Do të ketë një fluks prej 8 mijë refugjatësh në ditë që vijnë nga Siria dhe Iraku drejt Europës, e ka gjasa që ky fenomen të vazhdojë edhe pasi situata të jetë vendosur nën kontroll.
Kështu ka paralajmëruar dje koordinatori rajonal i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Amin Awad, në një prononcim për agjencinë e lajmeve “Reuters”, ndërsa rreth gjysmë milioni emigrantë, shumica nga Siria dhe nga zonat e tjera të përfshira nga konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, kanë mbërritur në Europë gjatë këtij viti.
Fluksi i javëve të fundit ka shkaktuar tensione mes vendeve fqinje në Europën Qendrore, të cilat kanë vazhduar edhe këtë të premte, pavarësisht vizitës në Austri të Kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
Orban dhe Kancelari austriak, Wener Faymann, nuk u shfaqën së bashku në publik pas takimit kokë më kokë.
Kreu i ekzekutivit austriak, më herët e kishte cilësuar sjelljen e autoriteteve hungareze ndaj emigrantëve si politikat e Gjermanisë naziste, një krahasim ky që u hodh poshtë nga Budapesti zyrtar.
Duke folur nga Vjena, Orban tha se Hungaria u detyrua të ndërtonte gardhin në kufirin me Kroacinë, njësoj si ai me tela me gjemba në kufi me Serbinë.
