Olen Cesari, i ftuar sot në studion e “Rudina” në Tv Klan, rrëfeu rrugëtimin e tij në muzikë dhe jo vetëm.
Teksa fliste rreth jetës profesionale, ai cilësoi si një nga performancat e tij më emocionuese atë në Bologna të Italisë, në të cilën ka luajtur përpara Papa Gjon Pali II.
“Më ka ndodhur një herë në Bologna para 2 milion personave ku ishin të pranishëm Papa Gjon Pali II dhe gjithë qeveria e botës. Aty jam shokuar dhe nuk po e kontrolloja dot më publikun. Kjo ka qenë e vetmja herë kur nuk kam qenë i qetë.”
Për të, bashkëpunimi me publikun është tepër i rëndësishëm në lëvrimin e pasionit të tij që i gjen shteg dhe si profesion.
“Më pëlqen bashkëbisedimi me publikun. Më ka rastisur në Kinë që asnjë nga gjuhët që dija unë “nuk pinte ujë” dhe u detyruam ta bënim me përkthyes sepse unë kisha nevojë të komunikoja me publikun dhe ka qenë ky çelësi i suksesit. Funksionon me publikun që unë t’i shpjegoj se përse kam vendosur të luaj një pjesë. Unë kam filluar të merrem me violinë që 3 vjeç e gjysmë dhe është si frymëmarrje për mua”, është shprehur ai.
Gjithashtu ai filloi të rikthehej në të kaluarën, duke treguar se kur ka nisur të luajë për herë të parë përballë një publiku.
“Kur unë isha 5 vjeç kam luajtur për herë të parë përpara një publiku në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ishin 300 persona dhe unë kam luajtur Moxartin, mezi e përballova. Dhe kur kam mbaruar shpërtheva në lot”, u shpreh Çezari në studion e “Rudina”.
s.a/dita

Kam nje fotografi me Olenin 6 vjecar,dale ne Muzeumin Kombetar “Gjergj Kastrioti”ne Kruje…Roberti,babai i Olenit dhe miku im,ndjese paste,ishte krenar qysh atehere per talentin e te birit…Gezohem shume qe Oleni jo vetem eshte talent,por eshte dhe nje njeri i mire sic ishte dhe babai i tij. I uroj vec suksese!