FRD akuzon forcat politike se po përpiqen që përmes presioneve të pengojnë anëtarësimet në këtë parti. Në një deklaratë për mediat pak pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, nënkryetari Gazmend Oketa tha se FRD është e gatshme për të hyrë në zgjedhjet e vitit 2013 dhe do të jetë një forcë përcaktuese në vendimmarrje si dhe forcë qeverisëse, pas 23-qershorit.
“Do të kemi një muaj intensiv për të bashkëbiseduar me Shqiptarët që nga jugu në veri, për të diskutuar pikat kryesore të programit dhe për të ndezur motorët e fushatës zgjedhore. FRD ka një ecuri mjaft pozitive, pavarësisht presioneve që vijnë nga të dyja krahët e politikës së vjetër. Në mbledhje, u diskutua edhe puna e 19-të Departamenteve të cilat po hartojnë programin zgjedhor të FRD-së.
Konstatoj me kënaqësi se ka një fluks të konsiderueshëm anëtarësimesh pavarësisht klimës së vështirë që përpiqen forcat politike që përmes presioneve për shkak të punësimeve në administratë dhe biznese , të frenojnë fluksin e anëtarësimeve. Me kënaqësi konstatoj se FRD është e gatshme të hyjë në zgjedhjet dhe të bëjë diferencën me partitë që tejzgjatën tranzicionin”, tha për mediat deputeti Oketa.