Hendeku midis të varfërve dhe të pasurve në shtetet e Evropës Juglindore është veçanërisht i thellë. Këtu përpiqet që të zërë vend një shtresë e re e mesme, por kjo zë një përqindje të vogël të popullsisë së këtyre vendeve dhe shpesh kërcënohet nga degradimi social
Shumë e varfër, për t’u quajtur e pasur, shumë e pasur, për të qenë e varfër: kjo vlen për shtresën e mesme në vendet e Evropës Juglindore. Në dekadën e parë pas kthesës politike të vitit 1989, kjo shtresë (një shtyllë mbajtëse në shoqëritë perëndimore) thuajse ka munguar krejtësisht. Siç del e qartë në disa studime të vitit 2008, vetëm 20% e popullatës në Rumani bënte pjesë në shtresën e mesme. Kriza ekonomike dhe financiare, megjithatë ka bërë që rrogat të ulen edhe më tej dhe ka çuar pjesërisht në një përgjysmim të shtresës së mesme.
Si në Rumani edhe në vendet e tjera të Evropës Lindore dhe Juglindore ndodh e njëjta gjë. Po të nisesh nga të ardhurat, në Serbi dhe në Kroaci, në shtresën e mesme bëjnë pjesë vetëm 10% e popullsisë, në një kohë që në Bullgari, madje flitet për një shtresë të mesme “të padukshme”. Në bazë të studimeve aktuale, 4-8% e punonjësve i përkasin shtresës së mesme. E thënë ndryshe Bullgaria me një popullsi prej 7.5 milionë banorësh, në shtresën e mesme bëjnë pjesë 100 mijë deri 200 mijë vetë: kryesisht punonjës të mirëpaguar të sipërmarrjeve të huaja dhe bankave.
Shtresa e mesme si motor i demokratizimit
Por shtresa e mesme nuk përkufizohet vetëm përmes kritereve ekonomike. “Me konceptin e shtresës së mesme lidhet edhe kuptimi që ka për veten një grup social, që është shtresa bartëse e rendit demokratik si dhe e shoqërisë së konkurencës politike dhe ekonomike,” thotë Volfgang Hopken nga Shoqata e Evropës Juglindore. “Në doktrinën e teorisë historike-sociologjike thuhet se një shtresë e mesme e formësuar qartë është në thelb e interesuar që të krijojë raporte të qëndrueshme demokratike dhe ekonomike”, thekson eksperti i Ballkanit. Por në Evropën Juglindore, shtresa e mesme ka qenë e pranishme, që para Luftës së Dytë Botërore apo vendosjes së sistemit socialist, por vetëm në formë rudimentare. Ideologjia komuniste e luftës së klasave kontribuoi në mënyrë vendimtare që edhe ajo pak borgjezi që ishte të zhdukej thuajse krejtësisht. “Në kohën e sistemit komunist, shtresa e mesme përfaqësohej thuajse krejtësisht nga e ashtuquajtura inteligjencë, përfaqësues të burokracisë dhe nga profesionet akademike por kjo është diçka krejt tjetër në krahasim me atë që ne quajmë shtresë e mesme”, thotë Hopken.
Gabime të së shkuarës
Kthesa në fillim të viteve 90 nuk çoi patjetër në forcimin e shtresës së mesme. Në Bullgari, për shembull, presidenti i parë jokomunist i vendit, Petar Stojanov pranon se paratë u derdhën në qarqet e vjetra të pushtetit, të cilat e patën ruajtur ndikimin edhe pas kthesës politike. Funksionarë partiakë të vjetër, si dhe punonjës të shërbimit të fshehtë u bënë brenda natës kapitalistë: kështu në ekonomi dhe politikë u ndërtuan struktura oligarkike, të cilat e pengojnë deri sot konkurrencën e lirë në shumë fusha të shoqërisë, tha Stojanovi.
Të pasurit e rinj përcaktojnë tonin
“Kjo ‘shtresë e re e mesme’, e quajtur kështu vetëm duke u nisur nga pasuria, nuk i ka siguruar fitimet përmes shkollimit apo rendimentit të sipërmarrjeve, por ‘paratë i ka bërë në zonën gri të legalitetit’ dhe prandaj nuk duhet vlerësuar si shtresë e mesme e legjitimuar demokratike”, thekson Volfgang Hopken. Ajo nuk është fare e interesuar për një shtet juridik mirëfunksionues, por për marrëdhënie klienteliste dhe në struktura politike, që i mundësojnë asaj të veprojë edhe më tej në atë mënyrë si është mësuar. Prandaj ajo nuk mund të krahasohet patjetër me shtresën e mesme klasike të tipit evropianoperëndimor.
Somario: në Serbi dhe në Kroaci, në shtresën e mesme bëjnë pjesë vetëm 10% e popullsisë, në një kohë që në Bullgari, madje flitet për një shtresë të mesme “të padukshme”