Në mbarë botën trafikohen rreth 1.2 milionë fëmijë ose 27% e rasteve të trafikimit të qenive njerëzore. Këto shifra shqetësuese vijnë nga raporti i fundit i OKB-së në lidhje me krimin ndërkombëtar. Pavarësisht fushatave, trafikimi i të miturve është në rritje
Trafikimi ndërkombëtar i të miturve është shtuar me përmasa të frikshme vitet e fundit dhe tashmë përllogaritet në 27 për qind të rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore. Këtë e pohon një raport i OKB-së mbi drogën dhe krimin, sipas të cilit dy të tretat e rasteve të trafikimit, janë vajza të moshës nën 18 vjeç. Shitja e fëmijëve dhe trajtimi i tyre si të ishin skllevër, është një nga krimet më të rënda, e megjithatë është një krim në rritje. Vlerësimet e këtij raporti tregojnë për 1.2 milionë fëmijë të shitur nëpër botë dhe 5.5 milionë të tjerë të katandisur në skllevër. Frenimi i trafikimit të të miturve është i mundur ose të paktën mund të tentohet me çdo mjet.
Në përfundimin e saj, fushata trevjeçare “Ecpat-International”, një rrjet organizatash që lufton shfrytëzimin seksual të fëmijëve, prezantoi hapat e mëtejmë që janë bërë për të mposhtur industrinë e turpshme që shfrytëzon 1.2 milionë fëmijë dhe prej së cilës gjenerohen përfitime në miliarda dollarë. Në krahasim me vitin 2009, kur filloi fushata dhe pas prezantimit të peticionit me 7 milionë firma në Kombet e Bashkuara, rezultatet janë mjaft inkurajuese.
Raporti “Creating Change through Partnership”( Krijimi i Ndryshimeve përmes Partneritetit) tregon se si fushata kundër trafikimit të fëmijëve ka frymëzuar qeveritë në mbarë botën për të ndërmarrë masa konkrete kundër këtij fenomeni. 14 vende kanë ndryshuar legjislacionin për të shtuar masat mbrojtëse ndaj fëmijëve, e midis tyre janë: SHBA-ja, Zvicra, Rumania dhe Suedia, në të cilat regjistrohet një numër i lartë i të miturve të trafikuar. Indonezia, India, Greqia dhe Irlanda kanë ratifikuar protokollin e OKB-së mbi trafikimin. Ndërsa Pakistani, Luksemburgu, Malta dhe Zelanda e Re firmosën protokollin opsional të Kombeve të Bashkuara mbi shitjen, prostituimin dhe pornografinë e të miturve. Ndërsa Australia po përgatitet për një ligj, i cili e konsideron krim hyrjen në këtë shtet me qëllim praktikimin e turizmit seksual.
Po punohet edhe për të mbrojtur fëmijët nga shfrytëzimi për qëllime të tjera si trafikimi i lëndëve narkotike apo vjedhja. Shpesh ata përfundojnë në burgun e të miturve, sepse janë detyruar të kryejnë akte të tilla. Në Spanjë, për shembull, është aprovuar një normë e cila dallon emigrantët klandestinë dhe personat që kanë hyrë në këtë vend për shkak të trafikimit të qenieve njerëzore. Në disa shtete amerikane, si: në Vermont, Konektikat dhe Minesota, një i mitur nuk mund të dënohet dhe burgoset për prostituim. “Ecapt-International” financon edhe një sërë programesh të cilat i ndihmojnë këto viktima të shfrytëzimit që të rikrijojnë jetën e tyre.
Por mbetet ende shumë për të bërë. Në të gjithë botën një shteti në pesë i mungon legjislacioni për të mbrojtur qytetarët më të ekspozuar ndaj rrezikut të trafikimit, përkundrazi, në disa raste fëmijët që kanë lidhje me trafikantët, ndëshkohen dhe trajtohen si kriminelë njësoj si të rriturit. Për të ndryshuar situatën në këto vende “Ecpat-International” këshillon që të ‘harmonizohen’ legjislacionet komëtare me atë ndërkombëtare, duke u mbështetur edhe në protokollin e Kombeve të Bashkuara ose protokollin opsional të kësaj organizate për shitjen e fëmijëve.
Një ndihemesë të madhe do të përbënte edhe krijimi i një njësie policore të posaçme që të merrej vetëm me këto raste, vënia në dispozicion e një numri pa pagesë dhe gjithashtu edhe krijimi i qendrave të strehimit me personel të specializuar për të pritur viktimat e mitura.
Somario: Në të gjithë botën një shteti në pesë i mungon legjislacioni për të mbrojtur qytetarët më të ekspozuar ndaj trafikimit, përkundrazi, në disa raste fëmijët që kanë lidhje me trafikantët ndëshkohen dhe trajtohen si kriminelë, njësoj si të rriturit
:ooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooo
bo be