Që nga fillimi i luftës civile në Siri, OKB-ja ka nënshkruar disa kontrata dhjetëra miliona dollarëshe me agjencitë publike, biznese dhe organizata bamirësie që lidhen me regjimin e Bashar al Assadit. Denoncimi bëhet nga gazeta britanike “The Guardian”, që ka këqyrur dhjetëra kontrata ku përfshihen kompani siriane që janë subjekt i sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dhe shoqata bamirësie të drejtuara nga gruaja e Presidentit, Asma Assad, dhe kushëriri i tij, biznesmeni Rami Makhlouf.
Në mesin e kontratave përfshihen marrëveshje bashkëpunimi mes dy agjencive të OKB-së dhe organizatën e bamirësisë “Syria Trust” (e themeluar dhe drejtuar nga Asma Asad) me vlerë 8.5 milionë dollarë (7.6 milionë euro). UNICEF, ndërkohë i ka dhënë 267.933 dollarë (239,818 euro) shoqatës Al Bustan, në pronësi të manjatit Rami Makhlouf, që zotëron kompaninë telefonike “Syriatel”, ku organizata ndërkombëtare ka transferuar deri në 700,000 dollarë (626,547 euro) në dy vitet e fundit. Si Asma dhe Rami, janë pjesë e listës së zyrtarëve sirianë që u nënshtrohen sanksioneve të SHBA-së dhe BE-se.
Në deklarata për gazetën britanike, një zëdhënës i OKB-së shpjegoi se organizatat e OKB-së mund të operojnë në Siri vetëm me një numër të kufizuar partnerësh që miratohen nga Asadi. “E rëndësishme është që të arrijmë te një numër sa i madh civilësh, të cilët janë në një situatë të pambrojtur”, tha zëdhënësi i cituar. “Zgjedhjet tona në Siri, shtoi ai, janë të kufizuara për shkak të pasigurisë së lartë, ku për të gjetur kompani dhe partnerë që veprojnë në zonat e rrethuara dhe me qasje të vështirë është jashtëzakonisht e komplikuar”.

OKB-ja insiston se bën çdo gjë të mundshme për të siguruar që paratë shpenzohen në mënyrë korrekte. Megjithatë sipas “The Guardian” dokumentet e këqyrura “ngrenë pikëpyetje të reja në lidhje me rolin e OKB-së në Siri dhe paanshmërinë e saj”. Të dhënat e publikuara nga gazeta, janë pjesë e hulumtimit të kryer nga Reinoud Leenders, Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Lindjen e Mesme në King’s College të Londrës.
Sipas analizës së tij, vitin e kaluar 900 milionë nga 1.1 miliardë dollarë (800 nga 984 milionë euro) të programit të OKB-së për Sirinë janë investuar në ndihma të kanalizuara përmes Damaskut. Plani i 2016-ës është projektuar nga OKB-ja dhe qeveria siriane, pa pjesëmarrjen e OJQ-ve që shpërndajnë ndihma në zonat jo të arritshme të organizatës ndërkombëtare.
Kontrata të tjera të nënshkruara në pesë vitet e fundit të konfliktit zbulojnë për shembull, se Organizata Botërore e Shëndetësisë disbursoi mbi 5 milionë dollarë për të mbështetur një bankë kombëtare gjaku të kontrolluar nga ushtria siriane. Agjencia nuk i fsheh “shqetësimet konkrete” se furnizimi me gjak ishte i destinuar kryesisht për ushtarët.

Organizmi i drejtuar nga Ban Ki-Moon ka shpenzuar 13 milionë dollarë (11.6 milionë euro), në një program të qeverisë për të nxitur bujqësinë në një vend të shpartalluar nga lufta që ka shkaktuar 400.000 të vdekur; 600.000 njerëz të detyruar të jetojnë në zonat e rrethuara dhe miliona refugjatë.
Përveç kësaj, katër milionë dollarë kanë shkuar tek një furnizues karburanti shtetëror që gjithashtu shfaqet në listën e sanksioneve të BE-së. Dhe mes 2014 – 2015, 9.2 milionë dollarë (8.2 milionë euro) janë shpenzuar në akomodime të stafit në hotelin luksoz “Four Seasons” të Damaskut. Ministria e Turizmit sirian kontrollon një të tretën e hotelit. Në total, OKB-ja ka bërë biznes me 258 kompani siriane me transaksione që variojnë nga 30 mijë dollarë deri në 54 milionë dollarë. /DITA
