Rihapen hetimet për një nga misteret e Luftës së Ftohtë: A u vra i vetmi lider i OKB që “nuk ishte i askujt”?

Dita

 

Ishte nata mes 17 dhe 18 shtatorit 1961. Zhurma e 4 motorëve të avionit DC-6 ishte mekur. Moti ishte i mirë, poshtë ishte një errësirë e plotë pus, siç është gjithmonë Afrika në mes të natës, dhe për këtë arsye, ndriçimi i aeroportit ishte edhe më i dallueshëm.

“Shoh dritat tuaja, Ndola, ne po ulemi në pistë” – njoftoi piloti kullën e kontrollit, 10 minuta pas mesnate.

Në bord, heshtje, tension. Përveç anëtarëve të ekuipazhit, të gjithë suedezë, në bordin e avionit gjendeshin edhe 10 pasagjerë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, me një pjesë të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

Në Ndola, asokohe Rodezia Veriore, dhe sot Zambia, e priste një takim vendimtar me kreun e rajonit separatist të Katangas, zone e pasur minerare e Kongos.

Lufta civile ishte ndezur në Kongo, por Moise Ciombe, i lidhur me fije të dyfishta me kompanitë evropiane dhe amerikane të minierave, papritur i kishte dhënë sinjale se ishte i gatshëm për të biseduar.

Sekretari i Përgjithshëm pa një shpresë për paqe. Dhe u nis personalisht.

Por avioni DC-6 nuk arriti kurrë në Ndola, as nuk pati komunikime të tjera me kabinën në kullën e kontrollit.

Një polic dëshmoi se atë natë kishte parë një shkëlqim në qiell, por drejtori i aeroportit ia mbylli shpejt gojën, duke deklaruar se, “aeroplanët e VIP-ave nuk rrëzohen asnjëherë”.

Pjesët e shkatërruara të avionit u zbuluan rreth orës 3 të pasdites së 18 shtatorit, më pak se 15 kilometra larg nga pista.

Kështu vdiq suedezi Dag Hammarskjold, Sekretari më i famshëm i Përgjithshëm që kanë patur ndonjëherë Kombet e Bashkuara.

Intelektual, besimtar, asket, një hero civil që tentoi të mos mbante krahun e askujt në botën e ndarë më dysh nga Lufta e Ftohtë.

Kanë kaluar 54 vjet, dhe ajo që dukej e mbetur si një ngjarje e errët në faqet e librave të historisë, ka bërë sërish lajm. Duke u konfirmuar si misteri më i madh, ende i pazgjidhur i Luftës së Ftohtë, OKB-ja ka vendosur të rihapë një hetim zyrtar mbi rrëzimin e avionit.

Me kalimin e viteve, pati të paktën dy hetime të mëhershme. E para u krye nga autoritetet koloniale britanike, sepse Rodezia në atë kohë ishte pronë e Madhërisë së Saj, të Mbretërisë së Bashkuar, Elisabetës.

“Gabimi i pilotit” – ishte ky përfundimi i hetimeve në vitin 1962, por pa paraqitur megjithatë asnjë provë për ta mbështetur këtë tezë.

Hetimi tjetër, i ndërmarrë nga vetë Kombet e Bashkuara, përfundoi me një vendim shumë më të hapur.

Nuk mund të përjashtohet asnjë hipotezë, tha komisioni ndërkombëtar, por as nuk konfirmojmë ndonjërën, pasi nuk ka prova. Që nga fillimi kishte patur thashetheme dhe teori, mbi një komplot të mundshëm. Mes tyre nuk mungonte opsioni për të vrarë Dag Hammarskjoldin.

Askush më mirë se ai nuk kishte mishëruar, në 70 vitet e ekzistencës së OKB-së, idealin e një pushteti të pavarur dhe mbikombëtar, që përpiqej t’i imponohej si shteteve të vogla, ashtu edhe fuqive të mëdha.

Hammarskjoldi nuk ishte njeriu i askujt, i asnjë qeverie, madje as i ndonjë gruaje.

E urrenin sovjetikët, që orkestruan një fushatë ndërkombëtare shpifjesh, duke pretenduar se ai ishte homoseksual (në atë kohë, një akuzë e pafalshme për një figurë publike).

Por në krizën kongoleze, Dag e kishte vendosur OKB-në në anën e qeverisë legjitime, e cila mbështetej nga blloku komunist.

Prandaj edhe ishte i urryer, po aq edhe nga sponsorët e shkëputjes së Katangës: CIA dhe shërbimet e tjera sekrete perëndimore, Belgjika, kompanitë minerare, dhe mercenarët evropianë.

Gjatë viteve të fundit, studiuesit e pavarur kanë zbuluar shumë gjëra. Tashmë është e sigurtë se CIA dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, por dhe Shërbimi Inteligjent Britanik, zotërojnë informacion të klasifikuar mbi rastin.

Amerikanët kishin në Qipro një qendër komunikimi me radio, që mbulonte një pjesë të mirë të hapësirës afrikane.

Për më tepër, natën e tragjedisë, dy avionë DC-3, ishin të parkuar në pistën e Ndolas, me motorët e ndezur, mesa duket me të vetmin qëllim për të gjeneruar energji elektrike që të mund të dëgjoheshin komunikimet e radios.

Amerikanët e dinë. Atë natë kishte një tjetër avion mbi aeroportin e Ndolas. Dhe sipas dëshmitarëve, shumë lëvizje në terren.

Hetimi më i ri do të ketë në dispozicion informacione të papublikuara më parë, për të zbuluar nëse Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ishte apo jo viktimë e një kurthi.

Në çdo rast, ai ishte gati. Në një poezi të vetën pranverën para ngjarjes kishte shkruar: “Për ata që pyesin, nëse kam guximin / për t’i shkuar deri në fund / përgjigjja ime / është e pakthyeshme”.

La repubblica/ Bota.al

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *