Entela Resuli
Ai është një artist modest, por punët e tij flasin më tepër se gjithçka. Oltsen Gripshi, djali nga Peqini i cili u shkollua për art dhe pikturë në Itali në këtë periudhë duket se po korr frytet e punës dhe studimeve të tij gjatë këtyre viteve.
Këto ditë, katër vepra të tij të cilat i përkasin teknikës së instilacionit dhe fotografisë artistike janë duke u ekspozuar në Casa del Mantegna në Mantova të Italisë. Nëpërmjet tyre ai ka dashur të sjellë brenda mureve të këtij muzeu një copëz realiteti fenomenologjik shqiptar.
Ndërsa pak ditë më parë ai ishte finalist në seksionin e video-art-it në “Canova Prize 2018”, organizuar në Nju Jork. Një çmim shumë i rëndësishëm për të në fushën e artit bashkëkohor.
Për ta njohur më shumë këtë artist, i cili na përfaqëson me punët e tij në ambientet kulturore të botës, po sjellim një bisedë sot në Dita.
Kur dëgjon dhe njihesh me përpjekje të tilla, kupton se ka njerëz që me punë mund t’ia dalin, pavarësisht se nga vijnë. Por nga ana tjetër, gjatë rrugës përballen me një realitet të vështirë, ku shpesh duhet të bëjnë edhe kompromise për të mbajtur shpresën gjallë.

Gripshi, i cili 12 vite i ka jetuar jashtë vendit, ka 5 vite që po jeton në Shqipëri, në qytetin e Durrësit. Në këtë intervistë ai na tregon gjithçka për veten, që nga fëmijëria në qytetin e vogël të Peqinit, studimet në Itali dhe pjesëmarrjet e rëndësishme në sallonet kulturore të botës.
-Oltsen, emri juaj është ndonjë bashkim emrash? Hera e parë që e dëgjoj…
Në të vërtetë jo, por jam tepër i lumtur (ndonëse shpeshherë ma gabojnë), sepse këtë emër ma ka vendosur ime ëmë. Një emër-mbiemër, sepse Oltsen ka qenë mbiemri i gjyshes nga nëna ime, e cila me origjinë ishte nga Danimarka dhe kjo ishte një mënyrë shumë e mirë për ta mbajtur gjallë gjithmonë atë. Një histori dashurie e lindur në kohën e viteve të studimit në Moskë midis gjyshit tim dhe vajzës së një diplomati danez në Rusi.
-Interesante! Cila është vendlindja juaj dhe si e kujtoni fëmijërinë?
Vendlindja ime është një qytet i vogël, i themeluar nga perandori ilir në krye të Perandorisë Romake Klaudio II (il Gotico), i cili i vendosi emrin e tij Klaudiana dhe sot njihet me emrin Peqin. Fëmijëria ime ka qenë e lumtur dhe plot përkëdheli nga motra dhe vëllai im më të mëdhenj nga unë. Ndaj meje ka qenë e përkushtuar e gjithë familja, e cila kur nisa të bëja shkarravinat e para më kanë stimuluar gjithmonë të çoj përpara prirjen time për pikturën. Ndonëse ishin vite të vështira, në kapërcyell midis dy sistemeve për t’i plotësuar të gjitha kërkesat e mia fëminore.
-Në këtë moment u larguat nga Shqipëria, ju kujtohet ai momenti?
Po, largimi për herë të parë asokohe nga Shqipëria ishte disi i çuditshëm! Një ndjesi habie dhe vetmie më përpiu, duke më mbajtur mbërthyer gjatë gjithë udhëtimit drejt Italisë […]. Por isha edhe i lumtur, sepse më në fund po prekja ëndrrën time të madhe për të studiuar arte në djepin e artit dhe kulturës. Më në fund do të mund të shijoja nga afër Rilindjen italiane me Leonardo Da Vinici-n, Michelangelo-n , Raffaello-n etj… të cilët i kisha shfletuar vetëm nëpër libra. Një udhëtim në bordin e një trageti Durrës-Ankona, një udhëtim plot emocione të papërshkrueshme, ku nata u kthye në mbulesën plot yje të shndritshëm dhe dita e së nesërmes në mesin e detit të pakufinj si bota e zotëruar nga shikim i një djaloshi që tashmë pas përfundimit të këtij udhëtimi do t’i dilte ballë i vetëm madhështisë së jetës.
-Pse zgjodhët artin, pse u profilizuat në këtë drejtim, ishte një dëshirë e juaja apo ashtu erdhën rrethanat?
Në të vërtetë nuk isha unë ai që zgjodhi artin, por arti që më përzgjodhi mua… që në moshë fare të vogël kam shpërfaqur prirje për pikturën me vizatimet fëminore dhe me të u rrita. Piktura ka rezultuar ndër vite jo vetëm një plotësim karakterial dhe shpirtëror në personalitetin tim, por me të kam arritur të realizoj edhe ëndrrën e motrës time të cilës në fundin e viteve ’80 iu mohua e drejta e studimit për pikturë në liceun artistik “Onufri” në Elbasan. Pasi familja ime ishte e përndjekur nga sistemi i asokohe, duke qenë një ndër familjet më të pasura të qytetit të Peqinit, sepse gjyshi bënte tregti me Italinë që në kohën e mbretit Zog I. Me studimet e mia universitare dhe pasuniversitare unë nuk mbeta thjesht tek piktura, por u thellova edhe në estetikë dhe histori arti, ku kam mbrojtur edhe doktoraturën në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë.
– Çfarë ju ka mësuar Italia… emigrimi?
Italia përpos formimit intelektual-kulturor, ka qenë edhe një shkollë e rëndësishme për jetën, duke ndikuar thellësisht në formimin e personalitetit tim, sepse në Itali kam kaluar fashën e moshës më të bukur nga 17 deri 29 vjeç. Të qëndruarit dhe jetuarit vetëm në një shtet të madh si Italia, padyshim që të vendos përballë shumë sfidave dhe udhëkryqeve të pamundur, por jeta kudo është një sfidë madhore, aq sa ndoshta pa to nuk do të kishte kuptim dhe pa to nuk do të arrinim të vlerësonim rëndësinë për vetë jetën.
-Ju tashmë jeni një artist i afirmuar dhe me shumë punë të realizuara, por kur ktheni kokën pas dhe mendoni për udhëtimin që keni bërë për të arritur deri këtu, çfarë ndjeni?
Unë përgjithësisht nuk vetëkënaqem lehtë, sepse jam gjithmonë në kërkim të më të mirës, të së resë dhe njohjes me çka më rrethon. Si? Gjithmonë, duke lexuar, sepse libri është miku im i përbotshëm dhe udhëtimet frymëzimi im i kahershëm, por është e vërtetë që nëse kthej kokë pas, shoh që diçka kam arritur të realizoj nga shume ëndrra që kisha dhe kam. Sigurisht për të mbërritur këtu ku jam më është dashur shumë mund dhe vite të tëra studimesh jashtë Shqipërisë, ku vetëm 17 vjeç fitoj konkursin për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Veronës dhe këtë e kam konsideruar si fitoren time të parë, e cila do të mundësonte shumë të tjera në vijueshmëri. Të studiuarit në Itali, më pas me programin Erasmus në Francë dhe Spanjë më ka formuar jo vetëm kulturalisht, por edhe si njeri dhe kjo përbën qenien time.

-Ndërkohë, aktualisht disa vepra tuajat po ekspozohen në Muzeun Shtetëror “Casa del Mantegna” në Mantova të Italisë. Si erdhi kjo përzgjedhje?
Ekspozita e inauguruar rishtas në Muzeun Shtetëror Casa del Mantegna në Mantova të Italisë është pjesë e Festivalit të Kulturës Shqiptare, ku themelueset e këtij festivali Anila Cenolli dhe Alketa Delishaj këmbëngulën për të mbledhur në një ekspozitë të përbashkët disa artistë bashkëkohor shqiptar si: Artan Shabani, Xhimi Hoti, Erjon Nazeraj, Eldi Veizaj, Guri Bulollari, Alketa Delishaj dhe Soni Tufina. Një ekspozitë, e cila nisi së përgatituri rreth një vit më parë, ku i gjithë filli lidhës mes artistëve është ai i evidentimit të vlerave të artit bashkëkohor shqiptar në një muze kaq të njohur në rrjetin e muzeumeve të rëndësishëm ndërkombëtar.
-Na trego pak për veprat tuaja që ekspozohen aty, të cilës natyrë janë?
Veprat e ekspozuar në Casa del Mantegna i përkasin teknikës së instalacionit dhe fotografisë artistike. Nëpërmjet katër veprave të mia kam dashur të sjell brenda mureve të këtij muzeu një copëz realiteti fenomenologjik shqiptar, ku dy prej veprave janë me përmasa të mëdha munomentale si: “Albanian Kawamata”, e cila përçon një estetikë kaotike me karriget dhe tavolinat e hedhura ashtu rrëmujshëm njëra mbi tjetrën, në prag të hapjes së sezonit turistik në Durrës dhe “Anatomia e orgazmës”, një instalacion i përbërë nga 101 piktura në formatin A4, ku del në pah gjendja psiko-estetike e shoqërisë tonë, e cila në tri dekadat e fundit ka degraduar në një shthurje patologjike midis sekseve […]. Një tjetër vepër po me teknikën e instalacionit është “Kurban MCMCXVII”, ku mbi kanavacë është e gozhduar lëkura e tharë e qengjit… një homazh simbolik ndaj pranverës së mbrapsht të vitit 1997 në Shqipëri dhe vepra e fundit është “Cam 1, cam 2, cma 3, cam 4”, një lojë midis artistit krijues dhe artistit si personazh publik, pra se si artisti tejkalon vetveten, duke u kthyer në një produkt të kompjuterizuar, i cili bëhet gati më i rëndësishëm dhe më i kërkuar sesa vetë arti i tij. Vepra e fundit në të vërtetë u realizua nga dy kuratorët italian, sepse përmes saj dëshironin të përcillnin konceptin e tyre rreth kësaj ekspozite, duke theksuar se mjafton të kesh ëndrra dhe vullnet për t’i realizuar ato, pasi konkretizimi i tyre është vetëm një hap larg nesh. Një mesazh ky, i cili përmbledh në një mënyrë rrugëtimin tim nga mbërritja si një student i panjohur në Itali deri më sot ku kam arritur të kem një emër.
– Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, keni marrë edhe një çmim në Nju Jork apo jo, na trego diçka më tepër për këtë gjë?
Pjesëmarrja në Canova Prize 2018 në New York ka qenë një ndër ngjarjet më të rëndësishme për këtë vit në krijimtarinë time, jo thjesht dhe vetëm për pjesëmarrjen, por edhe për përzgjedhjen si artist finalist për të ekspozuar në Pop Up Space Gallery, Groadway në Manhattan. Canova Prize është një çmim tepër i rëndësishëm ndërkombëtar në fushën e artit bashkëkohor, i cili u themelua në Romë dhe tashmë çdo edicion i përvitshëm mbahet në një galeri të rëndësishme në një shtet të botës. Në Canova Prize u prezantova me tri vepra në instalacion dhe video-art. Të tri veprat prekin çështje të mprehta sociale dhe kulturore shqiptare si: “Tranzit”, video-instalcion, “Antipode Inverso”, video-art dhe “Kurban MCMCXVII”, instalacion.
-Ju aktualisht po jetoni në Tiranë?
Jo, unë jetoj në qytetin e Durrësit, por punoj midis Tiranës dhe Durrësit. Më pëlqen së tepërmi mësimdhënia, ndaj edhe këtë “ëndërr” kam arritur fatmirësisht ta realizoj. Ndonëse nuk mund të përjashtoj edhe kërkimin shkencor, i cili mbetet një prioritet për mua në fushën e historisë së artit shqiptar.
-Si ju duket ky qytet, frymëzon?
Çuditërisht dallimi midis Tiranës dhe Durrësit sado shumë afër është tepër i ndjeshëm në shumë drejtime! Gjithsesi Tirana është gati tjetërsuar në këto tri dekadat e fundit, ku më së shumti ky ndryshim ndjehet në arkitekturën e qytetit, e cila i ka dhënë asaj pamjen e një metropoli të vërtetë. Ndërsa frymëzimin e përthith më tepër në qetësinë e Durrësit.
-Çfarë të mërzit në këtë vend?
Padituria, padrejtësia dhe arroganca.
-E keni provuar njëherë emigrimin, por a do të tentonit përsëri?
Jo, nuk do të doja t’i rikthehesha hapave të hedhur, por Shqipëria është një realitet i egër dhe i ashpër, gati i helmuar, pikërisht nga mbizotërimi i paditurisë, padrejtësisë dhe arrogancës të cilat janë ulur këmbëkryq në shoqërinë e të tashmes tonë […]. Tri elementë që nuk duhen kurrsesi anashkaluar nga ndërgjegjja e secilit prej nesh, sepse janë po këto elementë të cilët të shpien në një të ardhme të afërt në “vrasjen” e shpresës, e cila është e fundit sipas shprehisë popullore, por kur edhe ajo vritet atëherë fatkeqësisht është koha për t’u rinisur në emigrim.
-Cilat janë planet tuaja për të ardhmen, keni diçka në dorë?
Jam në përgatitje për të botuar një kërkim timin shkencor me temë “Peizazhi në pikturën shqiptare”, i cili merr në studim rreth 134 vite të historisë së gjinisë së peizazhit në pikturën shqiptare. Një studim i ndarë në katër boshte të mëdha, duke u nisur nga periudha e pikturës së Rilindjes, në atë të Pavarësisë, periudha e pikturës së Realizmit Socialist dhe periudha e pas viteve ’90, e cila përkon me atë të njohur si piktura moderne-bashkëkohore. Shumë shpejt në vjeshtë do të vij me një tjetër ekspozitë vetjake, pas asaj në tetorin e 2016 të titulluar “Antropo-fenomenologji” në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ka akoma shprese per3 Shqiperine.
Suksese!