OKB-ja ka kritikuar ashpër Hungarinë për shkak të ligjeve të ashpra që kjo e fundit ka kaluar për emigrantët. Agjensia e refugjatëve ka deklaruar se vendi nuk po lejon kalimin e 1.300 azil-kërkuesve që ndodhen të bllokuar në kushte ekstreme në kufirin jugor me Serbinë. Gjithashtu, ata e kanë cilësuar si jo në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, praktikën e kthimit pas të azil-kërkuesve.
Agjensia e Refugjatëve pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka lëshuar kritika të ashpra në drejtim të Hungarisë për mënyrën se si qeveria po e menaxhon krizën e emigrantëve. Autortietet nuk po lejojnë kalimin në territorin hungarez për afro 1.300 emigrantë të cilët ndodhen të bllokuar në kufirin jugor me Serbinë.
Sipas agjencisë, këta azilkërkues qëndrojnë prej muajsh të bllokuar në kushte mjaft të vështira dhe me rezerva të pakta uji dhe ushqimesh. OKB thekson gjithashtu se mungesa e kushteve higjenike ka bërë që në këtë kamp të rritet ndjeshëm mundësia e përhapjes së sëmundjeve epidemike.
Kritika të shumta vijnë edhe për prezencën e ndjeshëm të forcave të sigurisë në këtë zonë. Hungaria ka vendosur afro 10.000 ushtarë dhe policë në kufinjtë e saj jugorë për të mos lejuar kalimin e refugjatëve.
Një tjetër problem shqetësues është kthimi pas i emigrantëve në Serbi, në kundërshtim të hapur me ligjet ndërkombëtare. Hungaria ka miratuar së fundmi një ligj, i cili e lejon qeverinë të kthejë pas azil-kërkuesit në rast se këta nuk kanë depërtuar për më shumë se 8 kilometër në territorin hungarez.
Gjithashtu, parlamenti ka votuar pro burgosjes së emigrantëve në rast se këta të fundit futen ilegalisht. Në muajin tetor vendi do të mbajë një referendum për të vendosur nëse do të pranojë ose jo kuotat e refugjatëve të propozuara nga Bashkimi Europian.
Bllokimi i kalimit për emigrantët ka vendosur në vështirësi edhe Serbinë, e cila ka cliruar fonde të shumta për të menaxhuar krizën.
