Onkologjiku në kushte mjerimi

anazapta

Vuajnë nga sëmundje të rënda, të cilat mund t’u marrin jetën, por kjo nuk është asgjë përballë peripecive që duhet të kalojnë për marrjen e trajtimit në shërbimin onkologjik, ku trajtohen sëmundjet e rënda tumorale. Problemet me të cilat hasen pacientët sa i takon trajtimit nuk kanë të ndalur, edhe pse janë të lashta ndër vite. Mungesa e barnave, prishja e aparaturave dhe stadet e rënduara të sëmundjes, çdo ditë e më tepër po e rëndojnë edhe më shumë gjendjen shëndetësore të këtyre pacientëve, të cilët përballë fatit të keq që u ka rënë duhet të “stresohen” edhe në dyert e farmacive dhe klinikave private për të blerë barnat dhe për të bërë ekzaminimet e duhura. Kjo pasi shteti si gjithmonë nuk ka mundur t’u dalë zot as për nevojat më bazike, ndonëse e ka për detyrë. Në krye të listës së mungesave janë citostatikët që kanë edhe çmimet më të shtrenjta, në shumë raste të papërballueshme për pacientët dhe familjarët e tyre. Me të drejtë mjekët e quajnë këtë shërbim “klinikisht të vdekur”, pasi në të vërtetët nuk ka asgjë për t’u ofruar pacientëve. Mungesat janë aq të rënda, sa nuk mund të konceptohen për një qendër spitalore të nivelit universitar. Nuk bëhet fjalë vetëm për mungesën e barnave shumë të shtrenjta, por edhe të atyre më bazike të urgjencës, si dhe materialeve mjekësore, për të cilat nën zë mjekët thonë se është “turp” të thuash që spitali nuk i ka. Bluzat e bardha vënë në dukje se si shkak i kësaj situate dramatike, numri i vdekjeve të ndodhura pranë shërbimit onkologjik ka qenë i lartë në vitet e fundit. Onkologjiku është i vetmi spital shtetëror ku trajtohen sëmundjet e rënda tumorale, ku mungesat në barna janë të shumta, përpos faktit që sigurimi i këtyre terapive trajtuese është jetike për shëndetin e pacientëve. Përveç daljeve mediatike askush nga drejtuesit, nuk ka mundur t’i japë një zgjidhje këtij problemi në vitet e shkuara, pasi nuk mund të shënohet asnjë rast në të cilin spitali është ngopur me barnat e domosdoshme, qoftë edhe për një kohë të shkurtër. Edhe në rastet e realizimit të shumëpërfolurve “tendera”, të cilët janë trumbetuar me të madhe si arritje, (duke lënë mënjanë procedurat abuzive), përmes tyre janë siguruar barna vetëm sa për të mbytur zhurmën e bërë në media për mungesën e barnave. Kanë mjaftuar vetëm pak ditë nga furnizimi i spitalit për të rikthyer sërish vëmendjen drejt mungesës së barnave. Ndërkohë që buxheti i ulët i akorduar për këtë shërbim, si dhe keqmenaxhimi i tij gjatë rrugës janë dhe shkaqet që kanë çuar në këtë situatë drastike që ka pushtuar onkologjikun.

 

Agim Sallaku

“Buxheti ka qenë mjaft i vogël për të plotësuar nevojat normale të pacientëve tanë. Problematika e spitalit onkologjik që është qendra e vetme referente është komplekse, sepse ka probleme me citostatikët radioterapinë, me kirurgjinë, me anatominë patologjike dhe ka mjaft analiza që këtu nuk bëhen fare, teksa janë të detyrueshme dhe të domosdoshme në përcaktimin e terapisë trajtuese të pacientit. Pra problemi është kompleks, shpresojmë që me stafin e ri të Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtorisë së spitalit, të gjejmë mirëkuptim në mënyrë që këto probleme të gjejnë zgjidhje në të mirë të pacientit”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme shefi i këtij shërbimi Agim Sallaku.

 

Ilir Beqaj

Me këtë panoramë shqetësuese është njohur edhe ministri Ilir Beqaj. Përballë kësaj situate ministri Beqaj ka pranuar problemet me ilaçet dhe aparaturat, ndërkohë që ka premtuar zgjidhje të menjëhershme të kësaj problematike. “Ne kemi prioritet të trajtojmë sëmundjet kardiovaskulare dhe ato tumorale. Ajo që ngriti shefi i shërbimit është e vërtetë. Duke filluar që me buxhetin e vitit të ardhshëm do të bëjmë të mundur shtimin e shumë më tepër fondeve për citostatikët që duhen në shërbimin onkologjik”, vuri në dukje Beqaj. Në planet e afërta të shëndetësisë sipas ministrit, është edhe hartimi i masave antikorrupsion mes bluzave të bardha.

 

Del jashtë funksioni aparatura e kobaltoterapisë

Odiseja e vuajtjeve të pacientëve që janë të detyruar të vijnë nga katër anët e Shqipërisë, për t’u trajtuar në këtë spital nuk ndalet vetëm në mungesën e barnave. Këtij shqetësimi i shtohet edhe mungesa e aparaturave, si dhe prishja e atyre pak aparaturave ekzistuese. Konkretisht gjatë ditëve të fundit ka dalë jashtë funksionit edhe aparati kobaltit me të cilën realizohet terapia me rreze për të gjithë pacientët me tumore. Rregullimi kobaltoterapisë mund të bëhet vetëm nga ardhja e specialistëve të huaj. Pacientët kanë ndërprerë shërbimi duke rrezikuar shëndetin e tyre. Alternativa e vetme për ta mbetet fatura e kripur e privatit, por që vetëm një pjesë e vogël e pacientëve mund ta përballojnë faturën e privatit. Ndërkohë që këto të fundit duket se e kanë shfrytëzuar më së miri këtë kaos dhe rrëmujë për të shtuar nga dita në ditë përfitimet e tyre. “Për fat të keq nuk ka punuar prej ditësh aparatura e kobaltoterpisë, specialisti i huaj vjen nesër nga jashtë për të bërë punën e tij. Po punojmë, që duke filluar nga janari, për këtë aparaturë që është unike dhe specifike në Shqipëri të mund të sigurojmë një kontratë mirëmbajtje të përhershme”, vuri në dukje Beqaj. Prishja e kobaltit është një refren që përsëritet disa herë gjatë vitit, çka pengon trajtimin me rreze të pacientëve për shumë muaj. Për të mos thënë për kushtet e rënduara në të cilat ndodhet godina. Kati i katërt i këtij shërbimi shërben për trajtimin e pacientëve që janë në gjendje më të rëndë , të cilët fatkeqësisht ditët e fundit të tyre i kalojnë në dhoma plot lagështi, e të mbushura me pacientë

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *