OMONIA, shoqata që përfaqëson të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, ka reaguar pas dhunimit të zyrave të saj. Në një deklaratë për shtyp, ajo ka lënë të kuptohet se autorët e sulmit me shumë mundësi janë aktivistë të Aleancës Kuqezi.
“Urojmë që këto veprime të mos kenë lidhje me gjuhën agresive që qarqe ekspremiste po përdorin publikisht kundër helenizimit dhe drejtuesve të OMONIA-s dhe PBDNJ-së. Zyrat tona u dhunuan vetëm një ditë pasi Aleanca KuqeZi zhvilloi një miting të hapur nacionalist në Gjirokastër”, thuhet në deklaratën e OMONIA-s.
Në deklaratë thuhet se rruga e dhunës është e gabuar, pasi këto veprime nuk mund të pengojnë përpjekjet e tyre për të mbrojtur të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri.
“Këto forca politike që financohen në errësirë, që dëshirojnë nënshtrimin dhe mpakjen e helenizimit, nuk mund të na trembin”, thuhet në deklaratën e OMONIA-s.