Onkologjiku në vështirësi, nuk përballon dot fluksin e pacientëve

anazapta

Fluksi i lartë i pacientëve që paraqiten nga të gjitha rrethet e venit po vë në vështirësi shërbimin e onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Kjo pasi jo vetëm duhet të trajtojë një sërë ndërlikimesh që vijnë si pasojë e avancimit të sëmundjeve tumorale, teksa vihet edhe përballë mungesave të theksuara në medikamente dhe vështirësi në funksionimin e aparaturave për shkak të mbingarkesës që krijohet  nga të ardhurit prej rretheve. Përballë kësaj situate shqetësuese, drejtuesit e onkologjikut kërkojnë shtrirjen e këtij shërbimi edhe në spitalet e rretheve, pasi QSUT nuk mund të përballojë më trendin në rritje të pacientëve që vijnë nga i gjithë vendi. Autoritet e kësaj qendre spitalore sqarojnë se mbi 10000 është numri i pacientëve që shtrohen dhe trajtohen në vit pranë shërbimeve të këtij pavijoni. Kirurgjia dhe kimioterapia janë dy repartet me fluksin më të lartë të pacientëve që marrin ndihmë në Onkologjik, përkatësisht me rreth 7000 trajtime në vit për të dyja shërbimet. Shefi i shërbimit, Agim Sallaku bën me dije se e vetmja zgjidhje për të shmangur fluksin e pacientëve që përplaset në çdo orë të ditës në shërbimin onkologjik është hapja e reparteve të ngjashme në rrethe. Sipas tij nevoja për këto shërbime bëhet e domosdoshme duke marrë parasysh edhe faktin se në dekadat e ardhshëm parashikohet të shkohet drejt rritjes së numrit të pacientëve që vuajnë nga sëmundje të kësaj natyre. Si rrjedhojë e këtij fluksi, prej vitesh ky shërbim përballet me kriza të theksuara sa i takon mungesës së medikamenteve dhe problemeve në kryerjen e terapive trajtues, ndërkohë që radha në listat e pritjes është e pashmangshme. ”Kanceri po degradon në mënyrë të vazhdueshme, edhe këtu në vendin tonë pritet në dekadat e ardhshme një rritje e disidencës dhe vdekshmërisë. Duhen krijuar qendra satelite në qytetet kryesore të vendit. Me stafin multidisiplimar dhe sot ka mjaftueshëm onkolog që pikërisht në këto vende të krijojnë sektorët e onkologjisë për ta zbutur trajtimin e vështirë të pacientëve që ne realizojmë në të vetmen qendër që është në QSUT”, shprehet Sallaku. Ndonëse, për këtë vit është parashikuar një rritje e fondit për blerjen e barnave citostatike, të cilat janë të domosdoshme për të trajtuar këta pacientë, sërish ato janë të pamjaftueshme për të mbuluar nevojat reale të pacientëve që kanë nevojë për këtë lloj shërbimi. Fatkeqësisht kostoja e trajtimeve, mbetet shumë e lartë. Sallaku shton se edhe në vendin tonë kanë filluar të futen medikamente të reja, por që kanë një kosto të lartë për pacientët. Këta të fundit në pjesën dërrmuese të rasteve duhet t’u përgjigjen vetë faturave të pafundme që nevojiten për lehtësimin e ndërlikimeve të sëmundjes. ”Problematikat kanë qenë të mëdha qoftë në kirurgji, në radio terapi dhe kimioterapi. Kemi pasur periodikisht mungesa medikamentesh, mungesa të aparature të domosdoshme. Është vë në vijë kalimi i një aparature të re super moderne në Onkologji, dhe fondi për barnat citostatike është rritur 2.5 herë”, shprehet më tej Sallaku. Problem më vete cilësohet edhe ndërprerja e trajtimeve gjatë vitit. Shefja e Kimioterapisë, sqaron se një vështirësi që hasin ka të bëjë me faktin se :“Jo gjithë vitin ne jemi të mbuluar me këto mjekime, me gjithë ata një pjesë e mirë e pacienteve mund të mbulohen mund të realizohen, të trajtohen edhe në vendin tonë. Për zbulimin e një preparati mund të investohen deri në 500 mijë dollarë”. Aktualisht kanë nisur të zhvillohen një sërë trajtimesh për stafin mjekësor të këtij shërbimi të cilët po njihen me disa preparate të reja, të cilat do të fillojnë të aplikohen tek pacientët shqiptarë dhe që kanë rezultuar të efektshme, në veçanti për trajtimin e tumorit të gjirit.

 

Ekzaminimet që kryhen :

Shërbimi i Onkologjisë në QSUT trajton sëmundjet onkogjene. Sëmundjet kancerogjene janë të tipeve të ndryshme, por të gjitha fillojnë si pasojë e rritjes jashtë kontrollit të qelizave jo normale. Mjekët e këtij shërbimi ndihmojnë në përcaktimin e diagnozës, në organizimin e terapisë, trajtimin e kancerit, i cili varet nga mjetet diagnostikuese si biopsia ose heqja e indeve të tumorit dhe histopatologjia e tyre, mjete të tjera diagnostike si endoskopia, studime të imazhit të tilla si grafi, CT skaner, MRI dhe teknika të tjera radiologjike. Në shërbimin e onkologjisë trajtohen mesatarisht 10000 pacientë të shtruar në vit.

Numri i vizitave në një vit është mesatarisht 10600 vizita, sipas reparteve:

3800 është numri i vizitave në Kirurgjinë e këtij shërbimi

1800 në Gjinekologjinë e këtij shërbimi

3000 numri i pacientëve që i nënshtrohen Kimioterapisë

1800 është numri i pacientëve që trajtohen në Radioterapi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *