Ohri, qyteti i një kujtese të harruar

DITA Online

 

Nga Pëllumb Gorica

Duke ecur në hapësirat që shtrihen përtej kufirit të Qafë- Thanës, çdokush prej nesh edhe pse ka udhëtuar disa herë në këtë vend, provon mbresa. Jemi nisur për në Ohër, në brigjet e liqenit aq piktoresk, ashtu siç është ky qytet i preferuar nga një lëvizje turistike përherë në rritje. Ndaj udhëtimi ynë drejt tij është një kënaqësi më vete. Kështu, duke shkelur vende me histori dhe natyrë të pa përsëritshme, orët kaluan në biseda, zbavitje, shëtitje që e bënë udhëtimin të gëzueshëm e të paharrueshëm dhe syri e shpirti ndjejnë të bukurën, hijeshinë, kulturën, vlerat dhe dhimbjen e harresës historike, si edhe ata që e ndryshuan atë kohë, por pesha e të cilëve bie mbi të gjithë ne, mbi brezat e sotëm dhe ata që vijnë.

Ohri është në vetvete një mrekulli e këndshme, si kartolinë, me liqenin, i cili shtrihet që nga Prehistoria. Të eturit për tokë e ujëra e copëzuan atë. Ofshan i gjori liqen në shekuj, s’duron dot, kur në dy shtete puthen brigjet. Belbëzimet, kthyer në valë, nanuriten me bukurinë që ka.

Tej në Lindje, brezi madhështor i malit të Galiçicës, që ngrihet në një lartësi prej 2255 metra, duket sikur takohet me qiellin. Ai shndrit në diell me nuancat e harlisjes së thellë të gjelbërimit,si një tjetër shenjë që u thotë mysafirëve: “Mirseardhët!”

Në qytetin e dritës

Para syve shtrihej panorama piktoreske e Ohrit. Sa shumë e tregon vetveten ajo, ndaj të pushton një kënaqësi që ndoshta pse është e tillë e ndjen thellë dhe shpirti gdhend në emocione magjinë e bukurive që shfaqen befasues para syve. Liqeni me kaltërsinë e tij përhap pasqyrime të shkëlqyeshme drite mbi gjithçka: rrugët, pemët, ndërtimet, njerëzit, ashtu si dielli që përplasej në shtëpitë e bardha plot dritë, duke shpërndarë ngrohtësi. Pëshpëritjet e valëve, si ajo e të dashuruarve, harmonizuar me hijezimin e ngjyrës çlodhëse të tij, me retë që kalërojnë qiellit blu dhe bashkë me atë përplasjen gjithë finesë të krahëve të pulëbardhave me freski, të mbushin deri në plotësi.

Endur me dëshirën për ta soditur qytetin, syri të rrok rrëke turistësh, aty ku gjenden me shumicë butikë, restorante, kafene… Në faqet e dy kodrave të Ohrit, rrugicat janë me dhjetëra e vargu i shtëpive, po i tillë, të ndërtuara në brinjë të njëra – tjetrës, si një krah i hedhur sup mbi sup. Qyteti i shtrirë ca më poshtë me ndërtime moderne e rreshta ndërtesash të restauruara ndërthuret me dekorin e gjelbëruar të malit Galiçicë.

Kishat, që janë të shumta, të ndërtuara dhe të gdhendura nga mjeshtrit voskopojarë, të lënë përshtypje me përsosmërinë e tyre arkitekturore. Si një admirues i Artit, Arkitekturës, Natyrës dhe Së Bukurës, humbet mes tyre. Më tutje statujat e shenjtorëve mbushin sheshet dhe parqet e qytetit me dimensione të ndryshme e mbishkrime cirilike. Një tendencë e qëllimshme kjo, që të zmadhojnë pjesën e historisë së tyre sllavo-maqedonase.

Nëpër një mori ndërtesash interesante, të përqendruara, me një densitet të madh, në të dyja anët, gëlojnë lloj-lloj dyqanesh me suvenire dhe ormanente të ndryshme, të cilat ravijëzojnë bukurinë dhe Arkitekturën e qytetit, Traditën dhe Të Sotmen. Fryte të mendjes dhe punës njerëzore janë edhe restorantet e gatimeve tradicionale, gjë që ndër shqiptarët është më e theksuar. Gjëja e parë që të bie në sy është rregulli, pastërtia, kultura. Në një nga lagjet e vjetra, Çinari, ku banojnë shqiptarët, të tërheq vëmendjen një rrap shumëvjeçar me trung të trashë e kurorë të madhe gjelbërimi. Jo shumë larg tij, një pazar tradicional i një zejtarie autentike, gumëzhinte nga turistët.

 

Në kodrën buzë liqenit dominon kalaja e Samoilit, e cila i shton pamjen mahnitëse qytetit. I josh vizitorët ajo, me muret e larta dhe, kur i prek ato, padashur futesh në labirintet e ngjarjeve antike aq të pa deshifruara. Koha, kjo shkatrrimtare e madhe, ka mbuluar me pluhurin e harresës lashtësinë e saj dhe histori të largëta. Ajo i përket shekullit IV (Para Krishtit), por restaurimi, tashmë me ndjesinë e krijimit të madhështisë pushtuese, të shfaqet sikur është ndërtuar edhe njëherë nga e para me një veshje të papërshtatshme.

Ecim territorit të saj, aty ku koha, ngjarjet, luftërat dhe jeta kanë lënë gjurmë dhe që revokojnë histori. Kujtesa e ngjarjeve të ngacmon mendimet, dhe përfytyrimet gjejnë ca udhë të largëta. Vijnë ato nga thellësia e shekujve me zëra dhe kumte që tingëllojnë në vringëllimat e shpatave, rëndesat e parzmoreve e shkëlqimin e stemave.

Të duket se këtu takon mbretin ilir, Bardhylin apo të birin, Klitin, me vështrimin krenar, përhumbur diku tutje mbi liqen dhe luftëtarët ilirë, që me flake drite zbardhnin fortesën e Enkeleasve. Prej frëngjive dhe kullave katrore e tretim shikimin në liqen dhe me malet rrotull tij. Malit të lartë të Galiçicës i dallon qartë jo vetëm konturet, por edhe gjelbërimin e thellë. Re të bardha si copëza çarçafësh shpoheshin nga rrezet depërtuese të diellit, që shkëlqenin në liqen. Nën këtë prarim, kjo pamje magjepsëse, të bënte më romantik se ç’duhet.

Histori që meriton të njihet

Është e natyrshme joshja për të mësuar më shumë për historinë e Ohrit. Por, sado që bëhesh kureshtar, pezmatohesh nga historia e lashtë dhe e zbehur shqiptare. Pluhuri i harresës së detyruar duket sikur i ka mbuluar vlerat e këtij qyteti. Të dhënat historike janë baza e gjenezës dhe, kur historia hesht për të vërtetat, i deformon ato duke i shkruar të pabazuara e me interesa nacionalisti, ajo e fsheh qëllimisht shkëlqimin e saj të shndritshëm të këtij vendbanimi të lashtë.

Banorët shqiptarë të Ohrit, edhe pse pakicë, krenohen me trashëgiminë shekullore e cila është lënë në harresë si një këngë e pashkruar në pentagramin e historisë. Jetojnë këtu në këtë bukuri që e ka falë natyra, por të trishtuar, sepse reliket e historisë së lashtë të qytetit që flasin shqip po fshihen nga kujtesa. Ngjeshur mes kësaj heshtjeje të kohëve të lavdishme, të pështjelluara pas perdeve të errëta të tyre, dallgët janë përplasur pamëshirshëm në bregun e tij, saqë asnjë rreze dielli nuk po i bën dritë.

Ohri, si gjithë qytetet, e ka një histori të tijën, të madhe, të shkruar e të pashkruar. Një histori të larmishme dhe dëshmi të pakundërshtueshme që vërtetojnë mjaft fakte, për të cilat Albanologët me qartësinë e tyre, kanë mundësuar të përcjellin te mentaliteti njerëzor, duke ndriçuar thesaret e gjenezës sonë, të mbetur në hije. Ata kanë zbuluar shumë gjurmë ekzistence të kulturës ilire, që hedhin dritë me evoluimin e saj në shekuj, si një certifikatë e moçme e këtyre trojeve. Ato të bëjnë me dije, të venë në mendime dhe punë kërkuese studimore të mëtejshme, për të depërtuar në tërë dimensionin e së shkuarës me argumente, duke zbutur ashpërsinë e urrejtjes me përmasat e tmerrshme, të gllabërimit të trashëgimisë sonë. Dihet se të gjitha i kanë përvetësuar të tjerët, duke krijuar kështu shtete artificiale nga trojet e Ilirisë së Lashtë.

Ohri ka një mbijetesë mijëravjeçare. Ai është vendbanim ilir i fisit të Enkeleasve, tashmë të njohur me emrin Lyhnidos. Nuk është rasti më shumë të shkruajmë për këto thesare me plot të panjohura, por që hulumtimi i mëtejshëm duhet të marrë përmasat  e duhura pa i humbur ato.

Në Ohër koha ka ruajtur një pjesë të gjurmëve të hershme me pasuri historike, të fshehura thellë në gji të natyrës, edhe pse njeriu e Natyra janë një binom i pandalshëm në fenomene shkatërrimtare. Gjurmët më të hershme, të zbuluara këtu, u përkasin periudhave të Neolitit e që përfaqësohen sot në muzeun e Ujit, në brigjet e liqenit, ose siç njihet ndryshe: Gjiri i Kockave. Këto dëshmi me rëndësi për Lashtësinë e këtyre trojeve tregojnë se këtu jeta ka qenë e zhvilluar. Ndërkaq, ndjehesh po kaq i interesuar të mësosh më shumë për vazhdimësinë e jetës këtu dhe për morinë e ngjarjeve përshtyplënëse në kohëra.

Shekujt rendën dhe evoluuan me hapa gjigantë duke sjellë ndryshime rrënjësore të kufijve. Nga furtunat e stepave lukunitë e ardhacakëve gëlltisnin kësisoj troje, artin, kulturën, historinë, që të zhduknin thesaret e të çrrënjosnin gjithçka nga Lashtësia e tij, duke krijuar një perandori të re dhe botëkuptim të tyre. Qiellin e kaltër, si një korb i zi, retë e zezonin në fushata të shenjta që herë tkurreshin,herë zgjeroheshin. Me pozicionin e përshtatshëm, Ohri ishte përherë në lakmi të pushtuesve romakë, bullgarë, normanë, turq, sllavë, të cilët tinëzisht dhe mizorisht i fshihnin gjurmët tona.

Një popull vdes kur nuk ka histori dhe i zhduken rrënjët e thella në shekuj. Por një gjë është më se e vërtetë që banorëve shqiptarë të Ohrit, historikisht, prej padrejtësive të kohës, pushtuesve, shtypjes e diskriminimit, u është mohuar e vërteta e historisë. Mëson më tej, se në shekullin X, i pushtuar nga bullgarët, e mori emrin Ohrid, që shpjegohet si vend mbi kodër. Ohri është quajtur edhe Ahras dhe këtë e vërtetojnë drunjtë e shumtë të Ahut.

Ai ka qenë në shekuj vatër e atdhetarizmit me ngjarje të spikatura. Aty kanë lindur, jetuar e luftuar burra; e vërteta e tyre, sado ndryshe të ketë qenë, duhet paraqitur ashtu siç është. Ohri ishte qendër e principatës arbërore të Gropajve, e shtrirë nga Dibra, Struga, Ohri, deri në Pogradec.

Historianët sllavo -maqedonas të Ohrit, me kryeneçësinë e tyre, nuk duhet të ngrenë supet përpjetë e të harrojnë figurat e tij në kohëra, të kësaj familjeje si: Andrea Gropa, Pal Gropa, Zaharija Gropa, që në shekujt XIII-XIV ishin sundimtarë të tij. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit e ripushtimit turk, një pjesë e tyre u largua në krahina të tjera. Është interesante të përmendim gjithashtu, se Ohri u bë simbol i qëndresës kundër Osmanëve dhe janë zhvilluar luftime të ashpra në kohën e Gjergj Kastriotit.

Por Ohri është i njohur në Rilindjen Kombëtare Shqiptare dhe vendlindja e figurave të Pavarësisë: Dervish Himës, Hamdi bej Ohrit, Zuhdi bej Ohrit, protagonistë në kohën ku roli i tyre ishte aktiv. Veçse, fatkeqësisht, si mjaft territore të tjera ai mbeti jashtë kufijve të tokës shqiptare më 1912.

Në Ohër historikisht dominonin shqiptarët, por sot ata janë në pakicë si shkak i rrjedhojave që ofroi shekulli XX dhe luftërave grabitqare ndaj territoreve shqiptare, sidomos pas vitit 1945 me politikën e famëkeqit Rankoviç për spastrimin etnik. Për të iu shmangur pasojave të tjera të mëtejshme, si në shumë territore u larguan në Turqi, por edhe në Amerikë e vendet e Evropës Perëndimore, plot brengë për braktisjen. Pushtuesit, maestro të padiskutueshëm të udhës ideologjike, buzëqeshnin me dhëmbë skërmitur, duke iu kënaqur largimit të shqiptarëve, mes asaj tymnaje të errët e të përgojuar, si një e shkuar e zymtë, nga e cila e shohim në sy hapësirën e rralluar prej tyre, edhe në asimilimin klasik të atyre që jetojnë aty.

Marrëveshja e Ohrit midis liderëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe përfaqësuesve të qeverisë maqedonase, në gusht të vitit 2001, ishte një tjetër ngjarje në historinë e këtij qyteti. Pamë lëvizje protagonistësh, të mbërthyer në ngërçin e pazgjidhshëm të situatave nacionaliste. Historia e Ohrit ka aq shumë për të treguar.

Një perlë për bukurinë e syve

Një udhëtim i bukur lë mbresa kur përballesh me natyrën e gjallë. Kur prek Shën Naunin, sigurisht, nuk mund të largohesh pa marrë me vete përshtypjet e vizitës atje me soditjen e pamjeve së bashku me dëshirën të fiksojmë në celuloid të veçantat mikpritëse.

Pak kilometra larg Pogradecit, Shën Nauni, buzë liqenit, në një kodrinë, i rrethuar nga uji e gjelbërimi me objektet e adhurimit e pelegrinazhin për mijëra vizitorë, të shfaqet si pleksje midis ëndrrës dhe reales. Ai është një manastir i veshur me piktura shenjtorësh dhe i pagëzuar me emrin e teologut të ditur, Naunit, i cili kishte shërbyer këtu si shenjtor dhe i përmendur për humanizmin e vet. Me godina të çngjyrosura nga koha, muret e pikturuara me zbukurime të ndryshme kishtare, kupolat e dekoruara me motive engjëllore e tërheqëse shpirti të humbet në mistikën e tyre. Ndaj, kushdo që vjen këtu, e nderon këtë vend të shenjtë, si një perlë që dora arkitekte e Zotit e ka krijuar kaq hyjnore.

Duke u bërë shijues i një një mrekullie të veçantë, me vështrim të kthjellët në horizontin e përflakur,dielli që lëshon reflekse mbi valet, të përshëndeste së bashku me flladin e lehtë që të shpupuriste flokët. Pemët e larta, të cilat fshehin mrekullisht ndërtimet, të dhurojnë një ndjenjë qetësie dhe kjo të bën të mendosh se po jeton një përrallë të magjishme. Është kaq bukur sa mbetesh pa fjalë. Por, kënaqësisë i shtohen edhe spektaklet e mrekullueshme të fazanëve dhe mjellmave, aty ku uji formonte disa liqene të vegjël, që gurgullimën e kristaltë, e vijonin qetësisht në liqen.

Uji i gjelbër, që reflektohet në sfondin plot dritë, gurgullues nga thellësitë e lartësive të vargmalit, kishte interesante një dukuri që të jepte të tjera emocione. Pranë një ure druri, adhuruesit praktikonin ritin e hedhjes së monedhave në ujë, të cilat qëndronin aty e shkëlqenin nga rrjedha e pastër e tij. Bëhet fjalë për një rit të veçantë, që shumë vizitorë e çmonin aq shumë.

Sipas një legjende, një bari i vogël nga Shën Nauni punonte te një prift në liqenet e Prespës, të cilat kanë lidhje nëntokësore ujërash dhe ushqejnë liqenin e Ohrit. Bariu, nëpërmjet këtyre ujërave i dërgonte familjes së tij të varfër çdo javë nga një qengj, të cilin e fuste në një thes dhe ata e prisnin aty në Shën Naun. Një ditë prifti dyshon dhe e pyet pse po pakësohet bagëtia. Bariu i përgjigjet se ndoshta i sulmojnë kafshët e egra në mal. Por prifti e ruan dhe e sheh veprimin e dërgimit të qengjit. Kur vjen java tjetër, ai e vret bariun dhe e fut në thes trupin e tij në vend të qengjit, duke e hedhur në ujërat nëntokësorë. Të afërmit e djalit prisnin qengjin e radhës, por gjetën trupin e djalit. Që nga ajo kohë ky vend ka mbetur i shenjtë dhe njerëzia hedhin monedha në kujtim të bariut.

* **

Përsëri në udhë, po tani në atë të kthimit. Përballë konturohet Pogradeci dhe plazhet e tij, por ne jemi ende nën peshën e impresioneve tona. Vështrimin herë pas here e rikthejmë mbi tokën që lamë pas. Dielli, shfaqet në mes reve të bardha dhe pas pak perëndon i zhytur në horizont, pas maleve. Dhe valëzat e liqenit nëpër pllaquritjet sikur kërcejnë një vals në muzg…

Share This Article
1 Comment
  • Te pergezoj i deruari Pellumb Gorica.-Pellumb i bardhe ne kohe na ke ardhe.
    Fjalet tuaja sa fotot shume reale, jane gjitcka.
    (me fal mua qe me ke sygjeruar te mos shkruaj me ne komente per shkrimet tuaj.Une do shkruaj.Ju po me plotesoni nje “mangesi timen,nje jete pa arrire-enderr…
    Pac miresi- djale deli djale!.(S’kam c’te te afroj,me pensionin e kohes shkuar jetoj…rruget e botes marre,”trinitrina”nga Ju marre).
    Ju paste familia-sa shoqeria ju perkushtuar!
    Guri Naimit D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *