneli u dha njohuritë e domosdoshme për vendin dhe për zonat ku do të caktohej çdo oficer. Ai u rekomandoi edhe lidhjet dhe kontaktet më të mira për secilën zonë. Me stilin e tij të saktë, Tomsoni u shpjegoi oficerëve holandezë edhe problemet e psikologjisë popullore dhe sociale të shqiptarëve, aq e nevojshme në punën e komandantëve të sapo emëruar holandezë. Ai u foli edhe për vështirësitë, por dhe për objektivat ku duhet të arrinte çdo oficer, në vendosjen e autoritetit shtetëror dhe mbrojtjen e teritorit shqiptar. Këto ishin dy nga detyrat kryesore për çdo oficer holandez.
Në Vlorë të gjithë oficerët holandezë u angazhuan edhe në përgatitjen e disa nënreparteve të xhandarmërisë për të siguruar pritjen e Princ Vidit më 7 mars 1914. Në Gazetën “Përlindja e Shqipënisë”, tregohet se “Të dielën, më 16\1 mars, duke u gdhirë e diela, shkuan për në Durrës 110 gjendarmë të gjendarmërisë së këtushme. Këto gjendarmë do të marrin pjesë në Garnizonin Mbretëror, që po formohet në Durrës. Bashkë me këta ushtarë shkuan edhe dy veta, të veshur me petka Shqyptarishte të Jugës, me fustan dhe me pushkë të artë, të cilët do të zënë vend si portierë në Pallat”.
(Vijon)
Nesër do të lexoni:
Kush ishin 15 oficerët e tjerë të Misionit Ushtarak Holandez
Situata në Vlorë, Korçë, Elbasan, Tepelene e Durres sipas hollandezëve
Marrëveshja e Haxhi Qamilit me serbët në Shën Naum dhe kopntributi i Edit Durham
Ja kush ishin 15 oficerët e tjerë të Misionit Ushtarak Holandez:
Major Sluys Major Snellen Major De Waal Major Kroon
Majori Johan M. Sluys, Oficer Këmbësorie, Komandanti i Mbrojtjes së Durrësit, ishte 41 vjeç kur mori detyrën në Shqipëri. Duke vlerësuar përvojën e tij, si dhe autoritetin ushtarak, që zotëronte, Gjenerali De Veer dhe Koloneli Tomson e caktuan Majorin Sluys në detyrën më të vështirë në Shqipëri, atë të mbrojtjes së Kryeqytetit të Principatës Shqiptare, të sapo krijuar nga Fuqitë e Mëdha. Majori Sluys u përball me dinjitet me autoritetet ndërkombëtare dhe diplomatike, që kryenin veprimet në Durrës. Si komandant ushtarak, Majori Sluys vendosi rregullin në Kryeqytet, sistemoi trupat ushtarake në një kazermë, afër kodrës dhe vendosi sistemin e rojeve dhe të sigurisë për rendin publik, me patrulla, në bashkëpunim me policinë
e qytetit. Majori Sluys ishte një organizator shumë i mirë ushtarak, si në përgatitjen dhe stërvitjen e trupave, por edhe të vullnetarëve të ardhur nga Malësia e Veriut. Ai organizoi mbrojtjen e Durrësit, duke krijuar edhe sistemin e transheve në kodrat, që e rrethojnë qytetin, deri tek zona kënetore e Urës së Dajlanit. Ai ishte tepër korrekt dhe shumë i ndershëm. Kapiteni Fabius tregon, në librin e tij, se u bë proverbiale thënia e Majorit Sluys drejtuar disa ministrave dhe nëpunësave të lartë, kur po dilte nga Princ Vidi. Ai i shihte ata gjithmonë me njerëz të dyshimtë nëpër Durrës dhe në koridoret e Pallatit Mbretëror. Majori Sluys iu drejtua atyre në hollandisht: “Mirëmëngjez o mashtruesa!”
Majori Johan E. Snellen van Vollenhoven, oficer këmbësorie, u caktua Komandant i Mbrojtjes së Korçës. Ai siguroi një nga bashkëpunimet më të mira me autoritetet lokale në Shqipëri. Ashtu si dhe Majori Kroon, në Veri, Majori Vollenhoven kishte qindra luftëtarë vullnetarë, që i përgjigjeshin të gjitha situatave luftarake. Me të mbërritur në Korçë, ai e sistemoi xhandarmërinë dhe bashkëpunoi me Themistokli Gërmenjin, që ishte Prefekt dhe siguroi kushte shumë të mira, për të dy oficerët Holandezë, që ishin caktuar në Korçë. Në një letër, që ruhet në Arkivin Qëndror Ushtarak, në Hagë, Major Snellen van Vollenhoven shkruan: “Unë jam caktuar Komandant i krahinës më të shëndetshme, Korçës, e cila është ende e pushtuar nga grekët, por ata, me dëshirë ose pa dëshirë, kanë për t’u larguar. Pres disa ngjarje të rëndësishme…” Sipas kronikave të kohës, ushtria greke filloi ta linte qytetin më 3 mars 1914, ndërsa Majori Snellen van Vollenhoven, në krye të repartit të xhandarmërisë më 5 mars mori në dorëzim qytetin. Menjëherë ai vendosi administrimin ushtarak në emër të Qeverisë Shqiptare. Për këtë qëllim ai vuri në përdorim edhe një vulë zyrtare me një shqiponjë dykrenare në mes, që mbante nënshkrimin “Comission de Controle Provisore Korça” (Komisioni i Kontrollit të Përkohshëm, Korçë).
Kronikat e kohës tregojnë se Majori Snellen van Vollenhoven dhe Kapiteni Jetze Doorman përballuan sulme të shumta greke, të organizuara haptazi me forca të mirëfillta ushtarake, por edhe me ushtarë të veshur si andartë (komita). Këta luftëtarë grekë, të ndihmuar edhe nga peshkopi grek i Korçës, kërkonin që të destabilizonin situatën dhe të mbanin nën ndikimin e tyre këtë krahinë të rëndësishme shqiptare. Duke komplotuar kundër autoriteteve lokale, me forcat ushtarake, të fshehura në disa baza, afër qytetit, si dhe në Spitalin e Korçës, forcat greke e sulmuan përsëri qytetin duke u gdhirë data dy prill 1914. Xhandarmëria Shqiptare, nën komandën e Majorit Snellen van Vollenhoven reagoi me ashpërsi, duke i thyer keqas komplotistët dhe forcat greke, që i mbështetën. Forcave të xhandarmërisë iu bashkuan disa qindra luftëtarë, të komanduar nga Themistokli Gërmenji. Pas thyerjes së komplotit forcat shqiptare, marshuan për të marrë në dorëzim Kolonjën, Ersekën dhe Leskovikun.
Major Wonter de Waal, oficer artilerie, Komandant Ushtarak në zonën Tepelenë – Gjirokastër ishte një nga oficerët Holandezë më me përvojë. Ai ishte 45 vjeç kur erdhi në Shqipëri. Përvoja e tij stërvitore dhe ushtarake, planifikimi shumë i saktë ushtarak, si dhe bashkëpunimi me luftëtarët dhe komandantët shqiptarë të zonës së Mallakastrës, Skraparit, Tepelenës, Përmetit dhe Gjirokastrës, bënë të mundur që të arriheshin rezultate konkrete në veprimet luftarake. Bashkë me oficerin e këmbësorisë, Kapitenin Julius H. Sonne, komandanti De Waal arriti të kompaktësojë shumë shpejt nënrepartet ushtarake. Duke bashkëpunuar edhe me oficerin shqiptar, me përvojë të madhe, Kapitenin Ismail Haki Tatzati, të dy oficerët Holandezë arritën pastrimin e zonës dhe të rrugëkalimeve, duke mbërritur në portat e Gjirokastrës. Por grekët futën në përdorim armët e rënda dhe forcat e rregullta ushtarake, të cilat bënë shumë masakra dhe plaçkitën fshatra të tëra, në hakmarrjen më barbare të ndodhur në këto zona.Oficerët Holandezë i dokumentuan këto masakra në Kishën e Kodrës duke ngritur edhe një komision hetimor, ku shkoi Gjenerali De Veer, me ndihmësin e tij, Kapitenin Carel de Jongh. Gjenerali De Veer e vlerësonte shumë Majorin De Waal, për veprimet e kryera dhe për komandimin në fushën e betejës. Komandanti De Waal i komandoi trupat ushtarake nga Nivica në Golem dhe në Picar. Duke kaluar, më pas, në Kodër, Hormovë, Labovë dhe Malëshovë, ai arriti fitoren në luftimet në Grykën e Këlcyrës. Forcat shqiptare arritën rrezultate edhe në luftimet e ashpra, që u zhvilluan në Dukaj të Tepelenës. Këto arritje ushtarake, ndikuan edhe në zhvillimet politike të kohës, kur Zografos me Qeverinë e Athinës, kërkonin “Autonominë e Epirit” dhe zhvillonin një aktivitet të dendur diplomatik.
Majori Henri J. L. Kroon, oficer këmbësorie, Komandant Ushtarak në Shkodër, ishte një nga figurat më autoritare ndër oficerët e Misionit Ushtarak Holandez, 49 vjeç. Ai ishte bashkë me Kapitenin Jan Fabius, i cili botoi, më vonë, më 1918, librin “Gjashtë muaj në Shqipër”, i cili është përkthyer dhe botuar në shqip nga Shtëpia Botuese “Skanderbeg Books”, Tiranë, 2005. Të dy oficerët Holandezë, krijuan shumë shpejt lidhjet me komandantët e forcave ushtarake, që ndodheshin në Shkodër, nën komandën e Kolonelit Filips. Me një përvojë të çmuar edhe nga Indonezia, një vend me popullsi të madhe myslymane, Majori Kroon arriti të krijojë shumë rrethe miqësore në Shkodër. Ai i vizitoi të gjitha komunitetet fetare, bashkë me ndihmësin, Kapiten Mushin, që ishte dhe përkthyes. Pikërisht, duke shfrytëzuar lidhjet e shumta, Majori Kroon zbuloi se po përgatitej një revoltë fanatikësh myslymanë, të cilët mblidheshin shpesh. Këto takime i financonte Esat Pashë Toptani. Pashai intrigant, mbante me para edhe njëqind xhandarë, të shpërndarë nëpër zonë. Me informacionet e grumbulluara, Majori Kroon dërgoi Kapitenin Fabius në Durrës dhe në Vlorë, që t’ia raportonin situatën Kolonelit Tomson.
Pas ngjarjeve të qershorit 1914, kur u vra edhe Koloneli Tomson, në Durrës, Majori Kroon erdhi në krye të një force ushtarake, të përbërë nga malësorët e Veriut. Ai u caktua menjëherë Komandant i Mbrojtjes së Durrësit, duke zëvendësuar në detyrë edhe Kolonelin Tomson. Ky oficer trim, udhëhoqi vetë sulmin kundër rebelëve, më 17 qershor. Ai mbante në duar flamurin shqiptar dhe u priu malësorëve dhe xhandarëve, në një nga betejat më të përgjakshme, që u zhilluan në Durrësin e vitit 1914.
Major Hugo J. Verhulst, oficer artilerie, Komandant i Mbrojtjes së Elbasanit. Komandanti 43 vjeçar dilte shpesh në kodrat rreth Elbasanit dhe siguroi shumë miq ndër fshatarët dhe krerët e zonës. Ata ankoheshin vazhdimisht për sulmet dhe plaçkitjet, që kryenin forcat e Esat Pashë Toptanit. Majori Hugo J. Verhulst organizoi sistemin e patrullave dhe mbrojtjen me nënreparte të lëvizshme ushtarake. Ai ishte një njeri gazmor, por edhe shumë i rreptë në zbatimin e detyrave ushtarake. Në Elbasan oficerët holandezë ishin nën kujdesin e veçantë të Aqif Pashë Elbasanit. Bashkë me Kapitenin Hendrik G. A. Reimers, oficer këmbësorie, Majori Verhulst bashkëpunoi me majorin shqiptar, Ismail Hakiu dhe me Major Mustafa Maksutin dhe Kapiten Kamber Sejdinin, i cili ra heroikisht në luftimet e 15 qershorit, në Durrës. Në Arkivin Qendror Ushtarak, në Hagë ruhet një letër e majorit shqiptar drejtuar Majorit Hugo J. Verhulst, në të cilën flitet edhe për organizimin ushtarak.
Në ditarin e tij, Majori Verhulst përshkruan me shumë detaje jetën në Elbasan, si dhe veprimtarinë ushtarake të detashmenteve të xhandarmërisë. Ai vlerëson edhe përgatitjen e ushtarakëve shqiptarë. Për luftimet e 18 prillit të vitit 1914, ai shkruan se trimëria dhe qendrueshmëria e oficerëve shqiptarë dha rezultatet e fitores. Luftimet e zhvilluara, duke filluar nga Krraba dhe nga Çermenika, nuk mund të përfundonin me sukses, pa qëndresën heroike të efektivave shqiptare. Po kështu edhe veprimet ushtarake të koordinuara me Majorin Snellen van Vollenhoven, afër Starovës u realizuan, falë trimërisë që treguan forcat shqiptare.
Major Verlust Major Roelfsema Kapiten Fabius Kapiten Sar
Major Lucas Roelfsema, oficer kavalerie, organizator ushtarak dhe Komandant i Kavalerisë Ushtarake (Detashmenti i Xhandarmërisë Lëvizëse) u caktua që në fillim në Durrës. Majori Holandez 40 vjeçar e filloi detyrën e organizatorit ushtarak, duke përgatitur repartin e parë kalorsiak të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Ai hartoi një plan stërvitor, të mbështetur në veprimet ceremionale dhe shoqëruese kalorsiake, por edhe në veprimet e ndryshme sulmuese të xhandarmërisë ushtarake. Roelfsema ishte tepër kërkues në zbatimin e programit të stërvitjes, ndaj arriti, që për një periudhë dy-mujore të përgatiste një detashment kalorësie tepër kompakt ushtarakisht, ceremonial dhe luftarak. Ai ndihmoi edhe në përgatitjen e Gardës Mbretërore, pasi vetë Princ Vidi ishte interesuar dhe solli nga Austria 16 kuaj të përgatitur. Kjo Gardë, shpesh e shoqëruar edhe nga Major Lucas Roelfsema, kryente kalërime në zonën e bregdetit dhe të Shkëmbit të Kavajës. Sekretari personal i Princ Vidit, irlandezi Heaton Armstrong përshkruan disa nga këto kalërime në librin me kujtime “Gjashtë muaj Mbretëri, 1914”, botuar nga Shtëpia Botuese “Onufri”, Tiranë, 2001.
Kapiteni Jan Fabius, oficer artilerie, organizator ushtarak në Shkodër dhe Komandant i Artilerisë në Durrës, ishte 26 vjeç kur mori detyrën ushtarake në Shqipëri. Libri i Kapitenit Jan Fabius u bë legjendar në Holandë, që në botimin e tij të parë, në vitin 1918. Rrëfimi realist dhe analiza e saktë e ngjarjeve, dashuria e madhe për “Heroin e Durrësit dhe të Holandës – Kolonelin Tomson”, bënë që libri i Fabiusit të botohet 14 herë në Mbretërinë e Holandës. Ky kapiten simpatik, nuk ishte i panjohur për lexuesin Holandez, por edhe më gjerë. Ai kishte qenë korrespondent ushtarak në Ballkan, kishte ndjekur luftimet në Luftrat Ballkanike, sidomos Rrethimin e Shkodrës, që përbënte edhe lajmin e pare në shumë gazeta europiane të atyre viteve. Oficeri i gjatë dhe i tepër i shoqërueshëm, pasi përcolli nënrepartin ceremonial të xhandarmërisë, nga Vlora në Durrës, në fillim të marsit 1914, u paraqit në krye të detyrës ushtarake në Shkodër, bashkë me Majorin Kroon. Në “qytetin e famshëm të Shqipërisë Veriore”, Kapiteni Fabius bëri shumë miq, jo vetëm mes oficerëve të forcave ndërkombëtare, të kosullatave dhe të tregtarëve të huaj, por dhe me intelektualëve të Shkodrës. Në librin e tij ai flet shumë për këto miqësi, që nga sekretari i Peshkopit, Monsinjor Serreqit, Ernest Kozzi dhe deri tek gazetarët Dervish Hima dhe Hilë Mosi.
Veprimtaria e Kapitenit Fabius u shqua, sidomos, në Durrës, ku ai erdhi me emrimin e drejtëpërdrejtë të Kolonelit Tomson, si Komandant i Artilerisë. Si një nga oficerët më të rinj të Misionit Ushtarak Holandez në Shqipëri, bashkë me togerin Gerrard Mallinckrodt, Kapiteni Fabius, me energjinë tipike Holandeze, ndërthurur me korrektesën më shëmbullore, arriti të përgatisë një repart artilerie të shpejtë dhe të efektshëm. Duke shfrytëzuar vullnetarët e huaj, ish-ushtarakët shqiptarë, si dhe shumë luftëtarë popullorë, Kapiteni Fabius luajti një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e Durrësit. Kapiteni Fabius, me rezultatet e arritura në mbrojtjen e Durrësit, me përgatitjen dhe kompaktësinë e efektivit, mund të konsiderohet pioneri i krijimit të Artilerisë Shqiptare. Vepra e tij, e dokumentuar edhe nga shumë fotografi të artilerisë në Durrësin e vitit 1914, është në themelet e armës së Artilerisë.
Kapiteni Jan Sar, oficer këmbësorie, Komandant në Durrës ishte një nga oficerët holandezë, të përshkruar më shumë, pasi ka marrë pjesë në luftimet e para, kundër rebelëve, që sulmuan Qeverinë e Princ Vidit. Edhe personeli i Oborrit Mbretëror kishte miqësi me Kapitenin Sar, duke e cilësuar, “legjendari Sar”, nga Sekretari Personal i Princit, Armstrong. Që në Vlorë, Kapiteni Sar u aktivizua në përgatitje e efktivave të xhandarmërisë së re. Ai spikaste për saktësinë dhe korrektesën në zbatimin e rregulloreve të sapo krijuara nga Koloneli Tomson. Punën e filluar në Vlorë, Kapiteni Sar e vazhdoi në Durrës, për përgatitjen e efektivave ushtarake. Ai organizoi një kazermë model, në kodrat mbi Durrës, një ndërtesë e vjetër qeveritare, e cila u pastrua dhe u lye me kujdes dhe me shpejtësi nga efektivat shqiptare. Komandanti Sar ishte një nga më të vendosurit, në zbatimin e planit mbrojtës, që përfshinte edhe llogoret, për rreth Durrësit. Ai i ndoqi vetë punimet xheniere, që u kryen në periudhën maj – qershor 1914. Kapiteni Sar, si një nga komandantët më të njohur në Durrës, u cilësua nga shtypi holandez i kohës, si “I pamposhturi Sar”. Ai luftoi në llogoret e para të luftës, në kodrat e Rashbullit. Në incidentin e muajit maj 1914, kur Kapiteni Sar, me urdhër të Gjeneralit De Veer, do të bënte një inspektim ushtarak për të vlerësuar situatën, në drejtim të rrugëkalimit të Tiranës, ai mbeti i rrethuar me 40 xhandarë. Atij i shkuan në ndihmë trupat e komanduara nga Toger Meleq Frashëri dhe nga Luigj Gurakuqi, me të cilin e lidhte një miqësi e vërtetë bashkëluftëtarësh.
Kapiteni Julius H. Sonne, oficer këmbësorie, Komandant në Gjirokastër, ishte bashkë me Majorin De Waal, në zonën e luftimeve Tepelenë – Gjirokastër. Oficeri 36 vjeçar u bë shumë shpejt dëshmitar i mizorive të pashëmbullta të andartëve dhe të forcave ushtarake shoviniste greke, që kryenin krime dhe plaçkisnin krahinat e Shqipërisë së Jugut. Qëllimin e tyre për të shpërngulur me forcë banorët autoktonë shqiptarë, duke bërë spastrim etnik dhe duke masakruar ata, që rezistonin, Kapiteni Sonne ia raportoi Gjeneralit De Veer dhe KNK në Vlorë. Sipas dokumenteve, vetëm në zonën e Gjirokastrës e të Kurveleshit u shkatërruan tërësisht 26 fshatra, ndërsa në atë të Tepelenës 29 fshatra të shkatërruara, në zonën e Përmetit e të Skraparit 26 fshatra, të Kolonjës e Leskovikut 19 dhe 16 fshatra të djegura dhe të shkatërruara.
Në kujtimet e tij, që ruhen në Arkivin e Institutit të Historisë Ushtarake në Hagë, të cilat Kapiteni Sone i ka shkruar më 20 shtator 1956, jepen shumë të dhëna për kolegët e tij Holandezë, që “dhanë gjithçka për Shqipërinë”. Ai përshkruan edhe sakrificat dhe vështirësitë, që kapërcyen në luftimet e zhvilluara në fshatrat e Kurveleshit, në Tepelenë dhe në Këlcyrë. Kapiteni Sonne, me rastin e dorëzimit të kujtimeve të tij zhvilloi edhe një fushatë sensibilizuese për Shqipërinë, për të cilën ai dhe shokët e tij vunë në shërbim rininë dhe detyrën e shenjtë ushtarake.
Kapiten Jetze Doorman, oficer artilerie dhe Komandant Ushtarak në Korçë, ishte 33 vjeç. Ai kaloi situata të vështira në garnizonin e kryqendrës së Shqipërisë Juglindore. Korça ishte një nyje tepër e rëndësishme në planet e forcave ushtarake greke, që synonin të pushtonin trojet shqiptare, deri në Shkumbin. Situatat luftarake, Kapiteni Jetze Doorman, së bashku me Majorin Snellen van Vollenhoven, jo vetëm që i përballoi me sukses, por doli shpesh here edhe fitimtar. Ai këmbënguli deri në fund për zbulimin dhe për shpartallimin e komplotit të agjenturës greke në Korçë. Sipas informatave të grumbulluara, agjentët grekë, të drejtuar nga peshkopi Germanos, kishin grumbulluar armatim dhe municione dhe kishin fshehur trupa ushtarake, për të sulmuar në befasi. Por gjithçka u zbulua dhe Kapiteni Doorman ishte në krye të forcave, që goditën me ashpërsi komplotistët.
Ja se si ka deklaruar një prej këtyre komplotistëve, të kapur në luftimet pranë “Shkollës së Vashave”, të protokolluara nga Majori Snellen van Vollenhoven, më 11 deri më 13 prill 1914: “Unë jam njëzet vjeç, quhem Aleksandër Papajani dhe jam ushtar i rregullt i Ushtrisë Greke. Kam qenë në kompaninë e Toger Sterios. Në qytetin e Korçës kam ardhur të hënën i vetëm. Ne erdhëm deri në Barç, ishim një trupë prej 350 vetësh dhe kishim oficerët e mëposhtëm: Kolonelin Mavraca, Togerin Sterios dhe dr. Harasiadhin e Ushtrisë Greke. Kishim dy mitraloza. Togeri Sterios na udhëhoqi ne, 350 vetëve, të ardhur nga Selaniku dhe na njoftoi se po shkonim të ruanim kufirin shqiptar. Në Barç u plagosa në gju. Pas plagosjes erdha në Korçë dhe u largova prej andej që të shkoja në kryeqytet. Rrugës, duke vajtur atje, u sulmova nga shqiptarët dhe iu dorëzova atyre, bashkë me shtatë veta të tjerë,”
Kapiten Sonne Kapiten Doorman Kapiten Reimers Kapiten De Jongh
Kapiteni Hendrik G. A. Reimers, oficer këmbësorie, organizator ushtarak dhe Komandant në Elbasan ishte 30 vjeçar kur u dislokua në Elbasan, bashkë me Majorin Hugo Verhulst. Oficeri simpatik, me një uniformë që i shkëlqente në çdo orë, ishte tepër i disiplinuar dhe kërkonte nga çdo xhandar – ushtar disiplinë të hekurt. Me një miqësi ushtarake edhe me oficerët shqiptarë, sidomos me Kapiten Mustafa Maksutin dhe Kapitenin Kamber Sejdini, Kapiteni Reimers organizoi një garnizon ushtarak shembullor, në Elbasan. Ai ishte oficer i sakrificave dhe dilte i pari në marrshime dhe në stërvitjet e zhvilluara në kushte të vëshira moti dhe terreni.
Zhvillimi i ngjarjeve, që u stimuluan fillimisht nga Esat Pashë Toptani, u shoqëruan me sulme të vazhdueshme dhe mjaft të organizuara, nga oficerë të huaj, sidomos oficerë serbë, që ishin vënë në shërbim të rebelëve, me urdhër të Komandantit të Armatës së Shkupit. Kohët e fundit është dokumentuar një marrëveshje konkrete e Haxhi Qamilit me Komandën Serbe, në Shën Naum. (Shiko studimin e Sh. Berisha “Veprimtaria antikombëtare e Esat Pashë Toptanit, 1912-1920”, Prishtinë, 2004.) Atë që shteti i ri po e organizonte me shumë sakrifica, rregullin dhe veprimtarinë e qetë ekonomike, si në Elbasan, rebelët kërkonin që ta shkatërronin me zjarr dhe me plaçkitje. Kapiteni Reimers, komandoi trupat nëpër rrugëkalimet e pritshme nga rebelët, sidomos me marrshimet nga Qafë Krraba, në drejtim të Durrësit, për të ndihmuar mbrojtësit e Durrësit në qershorin e vitit 1914, që ngriu gjithçka në Kryeqytetin Mbretëror.
Kapiteni Carel de Jongh, oficer artilerie, ishte ndihmës i Gjeneralit De Veer, organizator ushtarak dhe komandant në Shqipërinë e Jugut dhe në Durrës. Ai ishte 31 vjeç kur e filloi detyrën në Vlorë. Detyra e tij e parë ishte përgatitja stërvitore e trupave të reja të xhandarmërisë. Në qendrën e stërvitjes, që kishte krijuar Koloneli Tomson, Kapiteni De Jongh dhe Togeri Malinckrodt ishin dy oficerët Holandezë më të ngarkuar me stërvitjen e formacioneve të reja ushtarake. Si ndihmësa të dy oficerëve madhorë, të Gjeneralit De Veer dhe të Kolonelit Tomson, ata nuk kishin asnjë privilegj, përkundrazi, kishin më shumë detyrime ushtarake. Kështu, Kapiteni De Jongh kapërcente malet dhe shkonte pranë trupave të komanduara nga Majori Wonter de Waal dhe Kapiteni Julius H. Sonne në zonën Tepelenë – Vlorë.
Sipas planifikimit të bërë nga Gjenerali De Veer, Kapiteni Jongh kreu disa detyra të rëndësishme operacionale ushtarake, në zonën e Fierit dhe të Beratit. Kudo ai i udhëhoqi trupat me guxim dhe arriti disa fitore, sidomos në luftimet, që u zhvillua në zonën e Beratit dhe të Skraparit. Suksesi ishte i mbështetur edhe në bashkëpunimin më banorët e zonave, si dhe me luftëtarët dhe komandantët popullorë. Sapo arriheshin rezultatet e para në luftimet me forcat shoviniste dhe me andartët në Jugun e Shqipërisë, filloi lëvizja rebele me grupet e armatosura të fanatikëve, që kërkonin të rrëzonin edhe ato pak arritje të shtetit të ri shqiptar. Në një letër, që i dërgonte familjes së vet, Kapiteni de Jongh theksonte: “E ndjej veten si Napoleoni, por, për fat të keq, si në Vaterlo.” Kapitenin Carel de Jongh e shohim në llogore në luftimet për mbrojtjen e Durrësit, krahas oficerëve të tjerë Holandezë.
Togeri Gerard A. Mallinckrodt, oficer këmbësorie, ndihmës i Kolonelit Tomson, ishte oficeri më i ri në grupin e Misionit Ushtarak Holandez në Shqipëri. Oficeri elegant, që erdhi në Vlorë menjëherë pas mbërritjes së Gjeneralit De Veer dhe të Kolonelit Tomson, detyrën e filloi si adjutant i Kolonelit Tomson. Me këtë detyrë e shohim edhe në Durrës, ku shoqëronte Tomsonin e famshëm. Por Togeri i ri nuk kishte vetëm detyra shoqërimi, ai organizoi stërvitje të shumta, sidomos në Vlorë, për të përgatitur trupat e xhandarmërisë, që dërgoheshin në mbrojtje të krahinave të Jugut. Ai kreu detyra speciale për eprorin e tij në zonat e vështira, jo vetëm duke përcjellë informacione, por edhe duke marrë pjesë në luftime. Kështu, ai lëvizte me shpejtësi nga një krahinë në tjetrën, në Tepelenë, Delvinë dhe Himarë.
Majori Reddingius Togeri Mallinckrogt gjatë stervitjes në Vlorë
Major Tiddo Reddingius, ishte mjek ushtarak Holandez, në shërbim të Xhandarmërisë Shqiptare. Ky mjek 44 vjeçar ishte ndër mjekët e parë në Historinë e Forcave Ushtarke Shqiptare. Fillimisht ai u vendos në Vlorë, ku ishte dhe Komanda e Xhandarmërisë. Bashkë me mjekun F. H. de Groot dhe rreshterin sanitar, J. van Vilet, zhvilluan një veprimtari të dendur shëndetësore, që nga dizefektimi i zonave, ku jetonin efektivat dhe deri te krijimi i ambulancave – spital në zona të ndryshme ushtarake si në Tepelenë e Vlorë. Krahas mjekimit dhe kurimit të të plagosurëve dhe organizimit të ndihmës së shpejtë në fushat e betejës, Majori Reddingius i dha ndihmën e parë edhe Kolonelit Tomson, kur plumbi i përshkoi trupin më 15 qershor 1914, në Betejën e Urës së Dajlanit. Aty ai u ndihmua shumë nga dy zonja, Edith Durham dhe Baronesha bavareze Amelia Godin. Të dyja e kishin vizituar disa herë Shqipërinë dhe dinin shumë mirë shqip, që i ndihmonte shumë mjekët. Bashkëpunimi tyre shkonte deri në transhetë e vijës së pare të zjarrit, duke ndihmuar në tërheqjen e të plagosurëve.
Personeli mjeksor holandez përbëhej edhe nga mjeku De Groot dhe rreshteri sanitar Jan de Vilet dhe ndihmoi shumë edhe për trajtimin e pacientëve të Spitalit Mbretëror Ushtarak, që ishte hapur në Durrës. Por Dr. Reddingus ishte një nga më të nevojshmit, falë përvojës nga fushëbetejat, si dhe të fjalës së ngrohtë dhe të sjelljes së afërt me të plagosurit. “Doktori Holandez”, siç thirrej në Vlorë dhe në Durrës, u bë i njohur edhe për popullin, pasi ai kudoherë ishte i papërtuar për t’u dhënë ndihmën mjeksore të gjithëve, që ia kërkonin. Ai mori masa energjike për të luftuar malarjen, e cila përhapej nga kolonitë e mushkojnave, në zonat kënetore, që kishin rrethuar qytetet shqiptare, të asaj kohe.
Të gjithë oficerët e Misionit Ushtarak Holandez u dekoruan nga Princ Vidi me Urdhërin “Shqiponja e Zezë” dhe me Medaljen “Shqiponja e Zezë”. Ndërsa Koloneli Tomson, që u vra në luftimet për mbrojtjen e Durrësit, është dekoruar nga Presidenti i Republikës me Urdhërin “Shqiponja e Artë” në vitin 2004.
Holandezët dhe Esat Pasha
-Pashai donte të helmonte Majorin Holandez-
-Faik Konica dhe patriotët e tjerë, bashkë me Majorin Slyus arrestojnë Esat Pashë Toptanin në Durrës, 20 maj 1914-
Pas krijimit të Qeverisë së Princ Vidit, në Durrësin e trazuar filluan intrigat dhe komplotet. Përballja e parë filloi me Esat Pashë Toptanin, i cili u caktua Ministër i Luftës dhe Ministër i Brendshëm. Pashai mbante edhe një xhandarmëri (milici personale) të paligjshme në Durrës, por edhe në Tiranë, Shijak e Kavajë. Majorit Sluys nuk i jepeshin furnizimet me armë dhe municione për trupat, që përgatiste dhe që kishte në varësi. Ai ishte ankuar shpesh tek Princ Vidi, pasi Esati armatimet dhe municionet e blera me fondet qeveritare i dërgonte me karvane drejt zonave dhe njerëzve të tij, gjoja sikur po i përcillte për në Jug. Ai dha edhe një urdhër për një emërim të ri të komandantit të artilerisë, duke hequr oficerin holandez dhe duke emëruar një oficer Italian.
Por Sluys nuk e zbatoi këtë urdhër.
Pas shumë ankesave, Majori Sluys i shkoi në zyrë Esat Pashës. Zyra ishte në shtëpinë e tij, pasi vetëm aty pashai e ndjente veten të sigurtë. Kapiteni Duncan Heaton Armstrong, e përshkruan kështu këtë moment: “Thuhej se kur Sluys shkoi për vizitë në shtëpinë e Esatit kundër emërimit të Moteldos, pashai urdhëroi njërin prej shërbëtorëve të tij t’i hidhte helm kafesë së majorit. Me sa duket, shërbëtori e ka refuzuar një gjë të tillë, duke thënë se më mirë ta qëllonte me armë se sa ta helmonte një njeri. Për dinjitetin e tij, helmimi ishte një akt i ulët. Esati kishte pritur sa ishte larguar majori dhe pastaj e kishte vrarë shërbëtorin e tij”…
Nga shumë fakte të grumbulluara, si dhe me sinjalet me drita, që filluan të jepeshin edhe nga shtëpia e tij për rebelët, Esat Pashë Toptani u bë tepër i rrezikshëm dhe Majori Sluys i kërkoi Princ Vidit arrestimin e tij. Nën ndikimin e Princeshës Sofie dhe të disa patriotëve si Faik Konica dhe Dervish Hima, që kishn miqësi me Oborrin Mbretëror Princ Vidi ia miratoi kërkesën. Sluys, pas rezistencës me armë të njerzëve të Esat Pashë Toptanit, i drejtoi grykat e topit dhe e goditi shtëpinë e pashait, i cili u dorëzua, duke ngritur një flamur të bardhë, pasi gjylja e dytë i shpërtheu mbi çatinë e shtëpisë.
Kështu përfundoi historia e Majorit Sluys që arrestoi Esat Pashë Toptanin, Ministrin e Luftës dhe Ministër i Brendshëm në Qeverinë e Princ Vidit.
Vrasja e Tomsonit dhe fjalimi i Faik Konicës në përcjelljen e trupit të tij
“Koloneli Tomson, bashkë me disa krerë të vullnetarëve, ishte në Gazhane ku kontrollonte luftën. Një kavajas kalon tinzisht nga Ura e Dajlanit e nëpër det i afohet Gazhanes, fshihet prapa një shkoze dhe që andej qëllon dhe vret Tomsonin. Mbas atij, ai vret dhe Ajdin Dragën, të vëllanë e Nexhip Dragës… Por një xhandar kurveleshas e dikton kavajsin dhe midis dy palëve fillon një duel qitjesh i cili merr fund me vrasjen e kavajsit. (Sejfi Vllamasi; “Ballafaqime politike ne Shqiperi” Tirane 1995. f.68)
Prof. Nasho Jorgaqi
Shkrimtari Nasho Jorgaqi ka shkruar ekskluzivisht për vrasjen e kolonelit Tomson Ja përshkrimi i tij:
Të paktë janë ata të huaj që kanë dhënë jetën për çështjen shqiptare e akoma më të rrallë janë ata që kane mbetur qoftë dhe si episode tepër domethënës në analet e historisë sonë. Pa dyshim, këtyre të fundit, vendi i nderit i takon kolonelit holandez Tomson. I dërguar nga Fuqitë e Mëdha në fillimet e ndërtimit të shtetit të ri shqiptar, ky ushtarak i talentuar dhe njeri me ndërgjegje të lartë qytetare, u vu tërësisht në shërbim të organizimit të forcave shqiptare të rendit dhe në mbrojtje të shtetit deri në vetëmohim. Ai është kthyer në shembull lapidar, që sjell edhe në kohën tonë një mesazh aktual.
Vdekja heroike e kolonel Tomsonit ndodhi në një vit të mbrapshtë të historisë shqiptare, kur në vend kish shpërthyer anarkia dhe elementët fondamentalistë orvateshin ta kthenin Shqipërinë prapa. Por forcat patriotike, sado të përçara e të befasuara, iu kundërvunë me çdo çmim dhe arritën t’i mposhtnin armiqtë e përparimit.
Jo rastësisht në krah dhe në krye të tyre luftoi dhe dha jetën koloneli Tomson. Dhe merr një kuptim simbolik, që gjaku i heroit holandez u trazua me gjakun shqiptar në mbrojtje të progresit. Një dëshmi e kohës na e tregon këtë: “Koloneli Tomson, bashkë me disa krerë të vullnetarëve, ishte në Gazhane ku kontrollonte luftën. Një kavajas kalon tinzisht nga Ura e Dajlanit e nëpër det i afrohet Gazhanes, fshihet prapa një shkoze dhe që andej qëllon dhe vret Tomsonin. Mbas atij, ai vret edhe Ajdin Dragën, të vellanë e Nexhip Dragës… Por një xhandar kurveleshas e dikton kavajsin dhe midis dy palëve fillon një duel qitjesh, i cili merr fund me vrasjen e kavajsit. (Sejfi Vllamasi; “Ballafaqime politike ne Shqiperi” Tirane 1995. f.68)
Vdekja e kolonel Tomsonit ishte një humbje e rëndë, po në të njëjtën kohë, vetëmohimi tij, bëri përshtypje të thellë te shqiptarët dhe u shndërrua në një mesim për ta. Shtypi i ditës dhe kujtimet e bashkëkohesve na japin një pasqyrë të saktë të jehonës së madhe që pati kjo ngjarje e paprecedent.
Me rastin e përcjelljes për në vendlindje të trupit të kolonel Tomsonit, në Durrës, kryeqyteti aso kohe i Shqipërisë, u organizua në qershor 1914 një ceremoni mortore në prani të princ Vidit dhe të elitës politike dhe intelektuale të kohës. Faik Konica ishte ndër të parët që kish arritur në atdhe për t’i dhënë mbështetje shtetit të ri. Sado që ai nuk mori ndonjë post shtetëror, njihej si një nga liderët politikë, që punoi për një orientim perëndimor të atdheut të tij. Vrasja e kolonel Tomsonit ishte një atentat që i bëhej përpjekjeve për oksidentalizimin e vendit. Faik Konica, si një nga shtyllat e kësaj politike, në fjalimin që do të mbante para martirit të rënë në krye të detyrës, do të behej interpret i mendimit më të përparuar shqiptar. Ky fakt dihej, por nuk njihej teksti i fjalimit. Fatmirësisht, atë patem fat ta gjejmë ne numrat e koleksionit të rrallë të revistës “Zana”, që dilte aso kohe në Durrës. Fjalimi i botuar në numrin e gushtit të vitit 1914 është nga faqet më të bukura të oratorisë së kursyer të Faik Konices. Duke e shqiptuar me një frengjishte ekspresive dhe elegante, siç dinte vetëm ai, do të shprehte dhimbjen dhe mirënjohjen e shqiptarëve ndaj mikut të huaj që dha jetën për lirinë e tyre. Ai do të skaliste portretin burrëror të Tomsonit, karakterin e fortë, mendjen largpamëse, gjakftohtësinë, ndjenjen e lartë të detyres dhe mbi te gjitha devocionin për një vend të vogel, siç ishte Shqipëria e sapozgjuar nga robëria disashekullore. Te Tomsoni, ai shikonte “mbrojtësin e madh të rendit publik” për të cilin kish nevojë aq shumë vendi, i pushtuar nga anarkia.
Fjala e Faik Konices për kolonel Tomsonin, na vjen nga kohë disi të ndjeshme të historisë sonë. Me shumë se sa një dokument, ai është një mesazh kuptimplotë që ka ç’i thotë shoqërisë sonë edhe në stadin e sotëm.